Gjashtë vjet pa rektorin e parë të UT-së, prof.dr.Fadil Sulejmani

98

Nga Abdulla Mehmeti

Sot mbushen 6 vjet nga shuarja e Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Fadil Sulejmani.

Fadil Sulejmani u lind më 5.12.1940 në katundin Bozovcë të Malësisë së Sharrit të Tetovës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në qytetin e Tetovës, kurse shkollën e mesme e kreu gjithashtu në Tetovë. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë. Studimet pasuniversitare të magjistraturës i kreu në Beograd, kurse ato të doktoraturës i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar fillimisht arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Obiliq të Prishtinës dhe 2 vjet ka qenë profesor i gjuhës latine në Gjimnazin e Mitrovicës. Në vitin 1971 e filloi punën mësimdhënës i rregullt i lëndëve Morfologji dhe Fonetikë e gjuhës shqipe në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku punoi deri në vitin 1993, kur pushteti serb e pushtoi dhunshëm këtë universitet dhe disa institucione të tjera arsimore e shkencore të Kosovës. Në vitin 1995, Fadil Sulejmani u zgjodh e profesor i rregullt i shkencave të filologjisë në këtë universitet.

MÖBEL THEMA

Gjatë kohës sa ishte mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, formimin e tij akademik e vijoi me 2 vjet specializim, si bursist i Fondacionit ,,Aleksandër Humbold”, në Bon të Gjermanisë, si dhe 1 vit në Itali, që i mundësuan edhe njohjen e gjuhës gjermane dhe italiane, të cilat i shërbyen më vonë në hulumtimet e tij shkencore.

Në vitin 1990, me themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, me seli në Tetovë, Këshilli nismëtar ia besoi detyrën e Kryetarit të kësaj organizate, të cilën e ushtroi deri në muajin gusht të vitit 1991.

Në ngjarjet më të rëndësishme të fillimit të punës së këtij Universiteti, Prof. dr. Fadil Sulejmani ishte në ballë të këtyre aktiviteteve si, në drejtimin e punës së organeve të përkohshme të Universitetit, në sjelljen e Vendimit për hapjen publike dhe fillimin e punës së Universitetit, më 17 dhjetor 1994; në hapjen publike të vitit akademik 1994/1995, më 15 shkurt 1995, në Reçicë të Vogël; në fillimin e ligjëratave të para, në Poroj dhe Riçicë të Vogël, më 16 dhe 17 shkurt 1995; si dhe në aktivitete të tjera të cilat ia vunë vulën arsimit universitar në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. Për këto aktivitete, pushteti i asaj kohe në Maqedoni e ndoqi, e maltretoi shumë herë bashkë me familjen e tij dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie, ndërsa dënimin me burg e vuajti në kohëzgjatje prej afër një viti.

Prof. dr. Fadil Sulejmani ndërroi jetë në orën 1:20, të ditës së hënë, më 11 shkurt 2013, në Prishtinë, ndërsa u varros po atë ditë, më 11 shkurt, në varrezat e qytetit të Tetovës, me nderime të larta si Rektor i parë i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Lavdi jetës dhe veprës së profesorit, intelektualit dhe atdhetarit të shquar, prof. dr. Fadil Sulejmani!

Comments