23 vjet pas masakrës së Srebrenicës, vazhdon rivarrosja e viktimave

43

Sot në Varrezën Përkujtimore në Potoçari të Bosnjë e Hercegovinës do të varrosen mbetjet mortore të 35 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, në të cilin u vranë të paktën 8,372 civilë boshnjakë dhe i cili konsiderohet si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Këta 35 viktima janë identifikuar nga masakra e 11 korrikut të 1995-së, që është bërë nga njësitë serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiq dhe të nxjerrë nga varre masive vite më vonë.

Mijëra persona nga brenda dhe jashtë vendit tanimë që nga orët e hershme të mëngjesit kanë filluar të vijnë në Potoçari.

Këtë vit, më i riu nga 35 viktimat që do të varrosen është 16-vjeçari Vesib Ibriq, kurse më i vjetri 71-vjeçari Shahin Haliloviq. Po ashtu, sot do të varroset edhe Remzija Dudiq, e cila ishte shtatzënë në muajin e gjashtë kur u vra në pyll së bashku me bashkëshortin e saj.

Më 11 korrik të vitit 1995 në Srebenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës, forcat serbe kishin masakruar mbi 8 mijë gra, pleq dhe fëmijë. Lidhur me këtë krim Tribunali për krime të luftës i Kombeve të Bashkuara, ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Ndërsa, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, nga Tribunali ishte dënuar me 40 vite burg. /Telegrafi/

Comments