Banorët e Kondovës ankohen për mungesën e energjisë elektrike, kërkojnë zgjidhje urgjente nga EVN-ja

84

Tashmë dy muaj një pjesë e banorëve të fshatit Kondovë të Komunës së Sarajit po përballen me mungesë të energjisë elektrike. Siç thonë banorët, mungesa e energjisë tashmë ka shkaktuar edhe dëme të shumta, qoftë në amvisëri por edhe në bizneset private në fshat.

“Dëm kemi të madh, 10 minuta ka rrymë, 5 orë e 12 orë nuk kemi rrymë. Dëm kemi, sidomos për produktet e qumështit që kanë afat tre ditë, nuk janë me afat të gjatë. Kemi pas prishje të produkteve”.

Të revoltuar nga ndërprerjet e energjisë, madje më shumë se 24 orëshe, banorët iu drejtuan pikës së EVN-së në Gjorçe Petrov për të kërkuar sqarime.

“Nuk ka sqarime, nuk ka paralajmërime se nuk do të kemi rrymë. Vijnë ekipet gjoja po kryejnë punë megjithatë problemi për disa orë prapë po paraqitet, popullata është shumë e irrituar. Mundë të ndodhë brenda 24 orëve mos të ketë fare, bile vazhdon përtej 24 orëve. Ndonjëherë qëllon shtatë orë ka e tetë orë nuk ka”.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

Pas disa orë pritje, disa nga banorët u takuan me një nga punonjësit e EVN-së. U është premtuar se nga e hëna ekipet e EVN-së do të dalin në teren për të zgjidhur problemin.

“A e paguan ose jo dikush, ose a e vjedh ajo nuk më intereson, ajo është përgjegjësi e EVN-së. Na than se do të vijnë të hënën ta kontrollojnë se ku është problemi. Ato nuk i ndërrojnë kabllot, janë false, ata që i kanë vendosur kanë thënë se nuk është material i mirë. Jemi me njerëz të moshuar, kemi fëmijë që janë në shkollë online, nuk kanë internet”.

Nga EVN thanë për Alsat se ekipet e Elektrodistribuimi çdo ditë janë në terren në Kondovë për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike të cilat po shkaktohen si rezultat i mbingarkimit të rrjetit distributiv. Nga EVN thonë se do të zgjidhin problemin me ndërprerjen e rrymës në këtë rajon.

Melihate Rustemi

Comments