Hoti: Partitë t’i përgjigjen presidentit për Qeverinë e re, u bënë tri referenca për gjakderdhje nga VV-ja

525

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partitë politike duhet t’i përgjigjen konsultimeve të thirrura nga presidenti, i cili sipas tij, është i obliguar t’i përfillë procedurat kushtetuese për themelimin e Qeverisë së re.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se partitë duhet të vendosin në mes dy opsioneve:

Partitë politike, sipas Hotit, në këto konsultime duhet të vendosin për njërin nga këto dy opsione.

“E para, nëse ka vullnet për të formuar një shumicë të re parlamentare, atëherë Kuvendit i propozohet përbërja e Qeverisë së re nga partitë politike që e përbëjnë këtë shumicë parlamentare. E dyta, nëse nuk ka vullnet për të formuar një shumicë të tillë parlamentare, atëherë partitë dakordohen për datën e zgjedhjeve, e cilat duhet të jetë në një kohë të përshtatshme pas tejkalimit të kësaj situate”, ka renditur ai opsionet.

MÖBEL THEMA

Ai thotë se rrugë tjetër nuk ka.

“Të gjithë të bëhemi të përgjegjshëm për respektimin e Kushtetutës dhe rendit demokratik. Tri referenca janë bërë deri më tani për gjakderdhje. E para është bërë në Kuvend nga Kryeministri në detyrë, e dyta nga Tirana dhe e treta sot nga Mitrovica. Por, jam i bindur se kjo shoqëri ka maturitetin e nevojshëm për të ndaluar zërat e tillë, tash, menjëherë dhe përgjithmonë”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka shtuar se Kosova është me qeveri në detyrë, e cila duhet të kujdeset për menaxhimin e situatës emergjente shëndetësore nëpër të cilën po kalojmë.

“Dhe deri më tani ka bërë punë të mirë, duke përfillur këshillat e ekspertëve shëndetësorë të IKSHP, me përjashtim të mungesës të një koordinimi më të afërt me komunat nga kreu i Qeverisë dhe mbështetjes më të madhe për komunat, si dhe për policë, doganierë dhe të tjerë që janë në ballë të kësaj pandemie”, ka shkruar ai.

Comments