Lutja për prindërit e vdekur me rastin e festës së Bajramit

309
Loading...

Dr. Musli Vërbani

Lutja për prindërit e vdekur me rastin e festës së Bajramit

Kohëve të fundit tek ne ka filluar të bëhet traditë që të bëhet homazh për të vdekurin me rastin e ditës së vdekjes, pastaj me rastin e përvjetorit të vdekjes, pastaj me rastin e ndonjë dite festive, etj. Fjala homazh nuk është fjalë shqipe, dhe do të thotë: Nderim i veçantë që i bëhet një njeriu ose kujtimit të tij në shenjë dashurie e mirënjohjeje të thellë.

Kjo traditë, pra homazhi për të vdekurit, nuk ka të bëjë me ditën e Bajramit, por ka të bëjë me ditë tjera përpos ditës së Bajramit dhe nuk ka asgjë të përbashkët me islamin.

Në të kaluarën ka qenë edhe një traditë (joislame), në atë kohë pas namazit të bajramit, xhemati nuk kanë bërë bajram mes vete, por në rend të parë kanë shkuar te varrezat dhe kanë bërë bajram (siç kanë menduar ata) me të vdekurit, e tek pastaj kanë bërë bajram mes vete dhe kanë shkuar te familjet e tyre për të bërë bajram.

Te disa ka qenë edhe një tjetër traditë (natyrisht se nuk është traditë islame), xhemati e kanë falë bajramin dhe kanë bërë bajram në xhami mes vete por nuk kanë shkuar në shtëpi, por në rend të pare kanë shkuar te varrezat kanë bërë bajram me të vdekurit pastaj kanë shkuar në shtëpi dhe kanë bë bajram me të familjes dhe të tjerët.

Në esencë, vizita e varrezave në islam është sunet, por vizita e varreve nuk ka kohë dhe ditë të caktuar, qoftë javore, qoftë mujore, qoftë vjetore, por nëse vizita që bëjnë njerëzit në varreza pas namazit të bajramit, bëhet për të kujtuar vdekjen dhe botën tjetër, nuk përbën ndonjë të keqe në mënyrë absolute, sepse të shkuarit në varreza i kujton njeriut botën tjetër, ndërsa nëse vizita pas namazit të bajramit, bëhet për të qenë i mërzitur apo për t’u ngushëlluar ose për të rregulluar e sistemuar varrin, kjo është e papëlqyeshme.

Muhamedi a.s nuk ka parapa ditë të caktuar për vizitën e varreve por ka thënë: “Ju kam pas ndaluar që të shkonit në varreza, ndërsa tani mund të shkoni, sepse vizita ju bën që të jeni të kujdesshëm ndaj kësaj bote dhe ju kujton botën tjetër.”

Vizita në varreza dhe lutja për të vdekurin dhe vetëm lutja për të vdekurin pa e vizituar te varri

Ashtu siç vizitohet i vdekuri te varri dhe bëhet lutje për të, mund të bëhet lutje edhe pa shkuar te varri.

Nëse shkohet në varreza bëhet kjo lutje, e cila njihet edhe si lutja e hyrjes në varreza:

“Paqja e Allahut qoftë mbi ju o banorë besimtarë të këtij vendi. Edhe ne me urdhrin e Allahut, kur të vijë përcaktimi i Tij, inshaAllah me ju do të radhitemi.

Allahu na mëshiroftë neve dhe juve dhe ata që kanë ikur para nesh dhe ata që do të vijnë më pas.

Lusim Allahun për ne dhe për ju që të na ruajë nga çdo gjë.

O Allah! Mos na e ndalo shpërblimin e tyre dhe mos na sprovo pas tyre.”

Dhe pastaj bëhet lutje për të vdekurin.

Muslimani për muslimanin lutet edhe në Ramazan edhe në bajram edhe në haxh edhe në namaz.

Muslimani lutet edhe për muslimanin e gjallë edhe për muslimanin e vdekur. Prej të drejtave të vëllazërisë dhe shoqërisë është lutja për vëllanë musliman, të gjallë apo të vdekur. Muslimani lutet për muslimanin dhe për familjen e tij ashtu sikurse lutet edhe për vetveten, sepse lutja mund të jetë shkak që i vdekuri ose të mëshirohet ose t’i lehtësohet ndëshkimi ose edhe gradat e tij të lartësohen.

Lutja për të vdekurit e ka vlerën ashtu sikurse vlera e dhënies së dhuratave për të gjallët. Muhamedi a.s. ka thënë:

“Kur muslimani lutet për vëllanë e tij, pa ditur gjë (ky i fundit), lutja pranohet. Përpos kësaj, tek koka e lutësit qëndron një melek i ngarkuar të thotë, pas çdo lutjeje të mirë për vëllanë musliman, ashtu qoftë(Amin), Allahu të dhëntë edhe ty të njëjtën gjë!”

Në suretul Hashr, Zoti i Lartëmadhëruar thotë:

“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: – O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashër : 10)

Prej lutjeve për të vdekurin është edhe lutja për prindin e vdekur, qoftë te varrezat, qoftë në shtëpi, qoftë në bajram, qoftë në ditë tjera pos ditës së bajramit sepse Muhamedi a.s ka thënë:

“Kur ndërron jetë biri i Ademit, ndërpritet puna e tij përveçse tri gjërave:

sadakaja rrjedhëse,
dituria prej së cilës përfitohet pas tij, dhe
fëmija i mirë i cili lutet për të.”
Lutja bëhet edhe në gjuhën shqipe, edhe në xhami, edhe në rrugë, edhe në shtëpi, ashtu sikurse dhe kujtimi për prindërit bëhet edhe në xhami, edhe në rrugë, edhe në shtëpi, andaj lutja për prindërit e vdekur bëhet edhe për bajram, si në xhami, në rrugë, por duhet ditur se dita e bajramit është ditë feste dhe nuk është ditë mërzie dhe pikëllimi dhe nuk duhet mërzitur dhe as pikëlluar por duhet lutur dhe shpresuar në pranimin e lutjes. Të bëjmë këtë lutje për prindërit tanë për ditën e festës së Bajramit:

Kjo festë le të jetë xhennet për ty prindi im.

Sot e gjithmonë varri tu bëftë dritë.

Sot e gjithmonë varri qoftë begati dhe qetësi për ty.

Sot e gjithmonë lutja ime le të jetë për ty.

O Zot në këtë ditë të bekuar mëshiroje prindin tim.

Shpërbleje me të mirat Tua.

Vendose ne xhennetin e lart Firdeus.

O Zot mëshiroje prindin tim me të mirët.

Vendose ne xhennet me të zgjedhurit dhe të graduarit.

O Zot varrin e tij bëje bashqe prej bashqeve të xhennetit, dhe

ndarjen tonë me të bëje bashkim në xhennet.

Loading...
Comments