Lakrori Special Me Dy Petë e Hithra – Më i Miri i Stinës dhe Traditës

308

Kuzhina tradicionale shqiptare në përgatitjen e gatimeve me hithra është padyshim e veçantë në shije e vlera.

Lakrori i shtëpisë është një ndër recetat më të veçanta me të cilin padyshim amvisat jo vetëm shtojnë shijen e gatimeve në familje por edhe nderojnë në mikpritjen e tyre miqtë dhe të afërmit e dashur.

Është një nga traditat më të hershme, të shijshme nga duart e amvisave shqiptare, traditë që ka magjepsur vendas e të huaj.

Lakrori njihet si traditë e Korçës dhe zonave përreth saj, tradita e do që ai të piqet në saç, një mënyrë tipike e moçme shqiptare e pjekjes së lakrorëve, byrekëve apo tavave të ndryshme me perime në prush.

Falë prushit dhe nxehtësisë së tij të avashtë, tepsitë me gatimet e pjekura marrin një shije të veçantë.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën tradicionale të të mrekullueshmit lakror me hithra, i cili krejt lehtë mund të përgatitet në shtëpi, për t’u ofruar si një vakt i shëndetshëm dhe i shijshëm në familje.

Përgatitja e Lakrorit me Hidhra

Përbërësit

1 kg hithra të freskëta

500 gr Miell

250 ml Ujë

Kripë

Vaj Ulliri

Pak gjalpë

Sodë Buke

Dy qepë të njoma (sipas preferencës)

MÖBEL THEMA

Përgatitja e brumit dhe mbushjes me hithra 

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.

Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar, AgroWeb.org ju udhëzon që ta mbuloni me një pecetë të pastër dhe e lëreni përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisni përgatitjen e hithrave.

Qepën e grirë hollë e hedhim në një tigan të madh. E skuqim me vaj ulliri dhe pak gjalpë derisa volumi i qepës të ulet.

Më pas, hedhim hithrat, të cilat më parë i kemi pastruar dhe i kemi zjerë me një valë. Kaurdisim qepët me hithrat derisa të njëtrajtësohen e më pas hedhim kripë.

I përzjejmë për dy minuta. Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës me të cilën do të përgatisim lakrorin, në një gotë të vogël mund të hedhim një lugë miell dhe ta tretim me dy lugë kos.

Këtë masë më pas e shtojmë tek hithrat dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Përgatitja e lakrorit me hithra 

Pasi e përgatisim gjellën me hithra, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në dy pjesë, ku pjesa e sipërme duhet të jetë më e vogël se e poshtmja.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer njëtrajtësisht me vaj ulliri, hedhim mbushjen me hithrat në të gjithë petën që kemi shtruar më parë.

Ndërkohë, hapim petën e dytë më të madhe dhe e vendosim sipër duke i kthyer pak anët.

Në mungesë të saçit tradicional, fare mirë lakrorin mund t’a pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi lakrori është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati./AgroWeb.org

Comments