750 mijë € dhe 2 pronat e biznesmenit Fishta, zbardhet DOSJA që prangosi Henri Çilin, vëllai i të dashurës hyri mik tek Adil Aliko

214

Dosja.al zbulon skemën sesi botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili do të ndikonte tek gjykata e Lartë për të siguruar lirinë e Arbjon dhe Alban Alikos, të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në vitin 2015 në Lazarat. Sipas të dhënave paraprake, burimet i thanë Dosja.al, se Çili kishte dakordësuar me Adil Alikon, babain e dy djemve të dënuar si pjesë e grupit të zjarrit për vrasjen e Ibrahim Bashës, se në këmbim të tokave dhe parave do të arrinte të ndikonte tek relatori i çështjes në Gjykatën e Lartë. Emri i botuesit u zbulua pas nisjes së hetimit në muajin shtator 2019, për një grup nga Lazarati dhe përmeti, të cilët akuzoheshin për trafik dhe prodhim narkotikësh.

Një telefonatë e Gazmir Ajdinajt, vëllait të partneres së Henri Cilit, Pranvera Ajdinajt dhe Adil Alikos, babait të dy djemve është pika e nisjes së pazarit që përfundoi me arrestimin e mbi 12 personave. Në bisedat e përgjuara nga prokuroria e Përmetit, Adili i kërkon ndihmë Gazmirit, për lirimin e djemve, duke i qarë hallin se i kërkohej 1 milionë euro.

Në këtë moment, është kunati i Çilit që ndërhyn dhe ndërmjetëson një takim mes Alikos dhe Henri Çilin. Burime për Dosja.al sqaruan se takimi është zhvilluar më 7 dhjetor 2019 dhe biseda është përgjuar dhe filmuar nga prokurorët.

MÖBEL THEMA

Aliko do t’i jepte Çilit një sasi prej 750 mijë euro, një pjesë nga të cilat do të jepej cash, dhe pjesa tjetër do të ishte pronë. Më 10 janar 2020,  Çili i ka dhënë një prokurë për të vepruar në emrin e tij, Betim Shkupit për marrjen e dy pronave në formë dhurimi nga shoqëria “Fishta sh.p.k” në Velipojë, në pronësi të biznesmenit Sait Fishta, i cili dyshohet se ishte dakordësuar me Alikon që të hynte garantor tek Çili.

Gjithashtu, burime i sqaruan Dosja.al se pasi mori dy pronat, Çili ka falenderuar kunatin duke shtuar se do t’i jepte edhe shpërblim.

Ndërkohë që më datë 3 shkurt 2020, Çili ka kontaktuar me drejtorinë e Kadastrës Shkodër, që i ka kërkuar sa më shpejt të regjistrojë pronat. Pasi ka marrë paratë dhe pronat, Çili ka takuar një nga emrat më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare, në një hotel në Tiranë, takim i përgjuar ky nga prokuroria.

Dosja.al ka zbuluar ekskluzivisht, se është arrestuar gjatë natës pronari i UET, Henri Çili, shoferi i tij, avokati Ilir Korbi, biznesmeni Sait Fishta dhe 8 persona të tjerë. Të arrestuarit akuzohen se kanë ndikuar tek gjyqtarët për të liruar bandën e Lazaratit. Ndaj Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

Comments