Kosnett në Vetëvendosje për të mësuar ku kanë shkuar bisedimet me LDK’në për krijimin e Qeverisë

57

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media dërguar nga Vetëvendosje, ku shkruhet se të pranishëm ishin edhe nënkryetari i VV-së Besnik Bislimi, këshilltarja politike e Kosnett, Jessica Long dhe shefja e Sektorit Ekonomik në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, znj. Lori Michaelson.

Në njoftim thuhet se Kosnett është interesuar për ecurinë e bisedimeve për krijimit të Qeverisë së re.

“Në këtë takim, z. Kosnett shprehu interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para. Shefja e Sektorit Ekonomik në këtë ambasadë, znj. Michaelson, vuri theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend duke shprehë interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim”, bëhet e ditur.

MÖBEL THEMA

Tutje, theksohet se Kurti e ka njoftuar Kosnettin për ecurinë pozitive të takimeve me LDK-në, duke u shprehur i bindur se së shpejti do të formohet qeveria e re.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin z. Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Prioritet, tha ai, do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik. Përpos luftës ndaj korrupsionit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete”, thuhet në komunikatë.

Kosnett është takuar sot edhe me kandidaten për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmanin./GazetaExpress/

Comments