Ndërhyrja e QUINT’it, Vjosa Osmani tregon se në çfarë formati mbahet nesër takimi

277

Në takimin e nesërm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e QUINTI’it dhe të Bashkimit Evropian. Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka treguar për Gazetën Express se në çfarë formati do të mbahet nesër takimi.

Negociatat vazhdojnë edhe nesër, në praninë e përfaqësuesve e QUINT’it dhe BE’së, e Osmani tregon se ky takim do të jetë ‘informativ’.

Siç tregon nënkryetarja e LDK’së, në takimin e nesërm nuk pritet të ndërmjetësojnë vendet e QUINT’it për arritjen e marrëveshjes.

“Takim informativ, ashtu ka qenë ideja kur e diskutuam”, ka thënë Osmani për Express.

Osmani ka treguar se ka qenë kërkesë e përbashkët e LDK’së dhe e Lëvizjes Vetëvendosje për të zhvilluar takim në praninë e ambasadorëve të QUINT’it.

LDK njoftoi se në takimin me Lëvizjen Vetëvendosje, që është mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, ka shpalosur qëndrimet e veta të ditura publikisht.

“Në takimin e sotëm kemi shpalosur qëndrimet tona, tashmë të njohura dhe publike për opinionin. Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”, thuhet në njoftimin e LDK’së.

MÖBEL THEMA

LVV’ja njoftoi para LDK’së se në takimin që zgjati më shumë se dy orë nuk është arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë.

“Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja”, thuhet në njoftimin e LVV’së.

“Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, thuhej në njoftim.

LVV kujton se kanë mbetur edhe tetë ditë deri më 4 shkurt, kur skadon afati për formimin e Qeverisë.

“Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Në takimin e sotëm mes LVV’së, që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit dhe LDK’së, që doli e dyta, morën pjesë përveç liderëve edhe eksponentët e lartë të tyre.

Derisa LVV’ja këmbëngul se nuk do ta heqë Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit në të cilën është zgjedhur më 26 dhjetor, LDK’ja thotë se i takon asaj ky post dhe se nuk bën marrëveshje pa u liruar karrigia e Kreut të Kuvendit.

Comments