MBULIMI I DJALLIT SHPIRTËROR ME VELLON E ENGJËLLIT

56

Shkëlzen Halimi

MÖBEL THEMA

Napoleon Bonaparta ishte shprehur se njerëzit i bashkon vetëm frika dhe interesi. Kur fillon të ndjesh se je zhytur në pellgun e së keqes, kur fillon të ndjesh gërditje nga vetvetja, atëherë kjo është shenjë se gjumi ka filluar të largohet nga ndërgjegjja dhe se frika i kthehet arsyes. Më mirë vonë se kurrë. Natyrisht, ata që politikën e interpretojnë kryekëput si interes, ata do të vazhdojnë që djallin e tyre shpirtëror ta mbulojnë me vellon e engjëllit. U mbetet shqiptarëve ta bëjnë shkëputjen radikale, kuptohet vetëm nëse kanë mësuar diçka nga shumësia e pësimeve. Kërkimi i rrugës së drejtë, pa kthesa, as majtas e as djathtas, gjithsesi do të tingëllonte si diçka utopike, por nëse kuptohet në mënyrë figurative, atëherë kjo do të çonte te esenca e problemit: t’i jepet fund ushtrimit të durimit, se koha tmerrësisht shpejton dhe ik, duke i lënë shqiptarët vite e vite prapa, thjesht për faktin se nuk hodhën dritë mbi të vërtetën se gjuetarët e emocioneve, para se t’ua shkatërrojnë dinjitetin, vazhdojnë ta mbajnë këmbën mbi kokën (e shqiptarëve), duke i shëtitur në labirintin e tranzicionit shqiptar…
Shpirti dhe mendja e popullit duhet të sinkronizohen, me qëllim që të arrihet baraspesha e tërësishme (e shpirtit dhe mendjes). Ndërkaq, kjo do të prodhonte më shumë dashuri midis shqiptarëve dhe optimizëm se e nesërmja do të jetë e ndritur dhe jo e errësuar. Shqiptarët duhet ta dëgjojnë zërin e tyre të brendshëm, që është zë i identitetit të vërtetë e që në fakt do t’i largojë nga hamendjet, që u bënë lajtmotiv të këtij tranzicioni, të cilit assesi nuk i shihet fundi… Shqiptarët në Maqedoni duhet ta ndriçojnë vizionin drejt asaj që aspirojnë, duhet të bëhen pjesë e botës demokratike, ku respektohet drejtësia, ku funksionon institucioni i përgjegjësisë. Një vizion të tillë e patën edhe ato personalitete, të cilët herë – herë (sa për sy e faqe) përkujtohen, e të cilët sakrifikuan jetën për idealin e shenjtë, të cilin ideal grupi i madh i të papërgjegjshmëve e ka nëpërkëmbur deri në asht…Para se gjithash, ata së pari duhet të jenë njerëz me mendje e zemër, që ia duan të mirën vetvetes, që janë atdhetarë e besimtarë…

Comments