MË NË FUND FOLI EDHE RAMIZ ABDYLI, ISH REKTOR I UNIVERSITETIT TË TETOVËS!

238

Nga Abdulla Mehmeti

Reagim

Një mesazh me përmbajtje të paqartë, konfuze, tendencioze dhe me ton kërcënues, nga vetë ai, apo në emër të prof. dr. Ramiz Abdylit, është publikuar këto ditë në formë të komentit mbi një shkrim në faqen time në rrjetin social në fb.

Përmbajtja e mesazhit:

“Ramiz Abdyli: Abdulla largohu nga faqja ime derisa nuk eshte bere vone Mos me provoko se do te jem i detyruat t’ia them te te palarat.Derisa Fadili i yt e zhvendosi qendren e shqiptareve ne Tetove ti meton te perfitosh ne emer te njefar akedemie fantazme ne Shkup.” (Masazhi këtu publikohet në formën origjinale të tij, pa asnjë ndryshim, siç është publikuar më datë 20 gusht 2019)

Çfarëdo komenti nga ndonjë lexues i zakonshëm nuk do ta trajtoja seriozisht dhe nuk do t’i përgjigjesha, duke pasur parasysh të drejtën e secilit për ta shprehur mendimin e tij të lirë, për aq sa din, por, kur vjen një mesazh me përmbajtje të këtillë nga një shkencërat, studiues i historisë, profesor dhe ish rektor i Universitetit të Tetovës, më tepër se obligim personal është detyrim ndaj opinionit dhe lexuesve për t’i sqaruar gjërat në interes të së vërtetës.

Asnjëherë nuk e kam preferuar që njerëzve me nivel intelektual dhe në moshë si profesor Ramiz Abdyli t’u përgjigjem në komentet e tyre, edhe kur më kanë përmendur me emër dhe mbiemër, aq më pak të polemizoj, t’i lëndoj dhe t’ua trazoj shpirtin e tyre. Por, përmbajtja e këtij mesazhi të publikuar në formë komenti dhe në hapësirë publike, ku mund ta lexojë secili, të komentojnë, madje dhe ta keqkuptojnë dhe keqinterpretojnë dhe dashamirët edhe dashakëqinjtë, komentet e këtillë meritojnë së paku disa sqarime.

1. Mesazhi është publikuar në formë të komentit në faqen time, në vazhdim të shkrimit tim me titull “Shqiptarëve në Maqedoni u mungon shteti, jo të drejtat qytetare“ dhe nuk ka asnjë lidhje me temën për të cilën ngren pluhur profesor Ramiz Abdyli, përkatësisht, nuk bëhet fjalë për asgjë në lidhje me Universitetin e Tetovës dhe me ish rektorin e parë të tij, prof.dr. Fadil Sulejmanin, të cilit autori i këtij komenti nuk dëshiron as t’ia përmend emrin dhe mbiemrin e plotë, duke e cilësuar në formë ofenduese si “Fadili yt”, sikur ky personalitet të ketë qenë një vegël qorre në duart e mia, jo personalitet që meriton nderim dhe respekt për punën dhe sakrificën e tij në interes të popullit shqiptar në Maqedoni, për Universitetin e Tetovës, arsimin universitar në gjuhën amtare dhe jo vetëm.

2. Ky mesazh (koment), i tillë siç është publikuar, përbën shantazh dhe kërcënim ndaj meje, ndërsa shprehja “sa nuk është bërë vonë” shpreh një revoltë të llojit të veçantë, ndjenjë mosdurimi dhe urrejtje, pakënaqësie dhe shqetësimi, një brrejtje e pasqaruar e ndërgjegjes së fjetuar të këtij autori, i cili e gjen rastin për ta dëshmuar nivelin e tij intelektual dhe urrejtjen e pashpjegueshme ndaj ish rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Fadil Sulejmanit.

