Lushtaku: UÇK nuk e ka vrarë asnjë civil serb, Specialja është politike

71

Ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës në luftën e UÇK-së , ka thënë se UÇK-ja ka qenë një ushtri e cila gjatë kohës së saj është formuar më shumë vështirësië, pasi që Serbia ishte shumë e fuqishme në Kosovë.

“I mbaj mend celulat e para, aksionet e para, edhe fillimet e para të shumë njerëzve të vullnetit të mirë që t’i bashkohen UÇK-së, duke nisur nga grupi i Adem Jasharit. Është dashur 10 vjet që t’i besohet kësaj force ushtarake”, ka thënë Lushtaku.

Sipas tij, UÇK-ja edhe po të dëshironte të bënte masakra dhe ta keqpërdorte uniformën, nuk e kanë bërë asnjëherë një gjë të tillë. “Edhe ata pak serb që kanë qenë në Skenderaj, në një formë e kanë veshur uniformën serbe, prandaj ka qenë e pamundur që UÇK të bëjë vrasje të civilëve”, ka thënë ai, për RTK.

“Nuk ka asnjë rast që UÇK-ja të ketë vrarë një civil serb. Investimi serb ka qenë i madh që t’ia prish imazhin ushtrisë sonë”.

Ai ka insistuar se mundësitë e Ushtrisë Çlirimtare për të bërë krime kanë qenë tepër të vogla ose fare.

“UÇK-ja është përballur me drejtësinë në Kosovë, diku nisur nga UNMIK-u, EULEX-i, Haga… Unë mendoj që kjo është gjykatë politike dhe nuk e di se çfarë vrasjesh do të zbardh”, ka shtuar Lushtaku.

Ai tha se me Gjykatën Speciale shqiptarët do t’i paguajnë edhe vrasjet edhe masakrat që ushtria serbe i ka bërë në Kosovë.

“Gabim i Kuvendit është gjithsesi krijimi i kësaj Gjykata, por tash është fakt i kryer”.

Tutje ish komandanti tha se askush nuk ka besuar se shqiptarëve, ushtarëve, do t’iu ndodh kjo që pas 21 vjetësh të trajtohen në këso forma nga gjykatat.

“UÇK-ja është e këtij vendit dhe ata që e kanë veshur uniformën ia kanë kryer një shërbim atdheut. Gjykatat që kanë qenë këtu e kanë pasur mundësinë që për 21 vjet të na hetojnë dhe unë vet qe 15 vjet jam nëpër gjykata”, tha Lushtaku.

Comments