Kosova rrezikon të kthehet në pikën zero për anëtarësim në BE dhe liberalizim të vizave

129

Këshilli i Bashkimit Evropian vazhdon ta kritikojë Kosovën për mospërmbushje të kritereve për anëtarësim dhe liberalizim të vizave.

Në kuadër të procesit të zgjerimit dhe të stabilizim-asocimit, Këshilli i Bashkimit Evropian pritet që të miratojë konkluzat, përmes së cilave u bëhet thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që në mënyrë urgjente të bëjnë ndryshime në reforma të administratës dhe të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në këtë konkluzë, përkatësisht në draftin për Kosovën, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, kërkohet nga institucionet kosovare që në mënyrë urgjente ta përmirësojë sundimin e ligjit, të angazhohet më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe i kërkohet Kosovës që të bëj ndryshime në administratën publike.

Por, përveç këtyre problemeve, në këto konkluza përkatësisht në draftin për Kosovën, nuk paraqitet asnjë ndryshim apo ndonjë gjë e re në lidhje me liberalizimin e vizave.
Në këtë draft vetëm përsëritet se “Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet se “propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill” dhe rikujtohet se Komisioni Evropian kishte propozuar qysh në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.

Mirëpo të gjitha këto mospërmbushje të kritereve nga ana e Kosovës dhe të cilat janë nënshkruar nga vetë ajo, nga njohësit e këtyre zhvillimeve po shihen si kthim mbrapa në procesin e anëtarësimit dhe liberalizimit.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë për lajmi.net, se në tre vitet e fundit Kosova ka shënuar regres në fushat kryesore që ndërlidhen me procesin e integrimit evropian.

“Së paku në tre vitet e fundit Kosova ka shënuar regres të jashtëzakonshëm në fushat kryesore që ndërlidhen me integrimin evropian, ku hyjnë sundimi i ligjit, të drejtat dhe liritë themelore dhe administrata publike. Skandalet e një pas njëshme në këto fusha nga qeveritë e kaluara, ku dominon mungesa e vullnetit politik në nivel të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit për të qeverisur mbi bazën e parimeve të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, instalimin e kulturës së pandëshkueshmerisë, nepotizmit dhe mungesës së rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, konfiskimit të pasurisë”, ka thënë Miftaraj për lajmi.net.

Sipas Miftarjat, problemet dhe dështimet në politikën e brendshme të Kosovës kanë ndikuar edhe në proceset integruese.

Miftaraj thotë se ky raport i Këshillit të Bashkimit Evropian është alarmi i fundit për Kosovën.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

“Dështimet e Kosovës në politikën e brendshme janë të përmbledhura në një faturë, ku tanimë popullit të Kosovës në mënyrë të vazhdueshme po i mohohet e drejta për prosperitet, e drejta për ti realizuar të drejtat që i ka të garantuara me Kushtetutë, duke zbehur perspektivën dhe të ardhmen. Përderisa, BE-ja në mënyrë të vazhdueshme përmes raporteve janë duke e informuar qeverinë e Kosovës për dështimet e saj, ky raport i fundit është alarmi i fundit ku Kosova tanimë ka dy rrugë, për të ndryshuar qasjen e saj në raport me qeverisjen apo të vazhdojë me qasjen e njëjtë ku Kosova edhe zyrtarisht hyn në rrugën e pa-kthim ku integrimi evropian më nuk është interes shtetëror”, theksoi Miftaraj.

Se Kosova ka dështuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, e thotë edhe njohësi i zhvillimeve politike, Rasim Alija.

Sipas tij, Kosova ka dështuar edhe në reformën e administratës, por edhe në gjyqësor.

Alija theksoi për lajmi.net se vetë fakti që në Kosovë deri më tani nuk është ndëshkuar ashtu siç është dashur asnjë personalitet politik, por vetëm janë hedhur poshtë aktakuzat apo edhe janë marrë vendime për lirim me kusht, kjo gjë ndikon shumë në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

“Indikatori më i mirë në atë çka është potencuar në këtë dokument është indikatori i reformës së agjendës evropiane. Pra asnjë prej pikave që janë në agjendën për reforma evropiane nuk janë realizuar duke përfshirë këtu reformimin që është dashur ose të paktën të tentohet të bëhet e që janë derdhur milionat e Bashkimit Evropian në reformën e administratës publike, kjo nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur as në “Qeverinë Haradinaj”, mirëpo nuk ka ndodhur as në “Qeverinë Kurti” e “Qeverinë Hoti”, edhe pse “Qeveria Kurti”, ka qenë vetëm 52 ditë mirëpo nuk ka ndodhur në asnjërën prej qeverive. Kemi parë tentativa anemike nga qeveria që ta çoj tutje këtë proces mirëpo nuk ka ndodhur. Në anën tjetër i kemi indikator tjetër sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë aktakuzat që ngrihen. E keni parasysh se të gjitha raportet edhe të organizatave ndërkombëtare mirëpo edhe të OJQ-ve të organizatave të Kosovës, organizatave lokale dhe atyre në qendër, të gjithë indikatorët janë që nuk kemi pasur asnjë aktakuzë, në fakt kemi pasur aktakuza të ngritura mirëpo, kanë përfunduar me dënime me kusht ose edhe hudhje poshtë të aktakuzave sa i përket figurave politike. Pra ky është indikatori i dytë. Indikatori i tretë është që shumë pak ka bërë qeveria edhe në kuptimin e adresimit sa i përket zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht se ka pasur përpjekje mirëpo nuk kemi pasur reformë, e sidomos Ligji për financimin e subjekteve politike. Pra asnjë pikë e agjendës për reforma evropiane nuk është realizuar dhe padyshim që kjo ka reflektimin e vet pastaj edhe në rekomandimet që i jep Këshilli i Evropës mirëpo bllokon edhe procese të tilla”, ka theksuar Alija.

