Avokati bën thirrje të ndalen thirrjet për arrestimin e gazetarëve

142

Arianit Koci, avokat, ka thënë se janë të papranueshme thirrjet e eksponentëve të Vetëvendosjes për burgosjen e gazetarëve pse kanë dhënë mendime të tyre për rastin e Astrit Deharit.

Koci ka pyetur nëse ekziston Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për t’i mbrojtur gazetarët.

“A ka Asociacion të Gazetarëve në këtë vend? A ka gazetarë? A është dikush që mbron lirinë e mediave? Lirinë e gazetarëve? Thirrjet për burgosjen e gazetarëve bëhen vetëm në Rusi, Turqi, Venezuelë e Kubë. Gazetarët s’mund të arrestohen pse kanë shkruar, pse kanë shprehur mendimin e tyre – qoftë edhe i gabuar”, ka shkruar Koci, në një reagim.

“Përndyshe, të vërtetën për Astritin po e kërkojmë të gjithë. Poashtu, shume prej nesh jemi të pakënaqur se si janë kryer hetimet – prandaj duhen hetime të reja, kredibile dhe profesionale. Mbi të gjitha, Astriti ka qenë në duar të shtetit. Por, thirrja për burgosjen e gazetarëve është e papranueshme”, ka shtuar ai.

MÖBEL THEMA

Ai ka publikuar një postim të zyrtarit të Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, i cili ka kërkuar të arrestohen dy gazetarë të tjerë për rastin e Astrit Deharit.

Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje.

Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i aktivistëve të VV’së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data.

Comments