Ligji për personat “fantazmë” do të mbështetet nga opozita

164

Opozita është e gatshme të mbështesë Ligjin për personat e paevidentuar në librat amë. VMRO-DPMNE-ja thotë se parimisht e ka mbështetur ligjin në lexim të parë por do ta shqyrtojë për vërejtje të mundshme.

Atë VMRO-DPMNE-ja e ka mbështetur që në leximin e parë. Do t’u përgjigjem në mënyrë plotësuese kur ta shqyrtoj më detajisht atë ligj- tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Lëvizja Besa është e vetëdijshme për seriozitetin e problemit. Deputeti Fadil Zendeli thotë se ekzistenca e personave të ashtuquajtur “fantazmë” është e patolerueshme për një vend që pretendon të bëhet anëtare e BE-së.

MÖBEL THEMA

Jemi shtet që pretendojmë të jemi vend i BE-së kurse kemi shumë qytetarë të cilët nuk janë në asnjë evidencë të institucioneve publike dhe shtetërore në këtë vend. Kuptohet se si parti politike dhe si deputet jemi që të zgjidhet çështja e këtyre qytetarëve të cilët për shkak të mos-evidencës në librat amë nuk mund të shfrytëzojnë shumë të drejta të tyre- pohoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Aleanca për Shqiptarët beson se ky ligj nuk e zgjidh edhe problemin tjetër, atë të personave pa shtetësi. Deputetja Arta Toçi megjithatë thotë se do ta mbështesin atë.

Përmbajtja e ligjit nuk e rregullon statusin e personave pa shtetësi por ka të bëjë më tepër me anën formale me zëvendësimin e emrit të shtetit me emërtimin e ri. Megjithatë ne do ta mbështesim. Le të jetë kjo një mbështetje për njerëzit të cilët me probleme të përditshme të përditshme për shkak se nuk janë shtetësi të këtij vendi- deklaroi Arta Toçi, deputete e Aleancës për Shqiptarët.

Ligji për personat e paevidentuar është me yll të BE-së dhe parashikon që personat e ashtuquajtur “fantazmë” do të evidentohen në Regjistër të posaçëm amë dhe do të gëzojnë të drejtat e tyre si qytetarë të vendit. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale me zgjidhjen ligjore personat pa kurrfarë dokumenti identifikimi do të mund të gëzojnë më shumë të drejta. Ndërkohë organizatat joqeveritare vlerësojnë se numri i personave “fantazmë” ose “të padukshëm” është i madh dhe shkon deri në 1500 vetë.

Fatlume Dervishi

Comments