Lajmi për aktakuza nga Haga, shpërthejnë deklaratat për tradhti e kërcënime

170

Në Gjykatë Speciale është bërë deponimi i aktakuzave të para, që thuhet se janë ngritur për nivelin e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për pak muaj këta persona mund të dalin para drejtësisë në Hagë. Në vend ndërkaq kanë filluar akuzat për bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ato i bëri Nasim Haradinaj në adresë të familjarëve që po kërkojnë drejtësi. Shpëtim Hajdaraj, djali i Smajl Hajdaraj tha se nënkryetari i organizatës së veteranëve kërcënoi, shkruan Gazeta Express.

Gazeta Express

Pas gati pesë vitesh prej kur në Kuvendin e Kosovës, deputetët votuan për formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me Seli në Hagë, që zhargon njihet si Gjykata Speciale, janë deponuar aktakuzat e para.

Për këtë dje kanë njoftuar Dhomat e Specializuara nëpërmjet një njoftimi për media.

“Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren për Caktimin e Gjykatësve të Dhomave të Specializuara nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar. Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, u tha në njoftimin e djeshëm.

Ani pse deponimi i aktakuzave është bërë, procesi mund të mos fillojë menjëherë.  Kjo pasi që gjykatësi i procedurës paraprake që caktohet  ka kohë deri në gjashtë muaj që të marr vendimin për konfirmimin ose jo të aktakuzës.

Vetëm vitin e fundit qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare u ftuan për intervistim nga prokurorë të Speciales, prej tyre edhe krerët më të lartë të luftës së fundit. Mirëpo, nga organizatat e dala nga lufta, nuk e dinë se kush mund të jenë personat e parë për të cilët mund të jetë dorëzuar aktakuza.

Kështu ka deklaruar sot gjatë ditës për Gazetën Express, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

“Vetë ngritja e aktakuzës nuk do të thotë fajësi. Ne nuk bashkëpunojmë me Gjykatën Speciale dhe nuk besojmë në të”, thotë Haradinaj.

Megjithëse organizatat e dala nga lufta që nga fillimi e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, aktakuzat e para raportohet se janë dorëzuar për dy ish-ushtarë të UÇK-së të profilit të lartë, e ftesat për intervistim kanë vazhduar edhe javën e fundit, madje edhe sot.

Derisa veteranët nuk po besojnë në punën e Speciales, ka disa persona që kanë bashkëpunuar dhe kanë shpresë se më në fund do të zbardhet prapavija e disa vrasjeve.

Njëjtë ka deklaruar mbrëmë edhe vëllai i veprimtarit të LDK-së, Haki Imerit, eksperti i antiterrorizmit, Faik Imeri.

Në emisionin Pressing në Televizionin T7, ai ka thënë se që nga vrasja e vëllait të tij, është marrë në vazhdimësi me ndriçimin e vrasjeve politike. Ai thotë se ka ndërmjetësuar që disa persona të kontaktojnë Gjykatën Speciale, duke i përmendur edhe me emra.

“Unë prej vrasjes së vëllait tim, jam marr në vazhdimësi me ndriçimin e vrasjeve politike në Kosovë dhe kam dhënë sado pak kontribut modest në atë drejtim. Do të thotë një numër ne kemi ndërmjetësuar një far varianti të gjithë ata që kanë pasur dëshirë që të kontaktojnë Gjykatën Speciale, Milaim Zekën, Gani Gecin, Fetah Rudin, Shpëtim Hajdarin etj. Ata kanë pas kontakt të drejtë me prokurorin e Gjykatës Speciale. Ka qenë normale ajo. Kemi dhanë një kontribut të gjatë deri te themelimi dhe ardhja e Gjykatës Speciale. Unë besoj që të gjithë ata që janë të involvuar me organizimin dhe ekzekutimin e vrasjeve do të ballafaqohen me drejtësinë, ka nga ata që janë në pushtet, ka nga ata që janë jashtë pushtetit.  Tash unë nuk di kush është fajtori por, këtë do ta thotë Gjykata Speciale”, tha Imeri.

Ai shton se Gjykata Speciale është duke i trajtuar të gjitha vrasjet, mirëpo, me theks të veçantë ato politike.

“Gjykata Speciale është duke i trajtuar të gjitha vrasjet, me theks të veçantë vrasjet politike. Jo që nuk e njollosë luftën e UÇK-së po e filtrona të, dhe do të mbetet në histori e vërteta rreth luftës së UÇK-së”, tha eksperti i anti-terrorizmit.

“Motivi im është motiv personal i cili është shndërruar në një motiv nacional, kam interes që shtet bërja e Kosovës të bëhet dhe të filtrohet lufta e UÇK-së. Vrasje politike prej vrasjes së Enver Malokut deri te vrasja e Bardhyl Ahmetit mendoj se janë vrasje politike dhe duhet të trajtohet”, ka thënë ai.

Se ka kontaktuar me Gjykatën Speciale ashtu siç tha Imeri, e ka përsëritur në një deklaratë për Gazetën Express sot gjatë ditës ish-deputeti Milaim Zeka.

MÖBEL THEMA

Ai thotë se nuk ka pasur nevojë për ndërmjetësim nga dikush për të kontaktuar me ta, por, që shton se në Hagë ka folur për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Ai ka thanë që ka ndërmjetësu, nuk ka pasë nevojë, unë vet e kam kontaktu Gjykatën Speciale kam fol për vrasjen e Ahmet Krasniqit, kaq është historia.  Ai nuk ka pasur nevojë me ndërmjetësu, para tij njoh plotë njerëz që punojnë në Gjykatë Speciale. Të paktën po foli për veten time, nuk ka pasë nevojë me intervenu për Gjykatë Speciale, as Faiku as kërkush, unë kam pasur kontakt dhe dhe kam kontakte direkte. Rasti ka qenë për Ahmet Krasniqin, unë kam lyp prej kryeprokurorit me u sqaru puna, sepse unë jam akuzu nga Millosheviqi për vrasjen e Ahmet Krasniqit”, ka deklaruar Zeka.

