Krerët e Bashkësive Fetare urojnë besimtarët muslimanë për muajin e Ramazanit

62

MÖBEL THEMA

Krerët e Bashkësive Fetare Islame në Maqedoni dhe Kosovë dërguan sot mesazhe urimi për besimtarët muslimanë me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i BFI-së Rexhepi në mesazhin e tij thekson se “Muaji i Ramazanit është muaj i veçuar nga ana e Allahut xh.sh., e ka veçuar me shumë ngjarje të bekuara, me shumë raste e ndodhi të cilat kanë bërë që njerëzimi të sheh dritë, ta prekë paqen, mirëqenien, ta shijojë lumturinë dhe rehatinë!”.

Kreu i BFI-së më tej thekson se gjatë agjërimit duhet të jemi të pastër. “Besimtarë të dashur, gjatë muajit të agjërimit duhet të jemi sa më të pastër e të çiltër pranë Zotit të Plotëmëshirshëm. Nuk ka sihariq më të mirë se sa kur do të na drejtohet vetë Allahu Fuqiplotë: “Selamun Alejkum, qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty jeni përgjithmonë” (Zumer, 73). Nuk mund të na pranojë Zoti pranë vetes nëse tërë kohës ia mendojmë njeri tjetrit të keqen, nëse e nëpërkëmbim dinjitetin e fqiut tonë, nëse nuk jemi të sjellshëm me prindërit tanë, me jetimët”.

Rexhepi në fund uroi që ky muaj të na gjejë sa më të përgatitur shpirtërisht, sa më të devotshëm dhe të vullnetshëm në kryerjen e lutjeve dhe obligimeve fetare.

Kryetari i BIK-ut të Kosovës, Tërnava i në mesazhin e tij thekson se “Agjërimi për besimtarët është një ibadet që bart në vete përkushtimin, vendosmërinë, bindjen, urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin, vlera këto që e ekuilibrojnë njeriun, e fisnikërojnë shoqërinë si dhe ndikojnë në reflektimin për hyjnoren, njerëzoren e humanen”.

Duke shprehur se përmes agjërimit besimtari shpreh më së miri mirënjohjen, bindjen e sinqeritetin ndaj Krijuesit, Tërnava tha se “Ky ibadet bëhet vetëm për të, me bindjen e plotë që krijuesi do të shpërblejë në botën tjetër. Për këtë Allahu xh.sh. në Kur’Anin fisnik thotë: Muaji i Ramazanit është ai në të cilin zbriti Kur’ani që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues, prandaj kush e arrin prej jush këtë muaj le të agjërojë”.

Duke rikujtuar që Ramazani i sivjemë e gjen Kosovën në një proces të rëndësishëm, pra në zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të mbahen më 11 qershor, Tërnava uroi që gjatë këtij muaji të mëshirës pjesëmarrësit në zgjedhje të zhvillojnë një fushatë dinjitoze e të përgjegjshme.

“Nga procesi i zgjedhjeve dhe nga muaji i bekuar i Ramazanit lutemi që të dalim edhe më unik, më të bashkuar, më të fortë, më të konsoliduar dhe më të përgatitur shpirtërisht dhe institucionalisht”, tha Tërnava.

Comments