Lugati komunist në krye të parlamentit, kërcënim për demokracinë

379

Nga Sejdi Peka

Në librin e tij të madhështisë së pashoqe në letërsinë shqipe të të gjitha kohëve, në “Lahutën e Malsisë”, At Gjergj Fishta, në këngën e 11, bën fjalë për një figurë mitologjike, që pasqyron një njeri që ka vdekur, një hije të frikshme që është ngritur nga varri për t’u bërë të keqen shqiptarëve që jetojnë mbi tokë. Ky është lugati. Në rastin që përshkruan Fishta në vargje, Mehmet Ali Pasha, pashai turk që shqiptarët e kishin vrarë të dërguarin e Sulltanit në vitin 1878 që kërkonte t’u bënte presion shqiptarëve t’i lëshonin tokat e tyre Malit të Zi, “ishte ngritur si lugat nga varri”. Lugati kishte hyrë në sarajet e Knjaz Nikollës dhe po e nxiste se si të pushtonte tokat shqiptare. Këto po mendoja atë ditë të protestës së të Përndjekurve Politikë përpara Parlamentit, që po kundërshtonin zgjedhjen e kriminelit komunist Gramoz Ruçi, në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në shkrimet e mia, gjithnjë kam theksuar bindjen time, se komunizmi në Shqipëri është përmbysur si sistem, por metastazat e atij regjimi kriminal janë ngulur thellë në tokë shqiptare, ashtu si grami në një tokë pjellore,që edhe me vite të ia ekspozosh rrënjët në diell, përsëri sapo t’i krijohen kushtet mbin përsëri. Duke rëndur pas mitologjisë së Fishtës me një paralelizëm të tillë,komunizmi është si një lugat i neveritshëm është ngritur nga varri dhe po endet nëpër Shqipëri t’i bëjë gjëmën demokracisë. Këto i kisha menduar se “lugati komunist” po endet nëpër Shqipëri, por se do të zinte vend në krye të institucionit më të lartë të një shteti të ashtuquajtur demokratik, në krye të Parlamentit, këtë kurrë nuk e kisha menduar. Por ja ku ndodhemi para një fakti të kryer. Shqipëria përfundimisht ka rrëshqitur nga demokracia në një neokomunizëm të kamufluar, shumë të rrezikshëm për demokracinë. Kurrë nuk e kam menduar atë ditë të 23 Marsit 1992, kur populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, në mënyrë të vetëdijshme, me një gëzim të pa përshkruar në të gjithë historinë tonë kombëtare,të kishte tejmbushur sheshet e Tiranës duke uruar njëri tjetrin për fitoren e lirisë dhe demokracisë. Shtatorja e diktatorit ishte shkulur dhe hedhur në plehrat e historisë. Ishte ajo shtatore që ishte gdhendur me shumë “dashuri”nga skulptori Kristaq Rama dhe ishte lëmuar dhe ledhatuar nga pinjolli i diktaturës komuniste Edvin Kristaq Rama,sot Kryeministër i Shqipërisë.Po si u transformove kështu vetëm në pak kohë ti o populli im.

