KURRESHTJA QË NDALET TE NJË SHKRIM PËR SARAJIN

108

Shkruan: Syrja Etemi

MÖBEL THEMA

Në disponim të atyre pak burimeve të shkruara në gjuhën shqipe për histori të venbanime shqiptare , unë në cilësinë e pasionantit të “mësueses së jetës”, në këto ditë torturuese të karantinës, do të pretendoj të shkëpus pak kohë e t’u qasem shkrimeve të autorëve të huaj në lidhje me të kaluarën e këtyre trojeve tona stërgjyshore, po aq edhe të mbuluara me aureolën e vagëllimtë e pështjellues. Kësaj radhe do të vë në spikamë disa dëshmi materiale e të shkruara, që kanë të bëjnë kryesisht me objekte të kultit që sot i përkasin periferisë së Shkupit, përkatësisht – Sarajit, këtij vendbanimi të lashtë e të ri njëkohësisht – që të duket se akoma kundërmon aromë iliriane. Ajo që më ka rënë në dorë dhe që më ka lënë mbresa në përshkrimin dhe prezentimin e të dhënave për këtë qytet, janë burimet që dalin nga literatura serbo-kroate që, për lajtmotiv kanë Shkupin. E, unë në këtë rast do t’i azhurnoj e ezauroj dy prej tyre: “NARODNA ENCIKLOPEDIJA” – Srpsko – hrvatsko – slovenačka, 1925 dhe “TURSKI SPOMENICI U SKOPLJU” – GLIšA ELEZOVIč,1925. Me këtë rast nuk do të lëshohemi në vlerësimet dhe kualifikimet se a janë ato shkrime të vërteta apo jo, a i nënshtrohen metodologjisë dhe vërtetësisë së saktë shkencore apo jo, por pretendoj që lexuesit shqiptar t’i ofroj materiale të cilat mendoj se do të jenë me interes, sepse, që në fillim iu përmbajtja primesës: “Detyrë imja është ta them të vërtetën e, jo t’i detyroj të tjerët të besojnë në të.”
Në kërkim të dokumenteve të vjetra që flasin për gjeografinë shqiptare , jo vetëm të vendbanimit ku jetoj, në Pjemontin më të lartë gjeta shkrime që flisnin për Xhaminë e Sarajit të Shkupit. Pa dashur të zgjërohem shumë në eksplikimin e të dhënave në këto dokumente, në vazhdim do të shtroj disa akcente simëposhtë:
“Në sixhilet e Shkupit, në një vend, shkrimtari apo evidentuesi ka shënuar kështu:
“Për dy orë ecje në këmbë larg nga Shkupi, në lumin Vardar ka një urë, në fshatin Husein Shah, ku ka xhami në një vakëf të braktisur. Objekti i xhamisë është një ndërtesë e mrekullueshme arqitektonike e artistike. Para xhamisë ka një tyrbe, ndërsa përreth saj qarkojnë varrezat myslimane. Edhe kjo xhami mban emrin: Husein Shah…”
Pakëz më poshtë, në të njëjtin dokument të Sixhilit të Shkupit, është edhe ky evidentim:
“Sipas shënimeve që janë dhënë në sixhile, Husein Shah Beu ka qenë sanxhakbej Karli , i cili, supozohet se ka vdekur rreth vitit 950* të hixhrit.”
Siç po shifet (edhe në dokumenta tjerë), ky vit i vdekjes së Husein Shahut nuk është i vërtetë, ndërsa evidentuesi e ka nxjerrë nga veprat e Mehmed Surejahut: S i xh i l – i – Osmana, libri 2, fq. 183.
Nuk dihet se kur kjo xhami u braktis. Gjithësesi kjo duhet të ketë ndoshur mjaft moti. Në sixhilin e potencuar, përveç zjerash ka edhe kësi shënimesh:
“ Në perëndim të Shkupit, në largësi prej dy orësh në këmbë, në çeltinën e fshatit Husein Shah, në rrugën që çon për në Tetovë, në xhaminë e braktisur ku qëndrojnë dyert dhe dritaret e hapura, gjendet mbishkrimi që dëshmon apo që flet se kur është ngritur ky tempull.”
Në faqen 44 të sixhilit të Shkupit, ka shënim edhe nga viti 1160 (sipas hixhrit) për heqjen e mbulesave të plumbit nga xhamia Husein Shah.
Për ekzistimin e kësaj xhamie, flet mbishkrimi i cili është në një pllakë të gurit të gdhendur dhe mbi hyrjen kryesore të xhamisë ku është i murosur, e, madje është shkruar pas vdekjes së themeluesit. Ky mbishkrim që duket kështu, në përkthim në gjuhën shqipe don të thotë: “Themelin e vëndoi zotëria i përshpirtshëm, Husein Shah dhe e ndërtoi për jetën e tij. Kjo Shtëpi është për ata që falen (luten). Falëmnderit atyre që bëjnë më shumë sevape”. Kësaj xhamie i atribuohet edhe vazhdimi: “Ky është vendtubimi për ata që bëjnë mirë. Shtëpia është për ata që luten”.