3. Edhe njerëzit me njohuri elementare për punën dhe funksionimin e mediave, në këtë rast të rrjeteve sociale siç është fb, kanë njohuri se publikimi i shkrimeve dhe materialeve në faqen personale nuk është ndërhyrje në faqen e personave të tjerë dhe nuk përbën shkelje të privatësisë së tyre, përderisa nuk publikohet në faqen e të tjerëve, siç është rasti me shkrimin tim të publikuar në faqen time, jo në faqen e Ramiz Abdylit, nga e cila qenka dashur të largohem unë “sa nuk është bërë vonë”, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta; autori i këtij mesazhi është dashur të largohet nga faqja e ime, nëse nuk dëshiron të lexojë shkrime dhe publikime me përmbajtje që nuk i pëlqejnë atij, për aq më tepër kur këtë autori i komentit e trajton si provokim ndaj tij. E çuditshme!

4. Në lidhje me kërcënimin që ky autor i komentit mund “t’ia publikojë të palarat” atij, duke aluduar në Fadil Sulejmanin, porosia ime drejtuar profesorit Ramiz Abdyli është e qartë: Ju keni gabuar rëndë nëse keni ditur dhe dini diçka që i ka sjellë dëm Universitetit të Tetovës, arsimit në gjuhën shqipe dhe përgjithësisht çështjes shqiptare në Maqedoni, dhe këtë nuk e keni bërë deri më sot. Këtë e keni pasur dhe e keni ende detyrim moral ta bëni sa më parë, pavarësisht sa mund të jenë të dhëmbshme faktet dhe dëshmitë, edhe pse nuk keni pasur kurajë intelektuale ta bëni publike deri më sot.

MÖBEL THEMA

5. Në lidhje me tezën tuaj kontroverse, të shpifur dhe qëllimkeqe, se Fadil Sulejmani e paska “zhvendosur qendrën e shqiptarëve në Tetovë”, gjithashtu ua keni borxh shqiptarëve t’ua shpjegoni këtë çështje në detaje, sigurisht nga të dhënat që mund t’i keni siguruar gjatë kohës sa keni qenë në detyrë të bashkëpunëtorit shkencor në Institutin e Historisë Nacionale Maqedonase në Shkup, nga viti 1994, ndërkohë që askush nuk mund të besojë që qendrat politike dhe administrative të një shteti apo rajoni mund të vendosen dhe zhvendosen sipas dëshirave të tyre nga njerëzit e arsimit, të kulturës dhe shkencës, përmes çfarëdo projekti dhe me çfarëdo qëllimi, sipas jush, destriktiv dhe të dëmshën për shqiptarët në Maqedoni, për çka e akuzoni pa të drejtë profesor Fadil Sulejmanin, tanimë të ndjerë.

6. Sa për informimin tuaj, me asgjë nuk ka ndikuar ish rektori i parë i këtij Universiteti, prof. dr. Fadil Sulejmani, që selia e Universitetit të Tetovës të jetë në Tetovë dhe jo në Shkup, por kjo çështje është trajtuar dhe vendosur në bazë të Platformës për hapjen e Universitetit të Tetovës, të cilën e kam përgatitur unë, jo Fadil Sulejmani. Prandaj, me këtë “mëkat” me asgjë nuk duhet ta ngarkoni të ndjerin Fadil Sulejmani, por mua, që ende jam gjallë dhe mund t’u jap sqarime e shpjegime sa të doni dhe kur të doni, ty dhe të tjerëve, pse selia e Universitetit të Tetovës u caktua të jetë në Tetovë dhe jo në kryeqytetin e vendit, në Shkup.

7. Për fund, ju sugjeroj që të publikoni sa të keni mundësi, forcë dhe dije, gjithçka “të larë” e “të palarë” në lidhje me punën e ish rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Fadil Sulejmani, për punën time publikoni edhe dyfish më tepër, sidomos në lidhje me “synimet e mia për të përfituar përmes një akademie fanatazmë në Shkup” siç e quan Akademinë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, me këtë duke i ofenduar rëndë dhjetëra intelektualë, shkencëtarë dhe studiues, akademikë shqiptarë, nga vendi dhe bota e jashtme, anëtarë të kësaj Akademie, me seli në Nju Jork dhe në Shkup.

