Abraham ia dhuron Lampardit fitoren e parë si trajner në Premierligë

38

Chelsea ka arritur të sigurojë fitoren e parë në sezonin e ri, 2019/20, të Premierligës, pasi e mposhti Norwich Cityn me rezultat 3:2, në “Carrow Road”, në kuadër të xhiros së tretë të ligës angleze.

Pas një disfate dhe një barazimi, trajneri Frank Lampard e shijoi fitoren e parë në karrigen e trajnerit të Chelseat në Premierligë. Për t’ia dhuruar këtë gëzim trajnerit të tij, punën më të madhe e bëri 21-vjeçari anglez Tammy Abraham, i cili i shënoi dy gola, raporton Gazeta Express.

Kjo përballje filloi në mënyrën më argëtuese të mundshme për tifozët e futbollit, pasi që dy gola u shënuan qysh në gjashtë minutat e para të ndeshjes. Fillimisht në epërsi kaloi Chelsea, përmes golit të parë të Abrahamit.

Megjithatë, londinezët nuk patën shumë kohë për ta festuar epërsinë e tyre, pasi që Norwichi u kthye në lojë shumë shpejt, duke e shënuar golin e barazimit vetëm tre minuta më vonë, përmes Todd Cantwell.

MÖBEL THEMA

Skuadra e Lampardit nuk u dorëzua pas kësaj goditjeje dhe pas disa rasteve, Mason Mount u tregua i saktë para portës në minutën e 17-të të ndeshjes, pas një pasimi të mirë nga amerikani Christian Pulisic.

Historia e njëjtë u përsërit për Chelsean, pasi që Norwichi e barazoi sërish rezultatin. Teemu Pukki, i cili tash i ka shënuar pesë gola në tri ndeshje në Premierligë, e shënoi golin e dytë të skuadrës së tij në këtë ndeshje.

Megjithatë, përkundër insistimit të Norwichit për t’u kthyer në lojë, Chelsea në fund doli triumfues, pasi që Abraham e shënoi edhe një gol tjetër, në minutën e 68-të, para se t’i linte vend në skuadër Olivier Giroud.

Chelsea do të tentojë ta vazhdojë sezonin e Premierligës me fitore edhe në xhiron e ardhshme, kur do të takohet me klubin tjetër që hyri në Premierliga nga Championshipi këtë sezon, Sheffield Unitedin. /Gazeta Express/

Comments