Përveç Zekës, sipas Imerit, Specialen e kanë kontaktuar edhe zyrtari i LDK-së, Gani Geci, deputeti i LDK-së, Fetah Rudi e djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj.

Gazeta Express ka kontaktuar me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudin, mirëpo ai ka deklaruar se momentalisht nuk është i gatshëm që të flasë lidhur me këtë temë.

“Nuk jam i gatshëm të flas njëherë lidhur me këtë. Herave tjera besoj”, ka deklaruar Rudi.

Në anën tjetër, djali i ish-deputetit Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj i ka reaguar deklaratat e bëra nga Nasim Haradinaj duke thënë se deklarata e tij se një grup i afërt me LDK-në po punon me Specialen është një gënjeshtër.

“E vërteta është se janë me dhjetëra familje që po kërkojnë arrestimin dhe dënimin e vrasësve të familjarëve tanë. Ata u vranë sepse ishin aktivistë, deputetë, funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), disa prej tyre edhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jo të krahut vëllavrasës. Deklarata e palaço-filozofit është joetike, e papërgjegjshme dhe cinike. Madje kjo deklaratë është kërcënim direkt i dëshmitarëve dhe tentim për të sabotuar drejtësinë. Po ashtu kjo është një përpjekje për të na frikësuar edhe neve familjarëve që të mos kërkojmë drejtësi për më të dashurit tanë. Po bëhen 20 vjet nga vrasjet e rënda që ndodhën pas luftës dhe siç kanë dëshmuar edhe shumë raporte të organizatave për të drejtat e njeriut, në Kosovë është toleruar frikësimi i dëshmitarëve dhe është pamundësuar ndjekja penale e vrasësve. Kjo është arsyeja që bashkësia ndërkombëtare ka insistuar në krijimin e një gjykate të veçantë për të ndjekur ata që konsiderohen të paprekshëm për shkak të pushtetit politik që kanë pasur që nga përfundimi i luftës. Turp është të pengohen hetimet, nuk është turp, por obligim i shoqërisë që të kërkojë ndriçimin e një kapitulli të errët e të përgjakshëm të historisë së Kosovës”, thotë ai.

Në anën tjetër, edhe Gani Geci tha se ajo për të cilën ka folur Faik Imeri, është “Thirrja për Drejtësi”, e që interes i tij specifik ka qenë për të zbuluar prapavijën e komunikatës 59.

“Faiku nuk e ka pas fjalën për një grup po thirrja për drejtësi, është normale që janë marrë me zbulimin, ndërsa, unë jam marrë konkretisht me zbulimin e rastit tem komunikatën 59”, ka deklaruar ai.

Deri tani më shumë se200persona janë thirrur për intervistim nga Prokuroria Speciale, përfshirë këtu edhe ish-eprorë dhe ushtarë të UÇK-së.

Sipas Nenit 39, në Ligjin për  Dhomat e Specializuara, Gjyqtari i procedurës paraprake e shqyrton aktakuzën kur është i bindur se prokurori i specializuar e ka përcaktuar ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë, gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën. Kur nuk është aq i bindur, aktakuza ose akuzat që ajo i përmban hedhen poshtë. Prokurori i specializuar nuk përjashtohet nga kërkesa pasuese për konfirmimin e aktakuzës nëse kërkesa mbështetet me prova shtesë.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të dhomave të Specializuara të Kosovës, para konfirmimit të aktakuzës, kryetari cakton një gjykatës të procedurës paraprake për kryerjen e funksioneve të përcaktuara sipas nenit 39 të ligjit.

Aty saktësohet se gjykatësi i procedurës paraprake merr vendim të shpejtë lidhur me kërkesat e Prokurorit të Specializuar që kanë të bëjnë me kryerjen e hetimeve.

Tutje, theksohet se gjykatësi i procedurës paraprake parashikon një datë për vendimin e vet, që nuk është më vonë se gjashtë muaj nga dorëzimi i aktakuzës dhe materialit mbështetës.

Në qoftë se gjatë një hetimi, Prokurori i Specializuar bindet se ekziston dyshim i bazuar mirë se një i dyshuar ka kryer, ose ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar informon Kryetarin i cili cakton një gjykatës të procedurës paraprake në pajtim me nenin 33 të ligjit.

Pas konfirmimit të aktakuzës, administratori i dorëzon personalisht aktakuzën të akuzuarit. Administratori i dorëzon të akuzuarit një kopje të legalizuar të aktakuzës, si edhe një përkthim të aktakuzës në një gjuhë që i akuzuari kupton dhe flet. Pas konfirmimit prej Gjykatësit të procedurës paraprake, aktakuza bëhet publike në rrethana të posaçme në rast se Prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme.

Në zbatim të urdhër arrestit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e specializuara, personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuza merret në ndalim (nëse nuk është në paraburgim),  informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara. Nëse nuk është lëshuar fletarrestimi dhe nëse është në liri, i akuzuari thirret për t’u paraqitur personalisht ose përmes video lidhjes në shqyrtimin fillestar para Dhomave të Specializuara./GazetaExpress/

https://video.gjirafa.com/pressing-arianit-koci-blerim-latifi-berat-buzhala-24-02-2020

Comments