Media maqedonase: Kosova rrezikon pezullim nga UEFA e FIFA për 2-5 vjet

375

Mediumi maqedonas, Infosport.mk, raporton se Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut mund të shkojë drejt në finale të play-offs kualifikues për Euro 2020, pasi që thotë se Kosova rrezikon pezullimin nga UEFA e FIFA për 2- deri në 5 vjet shkaku i situatës aktuale në futbollin kosovar.

MÖBEL THEMA

Zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti, iu bashkua një grupi opozitar ndaj kryesisë aktuale të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e pretenduar postin e kryetarit të kësaj Federate.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022,  por vetëm deri ne vitin 2020, dhe thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Ndërkohë, për Ahmetin u mor vendim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shkarkuar, pasi që u tha se ai po e shfrytëzonte postin e tij për ta dëmtuar Federatën e për ta promovuar veten. Por, pasi që UEFA e FIFA nuk lejojnë ndërhyrje politike në futboll, mediat maqedonase raportojnë se Kosova rrezikon pezullimin.

Përfaqësuesja e futbollit e Maqedonisë së Veriut sheh veten para inkuadrimit direkt në finale të Ligës së Kombeve ku do të diskutohet kualifikimi në Kampionatin Evropian të vitit 2020, pasi Kosova rrezikon pezullim nga instancat ndërkombëtare të futbollit”, shkruan infosport.mk, transmeton Gazeta Express.

“Dueli gjysmëfinal Maqedoni e Veriut-Kosovë i paraparë për datën 26 mars të vitit të ardhshëm mund të mos zhvillohet, me Maqedoninë e Veriut që do të përfitonte nga përzierja e politikës së Kosovës në institucionin udhëheqës të futbollit në vendin fqinj”

“UEFA dhe FIFA janë të njoftuar me situatën dhe duke u bazuar në qëndrimet e tyre në këtë drejtim mendohet të jenë të pamëshirshme”

“Sipas disa burimeve Kosova rrezikon pezullim prej 2 deri në 5 vite, pasi persona të lidhur me politikën krijojnë amulli, duke tentuar të ndërhyjnë direkt në Federatën e futbollit të Kosovës”.

“Duke vëzhguar situatën në distancë, nëse “duart e politikës” vazhdojnë të futen më thellë në futboll, pritet ndërhyrja e UEFA-së dhe FIFA-s me masa ndëshkuese ndaj futbollit kosovar, e me këtë rast duke qenë se i lidh interesi i përballjes mes veti, nga një pezullim eventual i Kosovës fituesja më e madhe do të ishte Maqedonia e Veriut, që do të merrte “falas” biletën për finalen e Ligës së Kombeve ku përballë fituesit të duelit Gjeorgji-Bjellorusi do të kërkohej kualifikimi në EURO 2020”, shkruan ndër tjerash ky portal.

Kosova dhe Maqedonia është planifikuar të përballen mes vete në mars të vitit 2020, në kuadër të Rrugës D të play-offs kualifikues në EURO 2020, ku fituesi pastaj do të përballet në finale me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë. Fituesi i finales kualifikohet në Evropian.

Comments