Sipas e b xh e d – it apo rishikimit, del se kjo duhet të ketë ndodhur në vitin 961 (hixhri) ose 1553/4. Megjithatë, më vonë, pasi bëhet revidimi i dokumentit apo listës, del se llogaritja nuk është e saktë, dhe se, për këtë, në këndin e djathtë të pllakës, në mbishkrim thuhet: “Nevojtari (I varfri) përmirësoi vitin më 985, që do të thotë: viti 1577/8. Mbi hyrjen kryesore të tyrbes që qëndron në anën perëndimore të xhamisë, përsëri në pllakën e mermertë të murit, është i gdhendur ky mbishkrim, i cili në shqip don të thotë: “Xhaminë dhe medresenë e ndërtoi themeluesi, mirëbërësi, i drejti, zotëri Husein Shah-Beu, i cili është prijës i të përkushtuarve, me qëllim që të përulurit t’i falen Zotit të vetëm. Shpirti i pastër i fluturoi në botën tjetër. Zoti i bëftë vend në Parajsë. Oltarin e ndërtoi pendestari, Fedaija me përkushtimin: “O, Zot i madh i Gjithësisë, përfale!”
Pas ebxhed-it, rishikimit të sërishëm, na del viti 973, që do me thënë, viti 1565/6 .
Prandaj për të justifikuar relevancën e këtyre të dhënave, patjetër të kridhemi edhe në shtruarjen e disa akcenteve të mëvonshme dokumentale të autorëve të fillimit të shekullit XX. Kështu, siç do të shofim mëposhtë, një ndër autorët e këtyre të dhënave, përveç këtyre shënimeve që i paraqitëm, në vijim do të plotësojë: “Miku im, z. Josif Mihajlloviç – arkitekt, më ka dhënë këtë mendim për strukturën dhe vlerën arkitektonike të kësaj themelate të përshpirtshme të Husein Shahut:
“Xhamia në Saraj është një nga shembujt e rrallë të këtij lloji, që është ruajtur në territorin tonë. Si në të gjitha veprat e mirëfillta artistike, bukuria e saj qëndron në thjeshtësinë e elementeve që posedon. Baza është kuadratore. Muret janë volluminoze e që takohen me kupolat tetëkëndore që e mbulojnë. Ka tre radhë hapëluese, prej të cilëve – djathtas – me harqe të gjalla lakues të ndërtuar me tulla dhe gurë të radhitur harmonikisht në të tre anët në formë trekëndëshi, dhe të cilët me dimensionet apo përmasat e tyre edhe më shumë e përforcojnë stabilitetin e ndërtesës. Lëshimi i vogël I kurorës kryesore të mbuluar me qeremide apo tjegulla, është element unikal arkitektonik. Në muret e rrafshta të gurit të holluar nuk ka asgjë më tepër për t’u pikasur. Përgjatë krejt kësaj kongruence dhe kontrasti evident, qëndron minarja nazelie me masivitetin e shtesës tjetër të ndërtesës, e që të japin një përshtypje të këndshme, deri sa edhe njohësit më të shquar të detaleve nuk mund lehtë t’ua dallojë syri. Ky objekt mahnitës arqitektonik, i cili, përveç kësaj shquhet edhe me konstruksionin e tij të brendshëm, nuk të lë indiferent, por rishtazi të tërhjek vëmendjen, sepse kalimi nga kuadrati në kupolë nuk është realizuar përmes pandativit, por përmes aneksit”.
Të vazhdojmë më tutje në përqasjen e shënimeve të shtruara në dokumentet që i përmendëm:
Si xhamitë tjera të vjetra, edhe kjo ka pasur vakufin e vet, i cili nga herë është shuar apo zhdukur pa gjurmë, ndoshta që atëherë kur është braktisur me rastin e depërtimit të ushtrisë austriake nën udhëheqjen e Pikolominit apo nga ndonjë rast tjetër të fatkeqësisë.
Si u përmend edhe më lartë, ky monument që moti është braktisur. Në rrethanat e sotme, kjo xhami dhe shumë objekte tjera sakrale, sot rezultojnë të humbura, përkatësisht: të zhdukura. Projekti apo skica e hekurudhës: Shkup – Tetovë, që do të parashifet të kalojë afër mureve të xhamisë, duhet të jetë ndoshta edhe faktor që ky objekt fetar të neglizhohet e të lihet në mëshirën e askujt.
Nuk është i së njëjtës vlerë arqitektonike edhe tyrbja përpara xhamisë, e cila është e ndërtuar më vonë se xhamia, por kësaj radhe jo nga mjeshtër gjithaq të përgatitur e të aftë. Prandaj në ndonjë rast tjetër do të flasim edhe për tyrben në fjalë.

Comments