Dana White: Khabib do të mbetet në UFC

328

Incidentet që ndodhën pas duelit ndërmjet Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor në UFC 229 në Las Vegas, nxitën polemika të shumta në lidhje me dënimet dhe vazhdimin e konkurrimit të yjeve të njohura të MMA-së në këtë organizatë.

Presidenti i UFC-së, Dana White, kishte deklaruar se do ta përjashtonte përgjithmonë mikun e Khabibit, Zubaira Tukhugov, për përfshirjen e tij në incident, ndërsa menjëherë pas ylli nga Dagestani theksoi se në rast se ndodh ajo, edhe ai do të largohej.

Mirëpo, sipas njeriut kryesor të organizatës, gjërat janë sqaruar dhe Nurmagomedov do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj gare.

“Jemi në rregull. Jemi në rregull me Khabibin. Ju vazhdoni t’i publikoni gjërat që kanë qenë para një javë. Para një jave! Shumë gjëra ndodhin brenda një jave në këtë biznes”, ishin fjalët e White për TMZ.

Kreu i UFC-së nuk ka dhënë detaje se si organizata që drejton e ka zbutur qëndrimin ndaj Nurmagomedov, ndërsa njëherësh është tërhequr edhe nga vendimi për ta përjashtuar Tukhugovin dhe nuk është e qartë nëse ai do të vazhdojë apo do të largohet nga kjo garë.

Kampioni në kategorinë e peshave të lehta është aktualisht ylli kryesor i UFC-së, prandaj është e kuptueshme që organizata do të përpiqet të përfitojë sa më shumë para nga ai.

Në ndërkohë, mbetet akoma e paqartë se me kë do të ndeshet Khabibi në vijim. Tony Ferguson është kandidati numër 1, ndërsa edhe një rimeç me McGregor është shumë i mundshëm, pasi do të sillte përfitime marramendëse.

Pastaj ekziston mundësia për një duel të Nurmagomedov me boksierin amerikan, Floyd Mayweather.

“Nuk kemi folur akoma në lidhje me këtë (duelin e radhës). Ai po e bën një turne aktualisht. Ai po shkon në EBA, është takuar me Putinin dhe po bën shumë gjëra. Ta lëmë këtë njeri ta shijojë fitoren dhe pastaj do të flasim”, ka deklaruar White.

Comments