LETËR MIKUT ENVER MALOKU

18


I dashur Enver Maloku, më falë he burrë se po të shkruaj vonë, se këtu te ne ka rënë borë e madhe dhe nuk munda me dalë, atje në Bregun e Diellit në Prishtinë me ardhur me të pa, aty ku ke rënë për LIRINË e Fjalës, dhe Lirinë e Kosovës!
Por nuk ma bëri të ftohtit aq, sa më ftohu pamja te Memoriali Yt, kur të erdh edhe Ia Mustafa, i shoqëruar me një kallaballëk “Narod” sikur të ishte ajo “Narodna Odbrana e LKJ”, pas Luftës së Dytë Botërore.
Po sot Enver Maloku, ishte tek varri yt, Ministri i dikurshëm i Financave në Qeverinë e Kosovës në Ekzil, bashkë me disa nga ata, që sa ishe Ti gjallë, as nuk të njihnin e as nuk të flisnin, sepse për të respektuar nuk të erdhën as sot, as në mot, miku im Enver Maloku?!…
Unë po të shkruaj vonë se u ngriva krejt, u bëra akull, jo nga të ftohtit e motit, sa nga pafytyrësia e atyre që erdhën, të cilët patën bërë aq përpjekje për të të penguar Ty, që fjala Jote të mos shpërndahej gjithandej nëpër botë.
Erdhi te Memoriali Yt, miku im Enver Maloku, bash Isa Mustafa, që ti rrudhte financat sa ishe Ti gjallë, sa ishe Shef i QIK-ut?! Atëherë këtë e bënin, për ta vrarë fjalën tënde dhe informimin e saktë, për krimin që bëhej në Kosovë nga bandat serbe.
Ishte ai Ministri i atëhershëm, bashkë me zaptijet e tashëm që e kanë bërë zapt edhe LDK-në, edhe Kosovën.
Erdh tek Memoriali Yt, e të vendosi buqeta me lule faqja e zezë, e zezisht të kujtoi Ty, ai që e urrente aq shumë punën tënde, në QIK, e në Presidencë?!
Të betohem miku im se nuk po të gënjej, sepse ti e dinë, unë kurrë nuk të kam gënjyer, e din se nuk kam dashtë kurrë lajm të keq me të dhënë, por pasha Qiellin e Kosovës, bash Isa Mustafa, ia ka vu drynin QIK-ut për të cilin ti u flijove. A nuk është marrëzi për të dhe shoqëruesit e tij… të vijnë te varri me bërë selfie e në anën tjetër e kanë mbyllur Institucionin që ti e drejtoje, për të cilin Enver ti u flijove!
Po sa fytyrë i kanë këta të pa fytyrë o Enver Maloku?
Po sa bre Enver… he mozamakeq se si jemi katandisur!
Enver, kam shumë me të kallxu se çka po ndodhë në Kosovë, siç të kam informuar edhe në kohë lufte, atëherë kur na shanin këta që po sjellin buqeta lulesh për ty, këta që për të gjallë kanë bërë shumë për ta penguar lajmin tënd, fjalën tënde, tash për me ta hup historinë e punës tënde e kanë mbyllur edhe Qendrën Informative të Kosovës (QIK)?!
Enver Maloku, tash s’ka më lajme në QIK – “www.kosova.com”, për të cilën ti u flijove!
Dua të të tregojë edhe kush tjetër ishte me të, por sonte nuk po të hidhërojë, nuk dua edhe unë si ata që ishin te Memoriali t’i lëkundi eshtrat në varr, se një erozion moral e ka kapur kombin tonë, vendin tonë e shoqërinë tonë. Hajmedet për ne ku jemi katandisur o Enver Maloku…
***
Enver Maloku, he burrë, u ktheva saora deri në vitin e largët 1997. Fillimisht u tuta se edhe historia ka ndryshuar, por jo, e vërteta është histori më vete, ajo mbetet e shkruar?! Ajo nuk zhbëhet kollaj, prandaj jo kot populli ynë ka thënë: “Nëse pitja është ngrënë, sigurisht ka mbetur tepsia”.
Më falë o MIK, nëse edhe unë të trazova sonte, por sot tek ne ishte vërtetë kohë e trazuar?!…
Ah, Enver Maloku, po ata që Ty, ta kanë plasur zemrën për të gjallë, na e plasën neve sot, sepse ata të sollën buqeta me lule, ndërsa miqtë tuaj po i lëçitin, sikurse ty atëherë!
Me mallë miku Yt,
Shefqet Dibrani
ST. GALLEN, 11.01.2017

Comments