Kosova fiton minimalisht ndaj Moldavisë për t’i dhënë fund serisë me rezultate negative

75

Ka ardhur më në fund fitorja e parë e Kosovës në vitin 2020. ‘Dardanët’ janë përkujdesur të mbyllin me fitore sezonin e dytë të Ligës së Kombeve, duke e mposhtur 1:0 Moldavinë në ‘Fadil Vokrri’, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

Skuadra që u drejtua nga Muharrem Sahiti në këtë ndeshje, dominoi mysafirët nga Moldavia që nga minuta e parë e ndeshjes, por nuk arriti të shënonte me shumë se një gol.

Ishte Lirim Kastrati realizatori i vetëm i këtij takimi. 21 vjeçari shënoi në minutën e 31-të të takimit, shkruan lajmi.net.

Kosova në këtë ndeshje u desh të bëjë një zëvendësim të detyrueshëm, me Amir Rrahmanin që pësoi një lëndim, i cili i la vendin Fidan Alitit.

Minutat e fundit të ndeshjes Kosova i zhvilloi me një lojtar më pak, me Ibrahim Dresevic që u ndëshkua me karton të kuq.

Vlen të ceket se siguri të madhe në këtë ndeshje Kosovës i dhuroi edhe kapiteni Samir Ujkani, që bëri disa pritje të mira, sidomos në pjesën e parë.

Me këtë fitore, Kosova numëron 5 pikë dhe renditet në vendin e tretë në grup, për të mbetur në Ligën C edhe për sezonin e ri./Lajmi.net

Comments