Masat antiCOVID, votohet në Kuvend nevoja e ndryshimeve ligjore

277

Votohet nevoja e propozim-Ligjit për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Ngjitëse. Për votuan 60 deputetë, ndërsa të përmbajtur 32. Nuk kishte vota kundër.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke mbrojtur nevojën e propozimit theksoi se masat e paraparë do të kenë efekt kundër pandemisë.

“Ndryshimet kanë të bëjnë me disa nga dekretet e miratuara gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe institucioneve ku trajtohen pacientë. Pjesa tjetër ka të bëj më zgjerimin e kompetencave të inspektorateve si ai shtetëror sanitar, i punës dhe transportit, inspektorati i tregut. Gjithashtu përfshinë inspektoratet qendrore dhe lokale si mekanizëm konkret për zbatimin e masave parandaluese dhe sanksionimin e mosrespektimit të tyre- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Opozita maqedonase ka paralajmëruar amendamente ndaj ligjit, në ndërkohë kërkon Komision Special për Sëmundje Infektive dhe shkarkimin e përbërjes aktuale të komisionit bashkë me dorëheqjen e ministrit Filipçe. Edhe opozita shqiptare do të propozojë amendamente. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i janë bashkuar propozimit opozitar për ligj të ri i cili parashikon Komision Shtetëror për Luftë kundër Pandemisë. Votimi i tyre ndaj propozimit të Qeverisë varet nga pranimi ose refuzimi i amendamenteve. Të mërkurën do të thirret mbledhje e Komisionit për Shëndetësi ku pritet të fillojë procedura për leximin e amendamenteve. Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Ngjitëse do t’i mundësojë Qeverisë miratimin  e masave shtrënguese si mbajtja e maskave në hapësira të hapura, kufizimi i grumbullimit të më tepër së katër personave pas orës 22 dhe kufizimi i grumbullimeve familjare.

Adrian Kerimi

Comments