​Partitë̈ pa koalicione, LVV në pritje të Osmanit, Nisma i thotë jo listës së PDK-së

56

Partitë e mëdha politike po e vlerësojnë të arsyeshme mos arritjen e koalicioneve parazgjedhore me parti më të vogla. Shfrytëzimi i platformës dhe fuqisë politike të partive të mëdha, po konsiderohet ndër arsyet se PDK refuzoi bashkëpunimin me Nismën. Por, kjo për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është problem për të garuar në një listë të përbashkët me iniciativën politike të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, në partinë e Fatmir Limajt, pas refuzimit të PDK-së, thonë se nuk ka kohë më për eksperimente në lista të përbashkëta dhe se në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojnë të vetëm. Kurse në AKR shprehet se nga ana e tyre ka pasur vullnet për koalicion klasik parazgjedhor me LDK, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e pranueshme nga LDK.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu thotë se forma dhe modaliteti i bashkëpunimit me Vjosa Osmanin është në proces dhe i njëjti do të garantojë shumicë parlamentare pas zgjedhjeve.

“Ne kemi treguar se jemi të hapur për koalicione në kuptimin e bashkëpunimit me faktorë të rëndësishëm politikë. Tashmë ka një modalitet të bashkëpunimit të tillë me Alternativën dhe znj. Kusari-Lila. Ngjashëm ka një vullnet, disponim dhe gatishmëri, për një bashkëpunim edhe me znj. Osmani dhe nismën e saj, për çka ka një proces në zhvillim e tutje mbi formën apo modalitetin e konkretizimit të tij. Bashkëpunimi jonë më të tjerë është i bazuar mbi logjikën e qëllimeve të përbashkëta dhe mirëbesimit të ndërsjelltë që edhe synon edhe garanton shumicën parlamentare pas zgjedhjeve të 14 shkurtit që përfundimisht mundëson kapërcimin e madh dhe ndryshimin e nevojshëm për vendin tonë”, u shpreh Kryeziu.

Në PDK thonë se elektorati i tyre nuk ka pasur vullnet për koalicion parazgjedhor me Nismën.

Zëdhënësi i partisë, Avni Bytyçi thotë se Nisma Socialdemokrate dhe partitë e tjera të vogla, janë në shuarje e sipër dhe se ata kanë menduar përmes koalicioneve parazgjedhore të shpëtojnë vetën.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

“Nga viti 2017 shumë parti politike, duke përfshirë edhe Nisma Socialdemokrate dhe AAK-ja e kanë shfrytëzuar platformën dhe fuqinë tonë politike për t’u rritur. Nuk ka pas as vullnet dhe dëshirë që PDK-ja kësaj radhe të ofrojë hapësirën për parti tjera, e kemi bërë të qartë se PDK-ja garon për qytetarët me një platformë dhe kandidatë i cili besoj që është kandidati më i mirë se të tjerët…Nisma Socialdemokrate, AKR dhe parti tjera duket se janë në shuarje e sipër, nëse ata kanë menduar se përmes koalicionit parazgjedhor me PDK-në të shpëtojnë vetën kjo ka qenë kalkulim i gabuar. Në fund ne jemi parti politike dhe garojmë për vota dhe mbështetjen e qytetarëve”, tha ai.

Por, anëtari i kryesisë së Nismës, Zafir Berisha u shpreh kritik ndaj PDK-së duke thënë se ka munguar vullneti nga ana e tyre për koalicion parazgjedhor, derisa thekson se nuk ka asnjë mundësi që Nisma të përfshihet në listën zgjedhore të PDK-së.

“Nuk ka, ne sot sapo e përfunduam mbledhjen me kryetarët e degëve. Deri të premten e kemi listën gati prej 110 kandidatëve. Nuk ka më kohë të eksperimenteve të njerëzve të cilët nuk kanë treguar përgjegjësinë e duhur në këto rrethana”, thotë ai.

Ndërkaq, sekretari i AKR-së, Vesel Makolli u shpreh se kanë insistuar për koalicion parazgjedhor klasik me LDK-në, mirëpo të njëjtin nuk e kanë pranuar një gjë të tillë.

“Kërkesa jonë ka me qenë me shku në atë koalicionin klasik, mirëpo kërkesa tjetër nga LDK-ja ka qenë që ne të hymë në listë, e cila është vendosur dje. Kohën e fundit kemi pas kontakte dhe diskutime, mirëpo është vendosur në fund që ne të jemi në listën e LDK-së dhe do të marrim në zgjedhje ashtu”, thotë ai.

Zgjedhjet e parakohshme në vend pritet të mbahen më 14 shkurt, ndërsa partitë politike kanë kohë deri të shtunën në orën 18:00 për dërgimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Comments