Kë e shqetëson e vërteta mbi Auschwitz-in shqiptar

290

Deutsch-ABC

Komunistët shqiptarë nuk kishin gaz e krematorium; ata i mbanin si skllevër këto familje që të vdisnin në kushte natyrore nga uria, sfilitja dhe epidmitë. Kush të mbijetonte, të mbahej në cilësinë e pengut, derisa diktatura të ndjehej e sigurtë në slang-un e vet;
Agron Tufa

Në debatet e ditëve të fundit me historianin komunist të Mesjetës, i cili “arratiset” prej asaj epoke për t’u rreshtuar në majë të falangave të frustruara enveriste, kam marrë qindra mesazhe falenderimi, sikundërse dhe disa dhjetra të tjerë, që më thonë: “Pashë Zotin, ç’merresh me një kufomë ideologjike si ai?”; “ç’merresh me një astral të ulët?”, etj. Më duhet t’u sqaroj këtyre të dytëve, se polemikat me z. Xhufi janë të detyrueshme jo për vlerën nominale që paraqet ai vetë, por për përdhosjen që shkakton ky trashëgimtar i enverizmit , tok me inerte të ngjashme me të, me të cilat është ndotur tejpërtej horizonti ynë shoqëror postkomunist. Është, pra, instinkti higjenik, që ka lindur bashkë me të parat formacione urbane, për t’u dhënë drejtimin e duhur ujërave të zeza. E bëj këtë edhe në respekt të mbi 10.000 të vrarëve e të pushkatuarve anembanë atdheut tonë të shumëvuajtur, që nuk gjetën eshtrat e të dashurve të tyre, në respekt të dhjetramijërave të dënuar të komunizmit, por edhe si homazh të qindramijërave të internuar nga diktatura dhe zgjatimit të hidhur të fateve të tyre familjarëve – nga Jugu në Veri të atdheut tonë të gjakosur, të fyer, të terorrizuar nga makina grirëse e luftës së klasave dhe mallkimit të biografisë.

1. Po ia nis, pikësëpari, nga habia më e madhe logjike e këtij kankari të enverizmit, të cilën ky e shtron në pyetjen retorike: “Çfarë do Tufa t’i tregojë botës? Që shqiptarët se përveç antikomunistë qëndrestarë, janë kafshë me fytyrë njeriu?”.

Përgjigjem unë: “Pse me i fye “vëllezërit tonë të vegjël” – kafshët, aq rëndë, duke i krahasuar nga bishat sadiste e perverse, xhelatë të diktaturës, operativë sigurimi, komandantë burgjesh e kampesh, hetues, prokurorë, gjykatës, sekretarë partie e Komitete partish, që shtjellonin vazhdimisht skenarë meshash të zeza? Kafshët as nuk i masakrojnë, as nuk i vrasin të ngjashmin e tyre, kurse gjithë ajo plojë kombëtare, gjithë ajo vëllavrasje, prologun e së cilës e nisën komunistët që gjatë Luftës së Dytë Botërore, e bënë dofarë trajtash antropomorfe që nuk kishin gjë të përbashkët me Njeriun. Dhe kjo plojë nuk rreshti për afro gjysëm shekulli, në PAQE. Në këtë pikëpamje s’ke pse u bie më qafe kafshëve.

