Demagogjia vdiq, ndjesë pastë hipokrizia!

505

Halit Krasniqi
Ndjesë pastë hipokrizia politike dhe patetika gënjeshtare që nxiti turmat për të djegur institucionet të ndërtuara nga buxheti i Kosovës. Ajo retorikë që zgjoi energji nihiliste të individëve, duke krijuar turma të bindura në alibitë politike për të arritur deri në shfrenim pa kufij, duke përmbysur fillimisht automjete të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, duke përçuar mesazh negativ për vendin tonë, me predispozicion pastaj për të djegur e rrënuar gjithçka që i urdhëronin frymëzuesit e tyre makiavelistë që tani janë në një rol të ri e me retorikë të re.
Bashkë me turmat edhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur më vonë deputetë, pa hezitim ishin hedhur haptazi në sulm me diskursin demagogjik, duke sulmuar pa zgjedhur mjete e metoda, as kohën e vendin, deri edhe brenda Kuvendit të Kosovës, duke ballafaquar diskurset e kundërta me argumentet e mundshme. U krijuan skena rrëqethëse në prodhim të konflikteve me skenarë e diskurs tejet komik, por sikur të mos kishte përballë logjikën e ndërtimit të vendit, epilogu i tyre do të ishte me pasoja tragjike.
Ishte krijuar diskursi armiqësor duke sulmuar gjithçka, veçanërisht Kryeministrin me gjithfarë mjetesh. Duke ia atribuuar aq shumë mëkate në vëllim dhe aq gjatë në shtrirje kohore dyzetvjeçare, me përshkrime rrëqethëse. Duke nxitur turma kundër tij, deri në bindje se jo vetëm këtë, por edhe brezat e tjerë të trungut të tij familjar, nipa e mbesa, duke e sulmuar në shtëpinë e tij. Edhe për kundër që familja konsiderohet e shenjtë dhe e pa prekshme. Duke mos përjashtuar akuzën për tradhti kombëtare.
Gjatë këtyre ditëve vëmendjen e opinionit e rrëmbyen përfaqësuesit dy formacioneve politike, në përpjekje për bashkëpunim. Meqenëse kishin strategji specifike, njëri formacion për ta zhveshur në opinion tjetrin nga qëndrimet anakronike të deri tashme, që dje e sulmonte dhe sot i përgjërohej për bashkpunim, sado me gjeste përultësije, në preferencat e plasuara nuk ishte i tillë, sepse dominon kërkesat me tendencë sugjestionuese.
Nga që ky subjekt kohë të gjatë ka krijuar identitetin e tij, duke kultivuar armiqësi ndaj mendimit oponent dhe ndaj çdo gjëje që krijohej nga instituciomnet tona dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke manifestuar dhunë të shfrenuar deri në kufij shqetësues për shumicën qytetarëve tanë dhe për të gjithë miqtë tanë që ia duan të mirën vendit dhe popullit tonë, të cilët kanë krijuar mekanizma për të na ndihmuar në ndërtimin e jetës së re në këtë vend, deri edhe për të siguruar kufijtë e Kosovës nga kërcënimet e mundshme. Prandaj edhe përkundër ndryshimeve aktuale në qëndrimet e këtij subjekti politik, oferta për bashkrenditje në një hibretizim elektoral, ishte eksperiment me efekte bumerangu për të dy subjektet që do të reflektohej pas një periudhe të shpejt. Sado që në të dy anët kishte entuziazëm për këtë koalicion.
Megjithkëtë, në skenën politike tani kemi dominim të rezonit tjetër. Jo më armiqësor ndaj të gjithë oponentëve. Madje edhe gjithë të tjerët më shumë kanë gjuhë bashkëpunuese se sa vija të kuqe. Ky fakt ka krijuar një ambient të ri dhe mjaft relaksues në skenën politike.
Ndjenjë shumë e mirë kur sheh njeriu ynë këtë realitet të nevojshëm e të dëshiruar kaq gjatë për vendin tonë. Pavarësisht se ky ndryshim nuk erdhi si rezultat i ndërgjegjësimit për të qenë bashkë në krijimin e së ardhmes, por për pozitën e aspiruar për pushtet, qëllim të cilin e kishin fshehur kohë të gjatë ata që shkelën mbi parime të proklamuara.
Ky fakt motivoi aq shumë lutje e aq shumë përgjërime për të rrëshqitur deri edhe në depersonalizim, duke konceptuar edhe hyrjen në një listë zgjedhore dy formacione me fizionomi të ndryshme e me histori konfliktesh. Ky moment hoqi maska e nxori pretendime të fshehura kaq gjatë në mënyrë specifike me dedikim për të rrënuar procese e për të stagnuar deri tani zhvillime të duhura për vendin tonë.
Ata që kundërshtuan çdo gjë që ishte filluar të krijohej në këtë vend, duke atakuar bartësit e këtyre ndryshimeve dhe që tani përfundimisht ndryshuan vet në dukje e në veprime, në ide e koncepte. Duke filluar ndryshimin që në veshjen e tyre, nga retorika e diskurseve dhe në veprime praktika që po manifetojnë çdo ditë.
Përfundimisht vdiq hipokrizia politike dhe ndjesë pastë demagogjia partiake e L-ve (lëvizjeve e lidhjeve) me semantika karakteristike. Fronti është hapur për ide e koncepte politike. Klima është krijuar për shpalosje të programeve zhvëllimore.
Përtej vizioneve me përshkrime shkëlqyese nga të gjitha formacionet, do të krijojnë besimin në elektorat dhe do ta përvetësojnë mbështetjen në masën më të madhe, pa dyshim ai formacion që nuk është shquar vetëm me retorikë, por që ka bërë kthesa historike, ka dëshmuar si ndryshohet historia, e nuk rrotullon kot faqet e saj, pa kontribuar në to.
Natyrisht edhe formacionit të kthesave historike që është shpresa më e madhe, i kërkohet ta rris besimin në elektorat, duke vazhduar pa hezitim me këtë qasje të re që ka filluar. Gjithsesi me ofertë bindëse në formë dhe përmbajtje, duke krijuar hapësirë për protagonistë me energji të reja që ka brenda vetës dhe që tani më janë të mishëruar me frymën maratoniste. Vetëm kështu, pa dyshim do ta ketë mbështetjen më të madhe se gjithë të tjerët, sepse është identifikuar me sistemin e vlerave që ka brenda vetës, të cilët kanë bërë ndryshimet historike, për të vazhduar edhetani pas zgjedhjeve në të gjitha fushat, ndryshimet e duhura për persepktivën e jetës së përditëshme të qytetarëve tanë.

Comments