Ku janë vendvarrezat e Kaçanikut – Dr. Musli Vërbani

169

Në bazë të historisë, Kaçaniku është një ndër qytetet më të vjetra të Kosovës, ndërsa në bazë të vendvarrezave mund të themi se Kaçaniku është qyteti më i ri i Kosovës.
Ka shumë qytetarë të Kaçanikut të cilët nuk e dinë as varrin e babës apo nënës së vet, e ka të tillë që nuk e dinë madje as varrin e vëllait apo motrës së vet.
Një pjesë të cilët e dinë varrin e vëllait apo të babës, nuk mund të shkojnë t’i vizitojnë për shkak se të shkohet në këto vendvarreza është si të shkohet në pyjet e pashkelura të Amazonës.
Vendvarreza në rrugën “Migjeni” e cila ka qenë mbi shkollën fillore “Emin Duraku” dhe vendvarreza në fund të “Qarshisë së vjetër” janë zhdukur. Edhe pse këto dy vendvarreza kanë qenë vendvarreza me sipërfaqe të vogël, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për vendvarrezën ku është shkolla e mesme “Skënderbeu”. Kjo vendvarrezë, e cila është zhdukur nën themelet e shkollës, përfshinë objektin e shkollës së mesme “Skënderbeu” me gjithë oborrin, bile edhe jashtë oborrit.
Nxënësit e shkollës e dinë se janë të ulur mbi karrige dhe se mësojnë në bankat e shkollës, por nuk e dinë se janë të ulur mbi eshtrat e gjyshërve të tyre dhe nuk e dinë se ecin mbi eshtrat e gjyshërve të tyre sepse kur është ndërtuar shkolla nuk është bërë rivarrimi apo zhvendosja e të varrosurve, por shkolla është ndërtuar mbi varre.
Por, a do ta përjetojë një fat të tillë apo jo edhe vendvarreza e katërt e qytetit (tek pompa e benzinës në hyrje të qytetit) nuk dihet por ajo që dihet është se tani vendvarreza e qytetit të Kaçanikut është bërë pyll i pashkelur.

Comments