Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është deklaruar se me 15 mars të këtij viti do të fillojë ta largojë tarifën 100 përqind të vendosur ndaj shtetit të Serbisë, njofton Klan Kosova.
Ai në një konferencë për media u shpreh se pas këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës ajo e Serbisë duhet të zotohet se do ta ndërpres fushatën për çnjohje ndaj Pavarësisë së Kosovës, dhe të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore.
“Më lejoni të përkujtoj pjesën e fundit të paragrafit të tretë të deklaratës së përbashkët të shteteve të QUINT-it, ku janë qeveritë e Shteteve të Bashkuara, të Francës, të Gjermanisë, të Italisë dhe të Britanisë së Madhe, e cila është publikuar më 13 gusht e thuhet se për heqjen e pengesave dhe rifillimin e dialogut Kosovës i duhet heqja e taksës ndaj Serbisë dhe Serbia duhet të ndërprejë fushatën kundës njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.
“Vendet e QUINT-it janë ato të cilat e kanë kërkuar një gjë të tillë. Pra monitorimi i fushatës së Serbisë për mos njohjen e Kosovës do të monitorohet nga Kosova, SHBA-të dhe BE-ja”, ka thënë Kurti.