Elaboratet shqiptarocide serbe nga “Naçertanie” e I. Garashaninit (1844), deri tek pasardhësit e tij, V. Gjeorgjeviçi, N. Pashiqi, A. Rankoviqi, D. Qosiçi, do ta kishin zili atë çfarë u shkaktoi shqiptarëve nxënësi i tyre i tejzellshëm, Enver Hoxha, me regjimin tij terrorist, me humbjen e gjysmës së atdheut (Kosovë, Maqedoni perëndimore dhe viset shqiptare të Malit të Zi), për të cilat u premtua gjatë luftës se do të shprehnin vullnetin e vetvendosjes. Çfarë vijoi në fakt? Edhe pse popullsia e atyre viseve ia bashkangjit lëvizjes antifashiste çlirimtare, pasoi tragjedia e spastrimit etnik me eleminimin e 6000 partizanëve të Shaban Polluzhës, rirekrutimin, mandej, të 50 mijë të rinjve nga e gjithë Kosova dhe, siç dihet gjerësisht, epilogu tragjik kulmon me masakrat e 6 eshalonëve të nisura në itinerarin Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar-Dubrovnik. Ata u masakruan të pambrojtur, të paarmatosur. Mbi 3000 të rinj kosovarë. Me idenë se do të armatoseshin në destinacion – frontin antinazist të Triestes. E këtu një rol të theksuar luajnë komandantët partizanë të dërguar nga Enver Hoxha e Dushan Mugosha në bashkëpunim me emisarët jugosllavë. Të gozhdojnë kabllogramet e komandantëve e komisarëve shqiptarë Ramiz Alia, Gafurr Çuçi e Rahman Parllaku (tek të cilët dorëzoheshin partizanët kosovarë, me idenë se u bien në dorë vëllezërve të tyre, siç rezultoi, kainianë), kabllograme të cilët marrin “gjegje aproksimativisht” nga Enver Hoxha (lexo: Dushan Mugosha). Një hekatombë me gjak të pafajshëm shqiptarësh! Këtu nis e thellohet ajo “çarje” e pariparueshme kombëtare, që kishte nisur nga vjeshta e vitit 1943 me prishjen e Marrëveshjes së Mukjes. Gjithçka tjetër që pasoi gjatë e pas Luftës së Dytë, qe një ngrehinë shqiptarocidi mbi fundamentin e krimeve të luftës, tashmë në paqe, siç ia donte e zeza zemër jugosllavëve. E Xhufi, kërkon të shtrojë një kozmetikë mbi fytyrën e masakruar të atdheut tonë, të mos ngrihet perdja e krimeve, të mos dalin përgjegjësit e tyre. Po kjo nuk është e shëndetshme. Ne na duhet e VËRTETA. Ajo është vetëmjaftueshme, pa qenë nëvoja për folje ndihmëse a gjysmëndihmëse të prapagandës enveriste, sikundër është Xhufi me shokë.
2. Z. Xhufi, në makiavelikën e tij e tij të ulët, thebësisht vulgare e banale, përmes pedagogjisë së manipulimit, mashtrimit dhe alibisë, kërkon të theksojë atë që unë sidomos nuk e kam thënë dhe as që mund të imagjonohet edhe në makthin më të keq. Ai bën pyetjen e dytë retorike: “Çfarë duan Tufa me tufë t’i tregojnë botës mbarë? Që shqiptarët s’mund të bëhen bashkë; se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në epokën e barbarisë dhe se, përveç atyre, “antkomunistëve qëndrestarë” gjithë të tjerët (sidomos “jugorët”) janë kafshë me fytyrë njeriu”. Si duket, kjo është metoda e akuzës dhe fajësisë, që ka funksionuar në organizatat e partisë dhe luftës së klasave ku është (de)formuar, kalitur e ngalitur, frymëzuar e selitur personaliteti katastrofik i Xhufit. Kush s’e kupton këtë? Aq më tepër për një si unë që formim ka interpretimin e teksteve. A është nevoja vallë, të pohoj se kurrë, në asnjë rast, në asnjë aludim, nuk e kam shprehur një ide kaq të ulët e të neveritshme? Ne, që patëm fatin të mos rriteshim nën çadrën e PPSH-së, prindërit tanë të thjeshtë, që nuk iu përkulën diktaturës, na kanë mësuar, se vendi ynë nuk është aq i madh, sa të ngremë njërën gjysmë të atdheut kundër tjetrës. E kundërta, po: në idealet tona ne na dhemb qëoftë edhe një pëllëmbë tokë shqiptare nga Tivari e Mitrovica, nga Medvegja e Shkupi, deri në Konicë e Prevezë. Tingëllon kaq qesharake kjo alibi e Xhufit për një si unë, që familjen e tij e ka gjysëm veriore e gjysëm jugore. E sa për cilësorin “injorantë”, më falni për modestinë, por unë e mbuloj kokë e këmbë Xhufin vetëm me librat e botuar deri më tash, të çmuar e të vlerësuar brenda e jashtë atdheut. Ingnorantus (në kuptimin latin të fjalës) është ai që nuk lexon, që nuk dëgjon, që nuk kupton, që nuk mendon, që i ka ngordhur kurreshtja për të vërtetën. Si të sillesh me të?

