Ceremonia e çmimeve “Golden Globe”

482

Fjalimet e fuqishme dhe deklaratat e unitetit kanë dominuar edicionin e 75 të çmimeve Golden Globe, i cili u prezantua këtë herë nga aktori Seth Meyers. Fituesi i madh i mbrëmjes ishte filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Misouri”, i cili çoi në shtëpi katër çmime përfshirë atë të aktores më të mirë që i shkoi Frances McDormand.

Fituesja e çmimit Oscar vihet në rolin e një gruaje në zi nga humbja e së bijës, e cila sfidon policinë për faktin se vrasësi i saj nuk është gjetur ende.

Ndërsa filmi “Big Little Lies” fitoi në pothuajse shumicën e kategorive të televizionit.

Nikole Kidman rrëmbeu çmimin aktorja më e mirë në film televiziv, duke portretizuar një viktimë të dhunës në familje.

Ndërsa Oprah Winfrey mori trofeun e nderit Cecil B DeMille. Ajo e elektrizoi sallën me fjalimin e saj.“Të gjitha vajzat që po na shikojnë tani duhet ta dinë se ka një ditë të re në horizont. Askush nuk duhet të thotë përsëri: Edhe unë!”, u shpreh Winfrey.

Si aktorja më e mirë në dramë u vlerësua Elisabeth Moss, e kënga më e mirë origjinale: Home.

Filmi më i mirë i animuar ishte The Boss Baby, ndërsa prodhimi i huaj, u vlerësua: A Fantastic Woman.

Mbrëmja u fokusua tek atmosfera aktuale në Hollywood dhe fushata “Me to” apo “Time’s Up”, që kërkojnë ndryshimin jo vetëm tek gratë që janë pjesë e industrisë së filmit, por edhe tek ato anembanë botës.

Gjate ceremonisë u shpërndanë mesazhe të fuqishme kundër ngacmimeve seksuale dhe pabarazisë gjinore.

Rreth 300 pjesëmarrës u veshën me të zeza në formë proteste kundër skandaleve seksuale në Hollywood dhe në vende të tjera të punës.

Comments