Lajmërohet Isa Mustafa, flet për koalicionin me VV-në

653

Uebfaqja e KQZ-së ka bërë të ditur sot se janë numëruar 100 për qind të votave të rregullta nga zgjedhjet e 6 tetorit.

E bazuar në rezultatet përfundimtare Vetëvendosje prin me 25.48 për qind të votave apo 202 mijë e 968 vota, derisa LDK-ja është e dyta me 24.82 për qind të votave apo 197 mijë e 702 vota.

E treta është PDK-ja me 21.24 për qind apo 169 mijë e 211 vota. Koalicioni AAK-PSD është subjekti i katërt me 11.57 për qind apo 92 mijë e 149 vota. Nisma-AKR-PD është në “teh” të pragut zgjedhor prej 5 për qind. Ajo deri tash ka 39 mijë e 495 vota apo 4.96 për qind.

Lidhur me rezultatin tepër të ngushtë në mes të dy partive Vetvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është lajmëruar i pari i kësaj të fundit, Isa Mustafa, përmes një statusi në Facebook, shkruan Gazeta Observer.

Teksa Mustafa ka folur për përkrahjen e madhe të qytetarëve që i dhanë partisë së tij dhe ndëshkimit që i bënë atyre që keqqeverisën, ai foli edhe për takimin që do të ndodhë së shpejti me të parin e LVV, Albin Kurtin për mundësitë e bashkëqeverisjes.

Ky është statusi i plotë i Isa Mustafës në Facebook:

Qytetarë të nderuar

Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq.

Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave.

Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së. IM /Gazeta Observer

Comments