​Familjarët flasin për vrasjen e Qerim Kelmendit: Vëllai u vra në pritë

489

Familjarët e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, që mëngjesin e sotëm u gjet i vrarë dhe më pas i djegur në veturën e tij, thonë se atë e kanë vrarë në një pritë armiqtë e UÇK-së.

Në Zahaq të Pejës në shtëpinë e të ndjerin sot kanë filluar përgatitjet për “kryeshëndoshë”.

Aty vëllai i tij, Osmani nën emocione rrëfen për KosovaPressin momentet kur mori lajmin tragjik.

“Lajmin e kam marrë prej nipit tim. Unë kam qenë në Prishtinë. Në 04:30 në mëngjes më ka thënë se ka ndodhur diçka e tmerrshme, se është vrarë vëllai Qerim Kelmendi, këtu krejt afër shtëpisë në një pritë. Pastaj pjesa tjetër është e policisë sonë. Ata e dinë më mirë”, tha ai.

MÖBEL THEMA

Ai rrëfen se Qerimi nuk ka pasur probleme me askënd, përveç me armiqtë serbë dhe armiqtë e UÇK-së.

“Ne kemi pasur armiqësi vetëm me shtetin e Serbisë. Mendoj se janë armiqtë e UÇK-së dhe shtetit të Kosovës. Me këtë vrasje kanë dashur të hakmerren ndaj shtetit dhe UÇK-së”, tha ai.

Osmani u shpreh se vëllai i tij nuk ka qenë i thirrur nga Gjykata Speciale.

“Ai nuk ka qenë i thirrur, nuk e ka pas problem të prononcohet në media dhe Facebook”, tha ai.

Në vendngjarje ku ka ndodhur rasti shihen disa pjesë të veturës dhe shenjat e djegies.

Comments