Përsëri duke bërë një paralelizëm, me lejen e lexuesit po shkoj pak larg ne kohë. Në vitin 1864, Presidenti Abraham Linkoln u dha lirinë skllevërve amerikanë. Por çfarë ndodhi? Skllevërit amerikanë nuk po mundeshin të adaptoheshin me hapësirën e lirisë. Ata po trokisnin përsëri në dyert e skllavopronarëve të tyre që të bëheshin përsëri skllevër. A thua vallë kjo i ndodhi popullit tim, që nuk po adaptohet dot me demokracinë dhe po kërkon që ta sundojnë përsëri xhelatët komunistë? Shumica e këtyre xhelatëve kanë vdekur duke marrë në varr një mal me krime kundër popullit. Ata shkuan në ferr “të gëzuar”, ashtu si Napoleon Zerva që në çastin e fundit të vdekjes “ishte i gëzuar” për qindra çamër të vrarë në tortura, fëmijë të vdekur në zjarr,nëna me barkun e çarë me thika,që kurrë mos të lindnin më shqiptarë etj. Kriminelët komunistë nuk u ndëshkuan, përkundrazi,morën revanshin në një demokraci të brishtë në qeverisjen e demokratëve, si njerëz pa eksperiencë, që shumë shpejt elitat kriminale të Partisë Komuniste, zunë vend në një parti që vetën sa ndryshoj emrin në Parti Socialiste,një forcë politike e pa reformuar, që kurrë nuk është distancuar nga e kaluara e sajë kriminale kundër popullit. Dhe pikërisht kjo ishte edhe fatkeqësia e pluralizmit dhe e demokracisë në Shqipëri.Nuk mundet të funksiononte pluralizmi dhe demokracia në Shqipëri me një forcë politike me mentalitet sllavo-bolshevik komunist. Demokracia dhe komunizmi janë nocione krejt të kundërta. Komunizmi është armik i betuar i lirisë dhe demokracisë. Shumë shpejt falangat e ish-sigurimit komunist në krye të Partisë Socialiste Komuniste vetëm me emër të ndryshuar, ideuan dhe realizuan revolucionin bolshevik të vitit 97, që me një urrejtje sadistësh rrëzuan sipas parimit leninist me dhunën e armëve Qeverinë Demokratike dhe i vunë zjarrin Shqipërisë. Kjo tragjedi nuk kishte ndodhur në asnjë vend të Europës ish-komuniste dhe kjo tregonte se sa e egër ka qenë diktatura komuniste në Shqipëri. Njëri nga ideatorët dhe realizuesit e këtij skenari kriminal ishte Gramoz Ruçi, ish-ministri i sigurimit komunist të Ramiz Alisë që përgjaku Shkodrën me masakrën e 2 Prillit 1991, urdhëruesi në kundërshtim me ligjin të vrasjeve në kufi, të atyre djemve të rinj që po përpiqeshin t’i iknin diktaturës komuniste, është inspiruesi dhe organizatori i ngjarjeve të përgjakshme kundër popullit dhe demokracisë në vitin 1997, është kundërshtari i ashpër e pluralizmit në Shqipëri. Ai si ministri i fundit i ish-sigurimit komunist, është në dijeni të plotë se ku janë pushkatuar dhe nuk u gjendën varret lart më shumë se 4500 kundërshtarë të regjimit komunist. Dhe ja ku ndodhet sot Shqipëria duke shkuar rrokopujë, e sunduar nga pinjollët e kriminelëve të diktaturës komuniste me në krye Edvin Ramën, i biri i një krimineli komunist, me një klikë tërësisht bolshevike. Dikush nga protestuesit e përndjekur politik, atë moment që “delet e Edvin Ramës” kishin hyrë në radhë që të votonin kriminelin Gramoz Ruçi në krye të Parlamentit,ju drejtua këtyre marionetave se, “a e kishin pyetur Gramoz Ruçin se përse i është ndaluar hyrja në Amerikë”. Dhe vetë i përndjekuri politik i regjimit komunist ktheu përgjigjen: Se është kriminel komunist dhe është person non-grata në atë vend të shembullit të demokracisë në botë. Amerika nuk i pranon komunistët si ide dhe as fizikisht. Amerika e ka nxjerrë jashtë ligjit Partinë Komuniste si rrezik real kundër funksionimit të demokracisë.

Duhet të jesh bolshevik me ide dhe pikëpamje si Edvin Rama që të zgjedhësh një kriminel komunist që nuk e pranon Amerika në krye të Parlamentit të Shqipërisë. Ky është një Don Kishot i kohës tonë që përpiqet të vendosë neokomunizmin në zemër të Europës. Nuk ishte e rastit që Ambasadori Amerikan nuk mori pjesë në rastin e kësaj marrëzie që inspiroi Edvin Rama kundër demokracisë në Shqipëri. Ky maniak dhe aventurier politik, në një dalje publike, lavdëroi Ruçin se “ky nuk do të lejojë më që në Parlament të flasë dikush kur të dojë dhe si të dojë”. Eshtë i tillë që kur i bien kokës, thotë ka kërcitur tavani. Edhe dje në seancën e parë të Parlamentit, Gramoz Ruçi demonstroi sindromën e një diktatori kundër fjalës së lirë. Ai me një urrejtje që reflektonte në sytë e zgardëlluar, bëri përpjekje që t’i mbyllte gojën opozitës. Nga ana tjetër Edvin Rama gjithë pompozitet, mbajti një ligjëratë pa kuptim,duke përsëritur si një kasetë e improvizuar, rrena dhe mashtrime si program të qeverisë. Nuk tha asnjë fjalë për Shqipërinë e përfshirë në një eksod të paparë biblik që po zbrazet. Lart më shumë se 300 mijë shqiptarë kanë lënë Shqipërinë gjatë mandatit të “Rilindjes” se shpresa ka humbur. Nuk foli për vendin më të varfër të Europës, për Shqipërinë të shndërruar në një Kolumbi europiane e mbuluar me drogë, për Shqipërinë si vend policor dhe nga më të korruptuarit në botë, që zë vendin e parë në botë për numrin e të burgosurve në raport me numrin e popullsisë. Nuk tha asnjë fjalë për mijra njerëz të pa punë që vuajnë për kafshatën e gojës për fëmijët e tyre. Nuk tha asnjë fjalë për qindra fëmijë që nuk kanë shkuar në shkollë se prindërit e tyre nuk kanë mundësi t’i blejnë librat e shkollës me [mime të kripura si në asnjë vend të Europës apo Ballkanit. Në monologun e tij abstrakt sa herë e përmendi “dreqin”, simbolin e së keqes, se dreqi është simboli i tij. Dhe me të vertetë si thotë populli “dreqit lëshoja litarin e gjatë se thuret me këmbët e veta”. Dhe “dreqi” e keqja e këtij vendi është vetë Edvin Rama dhe klika e tij bolshevike. Demokracia është në zgripin e mos ekzistencës së saj dhe vendosjen e një neokomunizmi të rrezikshëm për të ardhmen tonë të përbashkët. Të shpresojmë se kjo qeveri do të ketë një jetë të shkurtër, si bryma para diellit.

Comments