3. Fjalori i Xhufit është tërësej i kohës dhe shijes së komunizmit, nëse ia hyjmë një procedure “dekonstruktiviste”. Ai më quan “antagonist” (“antagonisti im kryesor”). Shkenca ideologjike komuniste me “antagonist” kishte parasysh dy palë, që të gjitha pikëpamjet i kanë të papajtueshme, klasore, botëkuptimore e me radhë. Deri në vdekje. Me një fjalë, armik i përbetuar. Ruajnë Zot ta kondisideroj unë z. Xhufi, antagonist (aq më pak, kryesor). Unë mendoj se me z. Xhufi na ndajnë botëkuptimet, por nëse ndodh që qenia shqiptare të vihet në rrezik, hamendësoj se, njëlloj si unë, pa asnjë rezervë, do të bënte të njëjtën gjë edhe z. Xhufi në mbrojtje të patries. Kjo është pikëpamja ime, ndonëse shpresa se oponenti im (kurrësesi jo “antagonisti”), pak gjasë ka të përfitojë në rishikimin e pozicioneve të veta. Sepse, mjerisht, përvoja e deritashme më ka sugjeruar, që nëse ti vazhdon të argumentosh me dokumenta, me fakte, me dëshmi, me të gjitha mënyrat që ushqejnë arsyen, mos u lodh: në vend të mirëkuptimit nga oponentit komunist lind gjithmonë, pashmangshëm, MURI. Ti kujton se je duke ushqyer arsyen e mendimin me fakte sistematike, që e ndriçojnë atë, por ajme! Më kot! Regimi botëkuptimor i një komunisti këlthet: Aq më keq për faktet! E kotë kjo punë: ti kujton se po të dëgjojnë, por jo: ndërsa t’i flet, prore e papushim në trurin e një komunisti vërtitet i njëjti “disk” me po ato të vërteta të ngulitura në jetë të jetëve.
4. Z. Xhufi rren “si komunist” kur thotë si i paskam thënë (“këlysh blloku” – “siç ka qef të shprehesh ti” – shtom ai). Le ta dëshmojë këtë Xhufi, të folur apo të shkruar, ndryshe, si quhet një njeri i tillë kur nuk e provon? Një analizë psikoanalitike do t’ia shpërfaqte më mirë rrënjët, sepse mor i uruar, “kur s’ke pula, pse bën ysh?”. Në psikoanalizën e sotme, ka një term (nocion), që e shpjegon mirë këtë natyrë të Xhufit: quhet “egofallocentrizëm”.

MÖBEL THEMA

5. Dhe një sqarim rreth idiomës së Xhufit “djalli fshihet në detaje”, për dy mbiemrat e Xhufit. Unë i kërkova Xhufit ta sqarojë dhe aq, si kundër-reagim i alibisë djallëzore, që vetë Xhufi lëshonte, pa pasur bazë, mbi shkollimin tim dhe ndoshta, për ndonjë frymëzim “prosllav”. Çfaj kam unë pse Xhufit çdo shpifje i kthehet boomerang? E sa për frymëzimin tim “prosllav”, Xhufi përdor armët e shëmtuara të goditjes nën brez. Ai harron se ka të bëjë me nipin e njërit gjysh që ka luftuar me sërbë e malazezë në Tarabosh të Shkodrës dhe të një tjetrit që, në të njëjtin vit, ka luftar për mbrojtjen e Dibrës, përkrah vulnetarëve Elez Isuf Ndreut, e mandej, gjatë pushtimit, ka qenë partizan. Le t’i vërifikojë Xhufi, se nuk janë ngjarje aq të largëta sa mesjeta. Nuk po flas për polemikat e mia në shtypin rus në mars 1999 (njëra me titull “Falsifikimi i historisë – shkas për spastrime etnike”, e përkthyer mandej dhe e botuar në shtypin tonë), e që për këtë arsye, u munduan ta përjashtojnë nga Instituti “Gorki” (kufizuar me “paralajmërim përjashtimi”).

