Mitrovica e Veriut është mbushur me flamuj të Serbisë, teksa serbët më 15 shtator shënojnë Ditën e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve.

68

Për fqinjët e Serbisë, flamujt me ngjyrat kuq, kaltër dhe të bardhë, nuk janë të huaj, të cilët shihen jashtë disa shtëpive dhe institucioneve të udhëhequra nga serbët, apo edhe në marshe me ngjyresa politike e etnike në rajon.

Fundja, besohet se ekzistojnë rreth 1.3 milion serbë etnikë në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Të tria këto shtete ka mundësi që të shohin këta flamuj dhe shpërfaqje tjera publike të identitetit serb këtë javë, për të shënuar festën e shpallur vitin e kaluar nga Qeveria e Serbisë dhe Republika Sërpska – entiteti kryesisht serb, që bashkë me myslimanët dhe kroatët përbëjnë Bosnje-Hercegovinën.

“E mbështes këtë ditë dhe mendoj se nga kjo përfitojnë të gjithë, sidomos studentët, sepse tregon se ne duhet të jemi të bashkuar, të respektojmë bashkatdhetarët tanë në të gjitha shtetet”, ka thënë Rastko, student në Banja Llukë, kryeqytetin e Republika Sërpskas.

Flamuj të Serbisë të vendosur në rrugët e Mitrovicës së Veriut teksa serbët më 15 shtator shënojnë Ditën e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve.
Flamuj të Serbisë të vendosur në rrugët e Mitrovicës së Veriut teksa serbët më 15 shtator shënojnë Ditën e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve.

Ai citon tema historike qe janë “të përbashkëta për të gjithë ne në nivel kombëtar”, duke përmendur planet e mësuesit të tij për të ligjëruar për Frontin e Selanikut, të njohur edhe si Fronti Maqedonas.

Edhe në Kosovë, në komunat në veri, strukturat paralele komunale kanë vendosur flamuj serbë.

Rrëfimi mbi betejën e çlirimit më 1918 gjatë Luftës së Parë Botërorë qëndron mbrapa faktit se pse Beogradi dhe zyrtarët në Banja Llukë, kanë vendosur të festojnë Ditën e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve, çdo vit më 15 shtator.

Por, trashëgimia e përbashkët e një beteje shekullore që, u atribuohet forcave serbe, është më pak e vetëkuptueshme për disa banorë joserbë të Republikës Sërpska.

Bosnja është ende e ndarë – disa do të thoshin në mënyrë jofunksionale – nga struktura paralele qeverisëse të krijuara përgjatë linjave etnike të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve nga Marrëveshja e Dejtonit 25 vjet më parë, për t’iu dhënë fund tre vjetëve të konfliktit intensiv të përcjellë me ndarjen e ish-Jugosllavisë.

Studentët në Srebrenicë, skena ku kanë ndodhur disa prej mizorive më të rënda në Evropën e pasluftës, pasi trupat serbe të Bosnjës kanë masakruar më shumë se 8,000 boshnjakë, burra dhe djem më 1995, ankohen se ndonëse serbët duhet të lejohen të festojnë trashëgiminë e tyre, zyrtarë të republikës shmangin ngjarjet që janë të lidhura më ngusht me identitetin dhe historinë e boshnjakëve dhe kroatëve.

Dy persona shihen në një motoçikletë, e cila ka mbrapa hartat e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, me flamuj të Serbisë në to. Beograd, gusht 2021.
Dy persona shihen në një motoçikletë, e cila ka mbrapa hartat e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, me flamuj të Serbisë në to. Beograd, gusht 2021.

Një student, Alija, e quan ditën e bashkimit serb si përpjekje zyrtare për “ndarje, diskriminim dhe poshtërim të banorëve joserbë në Republikën Sërpska”.

Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se kjo festë duket si politikisht cinike dhe përpjekje në drejtim të gabuar nga Beogradi që synon të theksojë ndërtimin e kombit përtej kufinjve ekzistues, duke inkurajuar nocionin se identiteti kombëtar serb është duke u kërcënuar.

Një fushatë e tillë ka tronditur qeveritë fqinje dhe mund të kërcënojë narrativën e udhëheqësisë serbe të shtetit të saj si lidere politike dhe ekonomike në rajon, thonë analistët.

“Për mua, kjo është përpjekje për ta vënë në pah ndërtimin e kombit përtej kufijve të shtetit të Serbisë”, ka thënë Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, në Universitetin e Gracit, rreth festës së re serbe.

