Lajme, Opinione — December 4, 2017 at 7:15 pm

Një Koalicion i Madh për Gjermaninë – dhe Europën

by


Me Amerikën që mungon dhe Kinën që po fiton ndikim, kjo është kohë kritike për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian që t’i japin botës vizion, stabilitet dhe lidership botëror. Kjo barrë bie edhe mbi Kristian Demokratët dhe Social Demokratët e Gjermanisë.

15:46, 3 Dhjetor 2017 Autor: Jeffrey Sachs
Aleatët e Gjermanisë dhe Europës nëpër botë kanë marrë frymë më lirshëm pasi kanë kuptuar gatishmërinë e dy partive gjermane – Kristian dhe Social demokratëve – që ta lidhin edhe një herë koalicionin e madh për qeverinë gjermane. Botës i duhet një Gjermani e fortë dhe largpamëse për një BE dinamike. Një koalicion i ri i madh që do të punonte bashkë me qeverinë e Presiedentit francez, Emmanuel Macron, do ta bënte këtë të mundshme.

Vendimi fillestar i Social Demokratëve (SDP) që të shkojnë në opozitë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e shtatorit ishte i sinqertë, madje edhe strategjikisht logjik. Por, tash nuk është koha për vendime të tilla, pasi diplomacia ka pësuar përçarje gjithkund.

SHBA’ja po drejtohet nga një President psikologjikisht jostabil dhe nga një kabinet të përbërë nga njerëz të pasur, si dhe nga Kongresi me shumicë republikane. Ndërkohë, Europa po lëngon nga krizat e shumëfishta ekonomike, sociale, politike e institucionale. Kina, në anën tjetër, është dinamike dhe me vizion për të ardhmen, arsye e mirë kjo që Europa të shikojë mundësitë e bashkëpunimit me Kinën në iniciativa të rëndësishme, siç është ajo për infrastrukturë të qëndrueshme përgjatë Euroazisë.

Shkurt, kjo është kohë kritike për Gjermaninë dhe Europën. Është kohë kur duhet vizion, stabilitet e lidership global. Por, CDU/CSU dhe SPD duhet të bëjnë më shumë se sa thjesht ta zgjerojnë qeverinë e kaluar, e cila ishte shumë provinciale. Botës dhe Europës i duhet një qeveri gjermane që sheh nga bota e që ofron ide të reja për ekonominë, në mënyrë që Europa të jetë rival i fortë i Amerikës dhe Kinës në botë. E them këtë si një njeri që beson fort në angazhimin e Europës kur vjen puna te zhvillimi i qëndrueshëm, që është nevoja kryesore e kohës tonë.

Rritja ekonomike që është inkluzive për shoqërinë dhe e qëndrushme për ambientin është ide shumë europiane, e që është pranuar botërisht në Agjendën e Kombeve të Bashkuara deri më 2030, si dhe në 17 Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, madje edhe në Marrëveshjen e Parisit për Klimën më 2015. Përvoja e Europës me social demokracinë dhe kristian demokracinë e bëri këtë vizion të mundur për tërë botën. Por, tash që agjenda e saj është pranuar globalisht, vizioni i Europës për ta përmbushur këtë ide është bërë esencial.

Një koalicion i madh në Gjermani duhet ta vendosë Europën në një pozicion të lidershipit. Presidenti francez, Macron, ka ofruar disa ide të rëndësishme: një ministër të Financave europiane; eurobonde për të financuar një program të ri investiv; një taksë të transaksioneve për të dhënë më shumë për Afrikën, ku Europa ka interes për zhvillim afatgjatë; si dhe harmonizim të tatimit, para se Amerika të nisë një luftë globale për më shumë tatim ndaj të pasurve dhe korporatave.

Kundrejt gjermanëve që janë kundër këtyre ideve, një ministër për financat e Europës dhe eurobondet nuk do të dhe nuk duhet të çojnë në lëshime financiare, por duhet të çojnë në ringjallje të investimeve ‘të gjelbra’ në Europë. Kina ka propozuar Iniciativën e Rripit dhe të Rrugës për të ndërtuar infrastrukturë të gjelbër që do të lidhte Azinë juglindore dhe Azinë qendrore me Europën. Kjo është kohë kur Europa duhet të tregojë vizion dhe të krijojë partneritet me Kinën, në mënyrë që infrastruktura euroaziatike të renovohet.

