Agim Veliu e akuzon VV’në për pushtet absolut dhe nënçmim të LDK’së

118

Kryetari i Podujevës dhe njëkohësisht nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka dalë me një shkrim që duket se e largon edhe më tutje Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nga marrëveshja për formim të Qeverisë. Ai shkruan se me veprimet e fundit të VV’së, po bëhen përpjekje për nënçmim të LDK’së dhe pushtet absolut të VV’së.

Ai gjithashtu tha se me angazhimin dhe veprimet e saj, VV’ja nuk po bën përpjekje serioze për ta arritur marrëveshje me LDK’në dhe për të formuar institucionet.

“Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës
E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”, ka shkruar Veliu.

Sipas të parit të Podujevës, ofertat e VV’së kanë synim ta largojnë LDK’në nga e kaluara e saj evropane, euroatlantike. Këto përpjekje Veliu i quajti të dështuara dhe tha se askush nga LDK’ja nuk duhet t’i ndihmoj këto përpjekje.

“Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike.

Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi.

MÖBEL THEMA

Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, shkruan Veliu.

Ndërsa për propozimin që sot VV’ja ia bëri LDK’së, Agim Veliu ishte shprehur pesimist duke thënë se nuk është diçka serioze.

“Unë po flas personalisht nuk është diçka serioze. Jemi duke e shqyrtuar megjithatë nuk ka diçka të re. Nuk ka diçka serioze aty që mund të na nxjerrë prej situatës”, tha Veliu.

“Duhet me shqyrtua me organet e LDK-së edhe besoj se do të bisedojmë për parime të marrëveshjes, nuk e di çfarë kemi të shqyrtojmë në këtë ofertë”, ishte shprehur Veliu.

Derisa Albulena Haxhiu e VV’së i replikoi duke thënë se VV’ja nuk e pret qëndrimin e Veliut por të Këshillit Drejtues.

“Ne nuk po e presim qëndrimin e Agim Veliut por të Këshillit Drejtues”, ka thënë Haxhiu. “Qëndrimet e z.Veliu tashmë i dimë dhe këtu nuk ka asgjë të re”.

Comments