Emocionet nacionale të atlantistëve të Maqedonisë Veriore

81

SELIM IBRAIMI-Në emër të atlantizimit dhe eurointegrimeve, qeveria e kryeministrit Zoran Zaev hap pas hapi vazhdon politikat monoetnike. Mediat në gjuhën shqipe në Shkup njoftuan se Banka Popullore po përgatitet të bëjë lëshimin e banknotave vetëm në gjuhën maqedone duke shkelur Ligjin e gjuhëve dhe duke mos respektuar realitetin etnik dhe kulturor të Maqedonisë Veriore.
Që nga pavarësia e Maqedonisë post jugoslllave, emocionet për shtet nacional maqedonas vazhduan deri në formësimin e shtetit njëetnik maqedonas duke e rrumbullaksuar me Marrëveshjen e Prespës, ku pala maqedonase me ndihmën e ShBA-së i dha fund përpjekjeve pothuajse 80 vjeçare për rindërtimin e kombit të ri me emër të ri në mes të Europës Juglindore.
Indikacionet janë që edhe pas MP-së dhe votimit masovik të shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale për kandidatin e LSDM-së Stevo Pendarovski i quajtur pro perëndimorë, politikat qeveritare dhe jo të balancuara ndëretnike të vazhdojnë.
Të gjitha këto veprime po bëhen në sytë e ambasadave perëndimore që dikur kritikonin Gruevskin për ndërhyrjet e ashpëra në gjyqësi dhe tendosjen e raporteve ndëretnike.
Qeveria e kryeministrit Zaev , nëse dëshiron të jetë promotore e vlerave atlantike, duhet të shikojë ndërtimin e Europës së pas LDB-së dhe frymën që dominoi në shtetet europiane. Atlantizimi, ka shenja tjera, e jo plane për të dominuar dhe menazhuar burimet shtetërore mbi baza etnike duke promovuar shoqëri qytetare me mbulesë një etnike në simbole, kulturë dhe gjuhë.
Politikat atlantike të qeverisë do të shihen në vitet në vazhdim, nëse me të vërtetë në emër të atlantizmit janë fshehur interesa tjera. Edhe ligjet e brendshme të MV-së nëse do të prodhojnë kriza të reja, nuk do të jenë vetëm produkt i partive maqedonase por edhe atyre shqiptare që janë kthyer në maqineri votimi për politikat e kryemnistrit Zaev. ([email protected])

Comments