Borxhi ndaj bankave, çdo e teta banesë nën hipotekë

308

Në tre vitet e fundit po shënon rritje numri i banesave të vendosura nën hipotekë. Të dhënat e Kadastrës tregojnë se është rritur prej 111.671 banesa në fund të vitit 2017 në 140.571 banesa në fund të muajit qershor të këtij vit, numri i pronave të patundshme që janë vendosur nën hipotekë. Thënë ndryshe, në tre vite kemi rritje prej më shumë se 20 për qind të numrit të banesave që vendosen si garanci ndaj bankave për blerjen e banesave të reja. Hipotekat në pjesën më të madhe menaxhohen nga bankat, dhe më së shpeshti lihen si garanci deri në pagesën e plotë të banesës për një periudhë prej më shumë vitesh. Kreditë hipotekare dallohen me afat të gjatë të kthimit prej 10-30 vjet, shumën e lartë që lidhet me vlerën e pronës së patundshme dhe aftësisë së kërkuesit së kredisë për pagesën e rregullt mujore në bankë.

Ekzistojnë edhe raste kur një pjesë të hipotekave janë në pronësi të kompanive apo personat privat. Shkupi si kantieri më i madh i ndërtimit të banesave në vend, por edhe tregu më i madh i shitblerjes së patundshmërive, dominon edhe në numrin e banesave nën hipotekë. Këtë e dëshmojnë të dhënat, sipas të cilave, nëse në shkallë vendi, pronar i çdo të tetës banese janë bankat, në Shkup bankat janë pronare të çdo të pestës banesë. Apo nga 321.430 banesa, nën hipotekë janë 69.668 banesa apo 21.7 për qind e tyre. Në vendin e dytë me numrin më të madh të hipotekave në raport me banesat e regjistruara në Kadastër renditet qyteti i Negotinës me 2143 banesa apo 18.61 për qind, i pasuar nga Gjevgjelia me 16.58 për qind apo 3970 banesa. Përqindje të lartë të banesave nën hipotekë kanë edhe Kavadari me 14.65 për qind, Manastiri me 13.19 për qind, Shtipi me 12.86 për qind , Koçani me 12.58 për qind dhe Strumica me 11.91 për qind .

Listën e banesave me mbi 10 për qind të totali të banesave të vendosura nën hipotekë e përmbyllin Velesi me 10.35 për qind dhe Ohri me 10.01 për qind. Nga qytetet e tjera, në Tetovë nga 63.600 banesa, nën hipotekë janë vendosur 5717 banesa apo afër 9 për qind, në Strugë nga 35.821 banesa, nën hipotekë janë vendosur 2641 banesa apo 7.4 për qind dhe në Kumanovë – nga 66.503 banesa, nën hipotekë janë vendosur 4850 apo 7.3 për qind.

Në Gostivar, nën hipotekë janë vendosur 3313 apo 6.3 për qind nga 52.620 banesa, në Dibër nën hipotekë janë vendosur 507 banesa apo 4.5 për qind nga 11.281 dhe në Kërçovë – nën hipotekë janë vendosur 1432 banesa apo 4.3 për qind nga 33.162 banesa. Është interesante të theksohet se qytetet me më pak hipoteka në raport me banesat e regjistruara në Kadastër janë Kratova me 1.34 për qind, Makedonski Brodi me 1.71 për qind dhe Kriva Pallanka me 2.94 për qind të banesave.

Nga ana tjetër, vitet e fundit po rriten edhe borxhet e qytetarëve nëpër banka që nuk kanë mundësi tjetër të bëhen me kulm nën kokë, përveçse me një kredi hipotekare të bankës. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë në vazhdimësi po rritet kreditimi banesor. Raportet e Bankës Qendrore tregojnë se kreditë banesore janë rritur prej 36.815 milionë denarë në muajin qershor të vitit 2017 në 54.392 milionë denarë në muajin qershor të këtij viti.

Apo thënë ndryshe, janë rritur prej afër 600 milionë euro në qershor të 2017-ës në afër 885 milionë euro në qershor të 2020-ës. Gjithashtu, në totalin e kredive banesore shpesh hyjnë edhe objektet që janë në ndërtim e sipër, për të cilat investitorët kanë kërkuar kredi për ndërtim.

Comments