Kryeministri dhe Kryeparlamentarja s’kanë thënë asnjë fjalë për Veri, Thaçi ka akuzuar Qeverinë

191

Shefi i Qeverisë së shkarkuar, Albin Kurti dhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ende s’e kanë thënë asnjë fjalë për situatën në Veri të Kosovës pas vendimit për t’i futur dy komuna në karantinë. Ndërkohë, Presidenti Hashim Thaçi ka akuzuar Qeverinë për neglizhencë.

Presidenti Hashim Thaçi akuzoi të shtunën mbrëma Qeverinë e Kosovës se për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë ka dështuar mbrojtja e integritetit territorial të Republikës.

Qeveria reagoi përmes Xheval Sveçles dhe Arben Vitisë, të cilët konfirmuan se gjithçka që ndodhi në Veri ishte në koordinim të plotë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror. E përjashtuan mundësinë që vendimmarrja për këtë pjesë të Kosovës të jetë marrë në Beograd.

Bllokimi i lirisë së lëvizjes në Veri është marrë nga Ministria e Shëndetësisë bazuar edhe në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Në gjithë këtë situatë ka heshtur Kryeministri Albin Kurti.

Zyra e Policisë së Kosovës, në një përgjigje për Express, ka thënë se do të veprojnë në gjithë territorin e Republikës bazuar në ligjet e aplikueshme. S’kanë folur konkretisht se çka do të bëjnë në Veri anipse atje policë të Kosovës po zbatojnë masat e vendosura nga Republika e Serbisë.

MÖBEL THEMA

Asnjë fjalë s’e ka thënë as Nënkryetarja e LDK’ë, Vjosa Osmani, e cila udhëheq me organin më të lartë të Republikës, Parlamentin.

Sidoqoftë, Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë thënë se pacientët me simptoma të rënda të dërgohen në qendrat mjekësore në Nish, Beograd dhe në pjesë tjera të Serbisë, kurse pacientët me shenja të lehta të koronavirusit, të trajtohen në spitalin e Mitrovicës dhe në Qendrën e Studentëve ku do të formohet klinika për pacientët me simptoma të lehta.

Deri tash në Kosovë janë prekur 140 persona me koronavirus, një ka vdekur, kurse 23 janë shëruar. Së pari virusi është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan. Në gjithë botën janë prekur më shumë se një milion njerëz prej kësaj sëmundjeje ngjitëse, prej të cilëve 226 mijë janë shëruar ndërsa 59 mijë kanë vdekur.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.

Comments