Detaje nga mbledhja e Këshillit, Basha: Jemi gati të mbrojmë rendin kushtetues

41

Një ditë pasi në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike u votua për ngritjen e ‘Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë‘, kryetari Lulzim Basha është shprehur sot në Këshillin Kombëtar se objektivi kryesor i PD-së dhe i opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Edi Rama, si mënyra e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Mbledhja e Këshillit u realizua për të diskutuar situatën politike, pasi presidenti Ilir Meta nxori një dekret të ri për shfuqizimin e 30 qershorit si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale.

“Ne ia dolëm që të ndalojmë procesin fals dhe kriminal të 30 qershorit. Tashmë është e qartë që nuk do ketë zgjedhje lokale pa opozitën”,- është shprehur kreu i opozitës, duke vënë në dukje se gjithçka që ka ndodhur deri tani për frenimin e një procesi kriminal njëpartiak është meritë e drejtëpërdrejtë e qëndresës së shqiptarëve të bashkuar, përtej bindjeve politike.

MÖBEL THEMA

Basha raportohet se ka përforcuar mesazhin kryesor të opozitës se “zgjedhjet pa dekret presidenti nuk janë zgjedhje dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk janë zgjedhje.”

Basha u ka kërkuar gjithashtu anëtarëve të Këshillit që gjatë gjithë kësaj kohe të rrisin angazhimin publik qytetar në nivelin më maksimal.

“Ne duhet të jemi gati të bëjmë detyrën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe për të mos pranuar asnjë proces votimi fals, në shkelje dhe dhunim të Kushtetutës”, mësohet të jetë shprehur Basha, duke shtuar se këto javë janë përcaktuese për 10-15 vitet e ardhshme.

Top Channel

Comments