Nëse Europa vepron si duhet, fusha teknologjike dhe shkencore do të lulëzonin nën këtë vizion – si e Kinës ashtu edhe e Europës. Nëse kjo nuk ndodh, ne të gjithë do të vozisim vetura të kinezëve që ecin me bateri elektrike kineze, ndërsa industria gjermane e makinave do të jetë thjesht fusnotë në histori.

Ministria europiane e financave – ndër të tjera – edhe do t’i jipte fund agonisë së vetëshkaktuar europiane pas krizës financiare të 2008’s. Edhe pse duket vështirë të besohet, kriza në Greqi vazhdon edhe sot e kësaj dite, 10 vjet pasi plasi kriza në botë.

Kjo ka ndodhur sepse Europa nuk ka qenë në gjendje – dhe Gjermania nuk ka dashur – ta zgjidhë lëmshin financiar grek në një mënyrë të drejtë dhe largpamëse (ngjashëm me marrëveshjen e vitit 1953 për borxhin e jashtëm gjerman). Prandaj, nëse Gjermania nuk udhëheq zgjidhjen e kësaj çështje, Europa do të vazhdojë të përballet me po të njëjtën situatë dhe me pasoja të tjera ekonomike dhe politike.

Pas tri javës, Emmanuel Macron do të mbledhë në Paris liderët botërorë në përvjetorin e marrëveshjes për klimën. Franca ka merita për këtë, ashtu si Gjermania. Gjatë kohës kur Gjermania pati presidencën e grupit G20, Merkel mbajti 19 nga 20 shtete të përkushtuara për ta respektuar marrëveshjen e Parisit për klimën, përkundër tentimeve të turpshme të Donald Trumpit për ta hedhur poshtë këtë marrëveshje.

Korrupsioni në politikën amerikane, sidomos paratë e naftës dhe gazit dhënë politikanëve, kanë rrezikuar pajtimin global për ndryshimet e klimës. Por Gjermania nuk u dorëzua. Koalicioni i ri në Qeveri duhet të sigurohet që tranzicioni energjetik i shtetit të mbërrijë objektivat e caktuara nga qeveritë e kaluara deri më 2020. Këto pika nuk duhet të bëhen pjesë të pazarit politik për koalicion.

Një aleancë CDU/CSU-SPD që do të punonte me Francën e Macron dhe tërë Europën, duhet dhe do të bëjë shumë në ndryshimet klimatike. Edhe më e rëndësishme është që Europa të përpilojë një plan të gjerë për largimin e karbonit plotësisht nga përdorimi deri më 2050. Kjo do të kërkojë një rrjet elektrik pa karbon që shtrihet nëpër Europë dhe lidhet me energjinë solare dhe të erës jo vetëm për Europën jugore, por edhe për Afrikën veriore dhe Mesdheun lindor. Edhe një herë, eurobondet, partneriteti ‘i gjelbër’ dhe uniteti në BE do të jetë me shumë rëndësi.

Një aleancë e tillë do të kirjonte edhe një politikë të re të jashtme të BE’së, një të atillë që promovon paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm e që mbështetet nga një aparat i sigurisë që nuk do të varej edhe aq shumë në Amerikë. Europa – magnet për qindra miliona migrantëve ekonomikë, do të merrte kontrollin e kufijve të saj, për të bërë të mundur vendosjen e limiteve të duhura në migrim.

Duket që kushtet politike të koalicionit të madh gjerman dihen. SDP’ja duhet të mbajë ministritë e financave dhe të ekonomisë, kurse CDU/CSU’ja ta mbajë Kancelarinë. Ky do të ishte koalicion i vertëtë, jo një që do ta varroste politikisht SDP’në apo t’ia mohojë të drejtën për të aplikuar politikën e saj të gjelbër në zhvillimin e qëndrueshëm europian.

Me Merkelin dhe liderin e SDP’së, Martin Schulz si liderë, qeveria gjermane do të ishte e shkëlqyeshme, e përgjegjshme dhe me përvojë. Të gjithë miqtë dhe përkrahësit e zhvillimit të qëndrueshëm global po shpresojnë që një koalicion i tillë të lidhet.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Menaxhimit në Universitetin e Kolumbias në SHBA. Ai ka shkruar një varg librash shkencorë që kanë të bëjnë me varfërinë, kapitalin, dhe ekonominë amerikane. Opinioni është shkruar për rrjetin global të gazetarisë dhe mendimit, Project Syndicate).

Comments

comments