6. Sipas Xhufit unë qenkam një person me rrezikshmëri të madhe për të gjitha krahët, si për të përndjekurit, ashtu dhe për të tjerët, sepse, ndër të tjera, thotë Xhufi “ky njeri po hedh në erë një nga veprat më fisnike e më të vlerësuara botërisht të shqipatrëve, atë të shpëtimit të hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore”. Dhe kujt ia thotë këtë? Bash personit, që në gusht 2012, në qëndrimin e tij në seminarin tetëditor në Auschwitz, mbajti pikërisht 30 minuta ligjëratën qëndrore me materiale audiovizuale mbi shembullin e vetmuar shqiptar të mbrojtjes së hebrenjve. Por Xhufi thotë njërën gjysëm e nuk thotë, se me iniciativën e kujt u shpëtuan hebrenjtë. Populli është një koncept abstrakt, pa kallëzuar protagonistët e asaj ndërmmarrjeje. Nuk i thotë, se s’ia nxë goja, që këtë ta ketë bërë qeveria “kuislinge, kolaboracioniste” shqiptare, me personazhë të tillë si Mustafa Merlika Kruja, Mark Gjomarkaj, Ejëll Çoba, Xhevat Korça, etj., të cilët u shpërndanë hebrenjve nëpër viset e Kosovës ku ishin pasaporta shqiptare me emra myslimanë dhe madje, i sollën në Shqipëri të organizuar, me autobusët e shqërisë italiane SAT. Nuk e thotë as se vetë kjo qeveri “kolaboracioniste” i shpërndau nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë. Të paktën sot ka në shqip një literaturë të bollshme dhe z. Xhufi, po të mos ishte përtac, të kishte lexuar së paku librin monografik të Shaban Sinanit “Hebrenjtë në Shqipëri – prania she shpëtimi” (“Naimi”, 2009). Sipas mentalietit të z. Xhufi, ky lloj kolaboracioni i qeverisë së asaj kohe, duhet mbajtur fshehtë, sepse çdo gjë e saj duhet sharë me kundërvënien dikotomike bardhë e zi. Po kjo është një histori tjetër. Veçse nuk pamë njëherë që sivëllezërit e Xhufit të merren me kolaboracionizmin poshtërues të PKSH-së (PPSH) me jugosllavët, sovjetikët, kinezët, me dreqin e me të birin…

7. Si një argumnt përmbledhës mbi “Auschëitz-in shqiptar, kampin e shfarosjes së Tepelenës. Duhet të dimë një gjë: këtë çështje, tok me krahasimin “Aushvic”, e ka hapur Xhufi, siç e thotë dhe vetë, dhe jo unë. Pra vetë Xhufi ma faturon, pa e artikuluar unë. Meqë e bën vetë Xhufi krahasimin, atëherë mua ç’më mbetet? Të përforcoj krahasimin e tij! Ja krahssimi, natyrisht, me shkallën zvogëluese demografike, por jo cilësore:
– Nazistët i koncentruan hebrenjtë në Aucshwitiz në bazë të një platformës raciste për shfrytëzim e zhdukje;

– Komunistët e Enver Hoxhës i koncentruan familjet e mëdha nacionaliste të Veriut (mandej dhe të jugut) në Turan-Bënçë për t’i shfrytëzuar si skllevër dhe për një zhdukje të ngadaltë, çka konfirmohet nga dëshmitë;
– Nazistët i mblidhnin hebrenjtë pa dallim, familjarisht;
– Komunistët shqiptarë merrnin familjet e kundërshtarëve, të paftë e të pambrojtur (foshnja, fëmijë, gra e pleq);
– Puna në kampet naziste, nuk krahasohet dot më bartjen e një gjysmë metro kub drush për grua në një distancë 7-10 km faqe mali, as me hapjen e kanaleve, e punë të tjera të rënda nga 16 orë;
– Nazistët u jepnin rroba hebrenjve (Pelixhet, palltot, pizhamat me vija), komunistët shqiptarë, jo;
– Kushtet e jetesës në kapanonet naziste prapë ishin prapë më mirë se sa në kampin e komunist shqiptar Turanit dhe Bënçës;
– Nazistët gjithë gjenocidin ia bënin një kombi tjetër;
– Komunistët shqiptarë ua bënin shqiptarëve;
– Nazistët nuk i dhunonin (rrihnin) dhe nuk i përdhunonin hebrejkat;
– Komunistët shqiptarë, siç dëshmojnë dëshmitarët (që përputhen me raportet e CIA-s dhe OKB-së), edhe dhunonin (rrihnin) edhe i përdhunonin (çnderonin);
– Nazistët e Aucshwitiz-it e kampeve të tjera, po, i dërgonin hebrenjtë në gaz e krematorium;
– Komunistët shqiptarë nuk kishin gaz e krematorium; ata i mbanin si skllevër këto familje që të vdisnin në kushte natyrore nga uria, sfilitja dhe epidmitë. Kush të mbijetonte, të mbahej në cilësinë e pengut, derisa diktatura të ndjehej e sigurtë në slang-un e vet;
– Nazistët i kryen të gjitha këto krime të pashëmbullta gjenocidi mbi hebrenjtë në një kontekst (fjalës “kontekst” përpiqen t’i mveshin një funksion mistik z. Xhufi dhe bashkëmendimtarët e tij), pra, në kontekstit e pikut të luftës së Dytë Botërore;
– Komunistët shqiptar e ushtruan gjenocidin e tyre mbi bashkatdhetarët jashtë çdo konteksti lufte, në Paqe.