Ai e quan “manifestim simbolik” të Serbisë, ngurrimin e gjatë të Serbisë për të pranuar kufijtë e saj pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990.

Dhe kjo, sipas tij, ndodh në kohën e bisedimeve në rritje në Beograd për një “botë serbe” të re, për të cilën kritikët thonë se mbështjell ambiciet etno-nacionaliste të një “Serbie të Madhe”.

“Dilema” e Serbisë

Moebel THEMA

“Çështja bazike, nëse jeni nacionalist, është si të krijoni marrëdhënie në mes të popullit brenda dhe atij jashtë shtetit”, ka thënë Eric Gordy, profesor në Shkollën për Studime Sllave dhe ato të Evropës Lindore në Kolegjin e Londrës.

“Dhe për këtë kemi diskutuar tash e gati 100 vjet”.

“Dilema e madhe politike” në Serbi – ku zemërimi sidomos në mesin e të rinjve ka ndikuar në një krizë demografike që ka zvogëluar popullsinë nën 7 milionë banorë – është se një numër i madh i serbëve nuk jetojnë në këtë shtet, thotë Gordy.

Kjo gjë nxit frikën evropiane për një rikthim të ndonjë lloj konflikti, sikurse ai që ka përfshirë rajonin në vitet 1990, duke vrarë të paktën 130,000 njerëz dhe zhvendosur miliona të tjerë.

Gordy dhe sondazhet e qëndrueshme sugjerojnë se nuk ekziston dëshirë për më shumë luftëra në Ballkan.

Mirëpo sikurse Rusia në shekullin XIX me thirrjet e saj ndaj pan-sllavizmit dhe qëndrimit të vazhdueshëm të udhëheqësve hungarezë si mbrojtës të hungarezëve etnikë jashtë vendit, Serbia duket se po “përpiqet të arrijë atë që ata u përpoqën të arrijnë me forcë (në vitet 1990) por në një mënyrë më të butë”, thotë Gordy.

Në atë kuptim, ai beson se festa e re serbe duket sikurse projektim i ndikimit ndërkohë “që promovohet ideja se identiteti kombëtar është në rrezik”.

Bashkimi i kujt?

Dita e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve është bashkëpunim në mes të Beogradit dhe Banja Llukës.

Fillimisht është organizuar në shtator të vitit të kaluar, nga lideri aktual i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, një nga anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnës, dhe një të shpalluri separatist, i cili sipas drejtorit të Qendrës për Rajonalizim në veri të Serbisë, “kalon më shumë kohë në Beograd sesa në Banja Llukë”.

Në Bosnje nuk ka pasur nevojë për të arritur pajtueshmëri për këtë festë në nivel kombëtar, pasi ky shtet nuk ka ligj të unifikuar për festat publike.

Një ditë më vonë, pas presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka kuptuar se festa nuk ka shkelur ligjet, Qeveria Serbe e ka ndjekur këtë rrugë dhe kështu është jetësuar festa e përbashkët.

Brenda një jave, ndërtesat publike dhe institucione të rëndësishme, si në Serbi, ashtu edhe në Republikën Sërpska, janë mbushur me flamuj serbë, teksa ceremonitë janë mbajtur dhe himnet janë dëgjuar për të shënuar festën.

Gjithmonë “fajtorë për diçka”

Këtë vit, dita e bashkimit të serbëve vjen teksa qeveritë rajonale bëjnë roje kundër ndërhyrjes së Beogradit.

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka humbur gjurmët në të dyja anët, duke zhgënjyer disa shtete të Ballkanit Perëndimor dhe duke duke gërryer një nga stimujt kryesorë për reforma të qëndrueshme demokratike dhe institucionale në rajon.

Regjistrimet e popullsisë janë shtyrë në Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, kryesisht për shkak të pengesave për regjistrim të saktë të pakicave etnike (Bosnja nuk pritet të regjistrojë popullsinë deri më 2023).

Flamuj të Serbisë të vendosur në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe në Kosovë.
Flamuj të Serbisë të vendosur në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

Përpjekjet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në krye të këtij procesi nga pala e Prishtinës.

Tensionet veçse janë rritur në mes të Beogradit dhe Podgoricës, kryeqytetit të vendit anëtar të NATO-s, Malit të Zi, ku një e treta e qytetarëve identifikohen si serbë.

Comments