Fol Ramiz Abdyli, se këtë ua ke borxh shqiptarëve, ia ke borxh historisë dhe gjeneratave të reja, mos vdis pa e thënë të vërtetën, si studiues, shkencëtar, historian, veprimtar, për aq më tepër si ish rektor i Universitetit të Tetovës!

Vetëm tri gjëra mos i harro, se edheunë do t’i bëj publike dëshmitë, pjesërisht të përfshira në disa shkrime të mëhershme, për të cilat ke heshtur deri më sot:

Sa për fillim, ta përkujtoj se:

1. Unë personalisht ta kam dhënë ftesën për pjesëmarrje në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, të mbajtur më 4 qershor 1994 në Tetovë, por nuk ke marrë pjesë në këtë Kuvend për arsye të panjohura për ne, prandaj edhe nuk ke qenë i përfshirë në Këshillin për themelimin e Universitetit dhe në asnjë komision për hapjen e fakulteteve të tij.

2. Se, ti ke ardhur në Universitetin e Tetovës në janar të vitit 1995, bashkë me disa bashkëmendimtarë të tjerë që kanë qenë pesimistë në fillim të punës për hapjen e Universitetit, ndërsa disa prej tyre janë infiltruar me rekomendim të organeve të pushtetit për ta sabotuar punën e mëtejshme të Universitetit dhe me pretendime për të vendosur kontroll mbi këtë institucion; pasi keni parë që ky projekt do të jetë i suksesshëm dhe nuk mundur ta ndalë askush, as pesimizmi i disa intelektualëve, as shantazhet e politikës së atëhershme, as forca e pushtetit të asaj kohe. Mos harro se në fillim të është besuar detyra e zëvendësdekanit të Fakultetit Filozofik, pikërisht nga miku i juaj i dikurshëm, profesor Fadil Sulejmani, të cilin sot dëshironi ta ngarkoni me akuza të paqena dhe të rënda, kur ai nuk është i gjallë mes nesh, por i takon amshimit dhe historisë!

3. Se, ti je zgjedhur rektor i Universitetit të Tetovës (i treti me radhë), si kompromis i dhimbshëm mes drejtuesve të Universitetit dhe faktorit politik të asaj kohe (BDI-së), me qëllim të shuarjes së tensioneve dhe konfrontimeve shkatërruese brenda dhe jashtë Universitetit, dhe nuk ke mundur të zgjidhesh dhe emërohesh në këtë detyrë pa PËLQIMIN dhe MIRATIMIN tim, sipas parimeve dhe rekomandimeve të Platfërmës për hapjen e Universitetit të Tetovës. Kam qenë unë në radhën e parë në sallën ku është mbajtur ceremonia solemne e dorëzim-pranimit të detyrës së rektorit të Universitetit të Tetovës, mes teje dhe profesor Fadil Sulejmanit, në mënyrën më të qetë siç nuk kishte arritur ta bëjë askush më parë, as grupet joformale, partitë politike të shqiptarëve, as pushteti përmes propagandës dhe kërcënimeve, as me bindje dhe as me forcë. Meqë nuk i ke respektuar më pastaj rregullat e lojës, duke u shndërruar në vegël të partisë politike në pushtetin e atëhershëm, e BDI-së, me paaftësinë dhe naivitetin tënd e ke dorëzuar mandatin vetëm pas 3 muajve në këtë detyrë (në fillim të vitit 2003). Megjithatë, me sugjerimin tim edhe fotografia e juaj qëndron sot në hapësirat e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, përkrah atyre të ish rektorëve të tjerë të këtij Universiteti.

Fol Ramiz Abdyli, pa kursyer askënd dhe për asnjë çmim, sepse e vërteta i bën mirë historisë dhe shëndetit të kombit! Për sqarime jemi edhe ne këtu, përherë të gatshëm dhe disponuar për t’u shpalosur, sqaruar dhe ndriçuar përfundimisht e vërteta në lidhje me historikun e Universitetit të Tetovës!

(24 gusht 2019)

Comments