Sipas tij përveç procesit integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian, kjo ndikon direkt edhe në liberalizimin e vizave, pasi që siç u shpreh Alija për lajmi.net, institucionet kosovare nuk kanë dëshmuar në asnjë rast që të plotësojnë këto kritere.

“Dhe padyshim që kjo lidhet edhe me liberalizmin e vizave. Sepse në një vend ku mbizotëron krimi i organizuar dhe korrupsioni, e ku traditë është mosndëshkueshmëria e figurave me peshë politike pa marrë parasysh pse dihet dhe faktohet që ata kanë bërë vepra ose i kanë shkelur ligjet, ose kanë bërë vepra të caktuara dhe kjo kultura e mosndëshkimit të këtyre figurave ose lirimi i tyre me kusht, ose hudhja komplet poshtë e aktakuzave është edhe sinjal tjetër pastaj edhe për kapje të gjyqësorit dhe prokurorisë. E gjithë kjo pastaj ka reflektimet e veta dhe pasojat e veta edhe në adresimet që bën edhe Këshilli i Evropës mirëpo edhe çdo institucion i Bashkimit Evropian. Nuk mund tash ta shohim ndarazi procesin e liberalizimit të vizave me luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit sepse mbi të gjitha është një parakusht që nuk ke arritur të jesh shtet ligjor e funksional dhe mbi të gjitha një prokurori dhe gjyqësi të pa kapur dhe të pakorruptuar dhe këtu ka dështuar Kosova me e dëshmua këtë dhe padyshim se jemi në realitetin e ri ose në fazën ku jemi sepse të gjitha shtet që na rrethojnë dhe me ato të cilat kufizohemi e kanë liberalizmin e vizave, ndërsa Kosova nuk e ka. Pavarësisht se është një dozë e skepticizmit edhe karshi Bashkimit Evropian në kuptimin që ka shkuar në ndërkohë rregulla të reja dhe kushte të reja sa i përket procesit të liberalizmit, mirëpo këtu është “triku” që është bërë nga klasa politike ose nga ata që kanë qenë në pushtet sepse i është dashur një luftë të pandalshme dhe të pakompromis karshi krimit të organizuar dhe korrupsionit që mbi të gjitha të ketë argumente të mjaftueshme që ta mbështesin edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian që kanë skeptike si Franca dhe Holanda, t’i mbështesin dhe të mos kenë argumente që do të mund t’i përdornin karshi nesh për mosdhënien e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave”, u shpreh Alija.

Por siç theksoi Alija, rreziku më i madh është që Kosova të kthehet në pikën zero në procesin e integrimeve evropiane dhe në procesin e liberalizmit të vizave pasi që nuk po e përmbush asnjë kriter.

Alija thotë po ashtu për lajmi.net, se e gjithë kjo vije për shkak të ndërrimit të shpeshtë të pushteteve dhe se prioriteti kryesor i politikës kosovare nuk po tregohet se është anëtarësimi në BE dhe liberalizimi i vizave, por zgjedhjet parlamentare, lokale si dhe zgjedhja e presidentit.

“Absolutisht që po. Jo vetëm kjo, por edhe ndërrimi i shpeshtë i pushteteve ka bërë që shumica e këtyre reformave me u rikthye në pikën zero. Sepse e kemi kulturë politike ose traditë politike që kur të ndërrohen pushtetet, kur të vije një qeveri i rikthen të gjitha ligjet në pikën zero duke mos i marrë ato ligje dhe t’i çoj tutje ose t’i fillojë apo nisë prej aty ku i ka lënë qeveria paraprake sepse e kanë atë mundësi. Mirëpo çka ndodh është që ndërrohen grupet punuese edhe ndërrohen konsulentët dhe mbi të gjitha nis procesi prej fillimit i hartimit të ligjeve. Kjo ka bërë që me ndërrimin e shpeshtë të qeverive dhe jostabilitetin demokratik të institucioneve me u rikthye gati çdo dy vit secila reformë dhe secili ligj në pikën zero dhe padyshim kjo e ka dëmtuar pastaj edhe afatin kohor kur është dashur me u realizua ose skemën kohore që ka qenë si kusht me u realizua reforma dhe mbi të gjitha me u plotësua këto kritere. Në situatën aktuale ku jemi, unë nuk shoh dritë ose sinjale pozitive në plotësimin e këtyre kritereve sepse aktualiteti politik i brendshëm i Kosovës është aq i trazuar sa prioritet asnjë nuk i kanë asnjërën prej këtyre reformave. Pra prioriteti i tyre edhe për një vit të ardhshëm do të jenë zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet lokale, zgjedhja e presidentit dhe i len komplet në hyje këto reforma ose kushtet që do të duhej të plotësoheshin kriteret ose të paktën një dinamizëm karshi këtyre kushteve dhe kritereve që i kemi edhe i kemi pranuar dhe nënshkruar brenda reformës ose pakos agjendave për reformë evropiane”, theksoi Alija. /Lajmi.net/

Comments