Gërmimet zbulojnë një skelet njeriu në Lezhë, dyshohet se është viktimë e…(Foto)

62

Një skelet njeriu është zbuluar në sheshin e qytetit të Lezhës, teksa gërmohej për të nxjerrë ujë për vaditjen e lulishtes.

Skeleti është gjetur në thellësinë 1.5 metër dhe ka dyshime të forta se mund t’u përkasë viktimave të komunizmit, pasi fare pranë vendit ku u gjetën eshtrat, ka qenë edhe Dega e Punëve të Brendshme. Menjëherë është kërkuar ndalimi i punimeve, ndërsa është lajmëruar Agjencia e Shërbimit Arkeologjik.

Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi, thotë se ende nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë, ndaj edhe duhen pritur analizat, por, sipas tij, ka dyshime të forta se eshtrat i përkasin ndonjë personi që është ekzekutuar gjatë regjimit komunist.

“Këto objekte që janë zbuluar, pra, këto eshtra që janë zbuluar në thellësi 1.30, 1.50 metra, nuk jemi të sigurt për çfarë bëhet fjalë, për çfarë periudhe i përket, a është një eshtër e hershme, është një rast i izoluar apo është një varrezë. Ne nuk mund ta përcaktojmë as se është e antikitetit, periudhës së Krishtit, apo mesjetës me hamendësime.”

“Qytetarët lezhjanë u bënë kurjozë, i gjeta këtu. Pjesa më e madhe thonë se këtu ka qenë oborri i Degës së Brendshme. Ne si sektor, menjëherë kemi bllokuar punimet në vendin ku janë gjetur eshtrat dhe kemi njoftuar institucionet përkatëse. Do të jenë ekspertet e Arkeologjisë, të cilët do të kryejnë edhe verifikimet”, u shpreh Paulin Zefi.

Paraditen e së shtunës, në zonë kanë mbërritur edhe ekspertët e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, të cilët kanë nisur verifikimet për rastin, por nuk e kanë komentuar atë duke pritur kryerjen e të gjitha veprimeve për të arritur në konkluzione përfundimtare.

Gjithsesi, qytetaret lezhjanë janë të bindur se eshtrat e gjetura i përkasin ndonjë personi, i cili është ekzekutuar gjatë regjimit komunist. “Unë jam një banor i vjetër i Lezhës. Në vendin ku janë gjetur këto eshtra, ka qenë Dega e Punëve të Brendshme, siç quhej në atë kohë.

Këtu janë pushkatuar shumë persona nga regjimi komunist, pikërisht në këtë vend. Unë jam i bindur se eshtrat e gjetura i përkasin ndonjë personi të pushkatuar, kjo duke iu referuar dhe vendit ku janë gjetur.

Edhe mënyra si është gjetur skeleti, e tregon një gjë të tillë, pasi ishte i vendosur në njërin krah dhe jo siç varrosen njerëzit”, shprehet një qytetar i Lezhës.

Sektori i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë nuk do të lejojë mbylljen e vendit ku janë gjetur eshtrat, deri në verifikimin se cilës periudhë mund t’u përkasin këto eshtra.

Comments