Në UT u hap ekspozita “Në kërkim të metaforës simfonike” e autorit Fatmir Krypa

48

Në hollin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës u hap ekspozita “Në kërkim të metaforës simfonike kosovare” e autorit Fatmir Krypa. Në hapjen e kësaj ekspozite ishin të pranishëm Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë të Fakultetit të Arteve.

Autori i ekspozitës, profesori Fatmir Krypa tha se në këtë ekspozitë janë prezantuar disa prej grafikave të cilat janë punuar prej viteve 70 – ta e deri në ditët e sotme. “Këtu ka grafika që janë punuar para një muaji dhe përmbajnë një sublimim të jetës, ngjarjeve të cilat kanë ndodhur dhe ndodhin rreth nesh në mesin e shqiptarëve dhe Kosovës në përgjithësi. Ka gjëra të cilat janë të përgjithshme, por ka edhe të tilla të cilat e tregojnë historinë, jetën tonë dhe vuajtjet e viteve të 90-ta. Ato nuk përshkruhen me fjalë, por artisti i mediton në mënyrë kreative dhe i pasqyron që edhe shikuesi ta gjejë botën e vet, që t’ia kujtojë periudhën që ka ndodhur gjatë atyre viteve përmes grafikave. Kjo që shihni këtu është vetëm një pjesë. Në një të ardhme të afërt do të bëj një monografi dhe do ta organizoj një ekspozitë më të madhe, në të cilën do ta pasqyroj të gjithë krijimtarinë time ndër vite. Mua më erdh mirë që sot në hollin e Universitetit të Tetovës kishte një numër të madh artdashësish, të cilët kanë ardhur për të parë këtë ekspozitë. Unë i falënderoj të gjithë, në veçanti Rektorin e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti, për këtë nder që ma bëri dhe u premtoj se edhe në të ardhmen nuk do t’ju zhgënjej me punën time” – tha profesor Fatmir Krypa.

Dekani i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Miftar Memeti tha se ekspozita e Fatmir Krypës në hapësirat e hollit të Rektoratit të UT-së do të qëndrojë e hapur një javë. “Është nder dhe kënaqësi për ne si Fakultet i Arteve që sot në ambientet e Universitetit të Tetovës të hapim ekspozitën me temë: ‘Në kërkim të metaforës simfonike kosovare’ të autorit Fatmir Krypa. Ne me këtë ekspozitë jo vetëm që e kemi respektuar punën e profesor Fatmir Krypës, por kemi nderuar edhe veten tonë, pasi profesor Fatmir Krypa është themelues i grafikës në Universitetin tonë, andaj me shumë dëshirë i bëmë ftesë që punimet e profesor Fatmir Krypës t’i sjellim në Tetovë, me qëllim që studentët e grafikës të kenë mundësi që për së afërmi të shohin mjeshtërinë e tij” – u shpreh Prof. Dr. Miftar Memeti.

Veprat e profesor Fatmir Krypës gjenden në Muzeun Popullor në Beograd, Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup, Muzeun e Arteve në Podgoricë, në Kongresin Amerikan, në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup dhe në universitete të ndryshme në botë. Ai është edhe anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1973./Faktiditor.ch/

Comments