La pas 6 engjëj, kush është nëna e re nga Kukësi që ndërroi jetë gjatë lindjes?

127

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Spitalin Rajonal të Kukësit.39-vjeçarja Nurie Poçi ndërroi jetë së bashku me foshnjën që mbante në bark si pasojë e hemorragjisë gjatë lindjes.
Ajo do të sillte në jetë fëmijën e 7-të, ndërkohë që ishte nënë e 6 vajzave.

Mjekët kanë bërë me dije se 39-vjeçarja u paraqit në spital në gjendje të rëndë dhe u diagnostikua në gjuhën mjekësore me “Fetus Morti”.

Ata shpjeguan se nëna e re kishte tentuar disa herë në shtëpi të dëmtonte fetusin dhe kjo i ka shkaktuar vdekjen asaj dhe foshnjës ende në bark.

Shkaku që e kishte çuar nënën e re të dëmtonte foshnjen dhe veten e saj ishin problemet e rqnd sociale dhe ekonomike në të cilat ajo gjendej.

Report TV ka publikuar një kronikë në janar të vitin 2016 ku tregon rreth kushteve të saj tepër të vështira të jetesë, së bashku me 6 vajzat e vogla.

Poçi ishte shprehur se jetesa me 19 mijë lekë në muaj të cilat i përfitonte nga një pension dhe ndihma sociale ishte shumë e vështirë. Ajo thoshte se 13 mijë lekë i përdorte vetëm për të paguar qiranë e shtëpisë dhe energjinë elektrike.

Por veç mjerimit në të cilin jetonte, tani Poçi dhe vajzat e saj kanë pësuar edhe këtë dramë, ku 6 vogëlushet kanë humbur nënën së bashku me foshnjen e saj të 7-të.

REPORTAZHI PARA DY VITESH

Temperaturat e ulëta te janarit, ia bëjnë edhe më të vështirë jetesën 6 vajzave të vogla dhe nënës së tyre Nurie Poçit. Ata jetojnë në një banesë me qira në qytetin e Kukësit në kushte shumë të vështira dhe pa ushqim.

Nurie Poçi thotë se jetesa me 19 mijë lek në muaj të cilat i përfiton nga një pension dhe ndihma sociale është shumë e vështirë. Ajo thotë se 13 mijë lekë i përdor vetëm për të paguar qiranë e shtëpisë dhe energjinë elektrike.

Ndërsa në këtë kohë i ka marrë lëndë drusore me lekë borxh për të ngrohur sadopak ambientin e kësaj ngrehine, për të cilën paguan një qira të konsiderueshme në raport me kushtet që ajo ofron.

Poçi thotë se fëmijët flenë herë të ngrënë e herë të pangrënë, pasi varfëria dhe skamja janë ulur këmbëkryq në vatrën e kësaj familje.

Gruaja i bën apel instancave shtetërore që ta ndihmojnë sadopak me një banesë provizore, pasi nuk ka mundësi për të paguar qiranë.

6 vajzat të cilat jetojnë vetëm me të ëmën pasi babai i ka ndërruar jetë para disa kohësh, nuk shkojnë në shkollë pasi nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë librat dhe mjetet shkollore.

Vogëlushet rrëfejnë se si ndihen kur shohin bashkëmoshataret e tyre që shkojnë në shkollë në një kohë që kjo gjë për ta është luks.

Në këto ditë të ftohta, 7 femrat e familjes Poçi në Kukës nuk kanë mundësi tjetër veçse të shpresojnë te humaniteti i pushtetit vendor.

Comments