8. Ka një dallim: “Bibla” e versionit të Xhufit thotë, se kampi i përqendrimit të Tepelenës me të internuarit nga familjet e mëdha të Veriut, erdhi si reaksion i ngjarjeve pas prishjes së PKSH me Jugosllavinë, më 1948, për shkak se të prindërit e këtyre familjeve përdoreshin si “banda” terroriste kundër Shqipërisë. E në këtë logjikë të tij, qeveria shqiptare u internoi familjet në kampet e Turanit dhe Bënçës, në Tepelenë. Ky është një mashtrim i vetëdijshëm, i paskrupullt, që ka për qëllim induktimin e fajësisë historike mbi këto familje patriotike të Shqipërisë. Nuk e di pse nervozon Xhufin fisnikëria shqiptare qoftë e Veriut, qoftë e Jugut. Me gjasë, historia morale e Shqipërisë fillon për të me ardhjen në skenë të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist.
Por unë, duke iu përmbajtur të vërtetes, kam theksuar disa herë, ndryshe nga ç’ia ka ënda Xhufit, se këto familje fisnike e patriotike të Veriut, që kishin një përvojë të hidhur luftrash me sllavët në mbrojtje të atdheut, ishin ajka nacionaliste antijugosllave, të cilët u internuan pa asnjë provë fajësie nga regjimi pro-jugosllav i Enver Hoxhës, jo në vitin 1949, siç këmbëngul Xhufi, por në vitin 1945. Është po ky kontigjent të internuarish, peng terrorist i tipit Al-Qaeda, gjithsej ferrishte, kalamaj, gra e pleq (çka s’ka qenë në konstruktin etnopsikik të shqiptarit) që u vendosën në Berat (kala) dhe Kuçovë (me lëvizje sezonale si skllevër pune), të cilët në vitin 1949 u dërguan në Turan, e mbas afro 6 muajsh, i zbritën në ish-kazermat italiane të Bënçës. Ja, pra, trajektorja e saktë e historikut, pa asnjë të çarë ku mund të fusë hundën diversioniste Xhufi. E pikërisht, në gusht të vitit 1949, kampit mortor të Bënçës i bashkohen dhe qindra familje mirditore, që u dërguan fill pas vrasjes së Bardhok Bibës e masakrës primitive hakmarrëse të Valmerit (më 14 burra të pushkatuar, pa gjyq, të hedhur bashkërisht në një gropë). Sigurisht, pas vitit 1951 aty vijnë shumë familje të tjera nacionaliste nga krahina të Jugut (20 familje nga Dukati i Vlorës), siç dëshmon me rrëfime e vizatime autori ynë i mbijetuar nga ky kamp, z. Musa Çapani. Toka të përmbyset, nuk ndryshon ky fakt që gjendet si në dokumentat e shtetit komunist, ashtu dhe në raportet e CIA-s. Të mos flasim për qindra dëshmitarët e mbijetuar.

Duke e përfundur këtë kundërpërgjigje (të fundit) me Xhufin – shpifës për nga sajesat, të lodhur për nga argumentat, dembel e të palexuar rreth çështjes, kontradiktor për nga logjika dhe tepër grotesk e qesharak për nga patosi, më vijnë ndërmend sofistët e lashtë grekë, të cilët, sapo e kapnin kundërshtarin e tij në kundërthënie, i kthenin shpinën dhe nuk e përfillnin më në jetë të jetëve. (Kundërpërgjigje Pëllumb Xhufit)

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/ke-shqeteson-e-verteta-mbi-auschwitz-in-shqiptar-te-tepelenes-521616/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Comments