Nxënësit nga Kosova zënë vendin e dytë në rajon për kodim

79

Me lojën e reflekseve (reaction game) e cila teston reagimet e njerëzve, nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” nga Prishtina kanë zënë vendin e dytë si shkolla më e mirë për kodim në Garën Rajonale të Kodimit në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga British Council, që u mbajt në Berograd.

Krijuesit e projektit fitues janë Eni Zymeri dhe Ed Haliti, nxënës të shkollës fillore ‘Faik Konica’ në Prishtinë. Vendin e parë e ka zënë ekipi dhe shkolla nga Bosnia dhe Hercegovina. Në garë morën pjesë gjithsej 13 shkolla nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, pjesë e projektit “Shkollat e shekullit 21” të British Council. Ekipit fitues iu dhurua një udhëtim në Panairin ndërkombëtar të teknologjive të reja ‘Bett Show Education’, që do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm në Londër.

Vendi i dytë është ndarë mes ekipeve nga Kosova dhe Maqedonia, ndërsa vendi i tretë është fituar nga ekipi i Malit të Zi. Pjesëmarrësve iu kërkua të krijonin një projekt që do të zgjidhte një problem real me ndihmën e micro:bit.

MÖBEL THEMA

Pjesëmarrësit nga Kosova i ka uruar dhe përshëndetë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët kanë qenë pjesë në Samitin Digjital.

Loja e zhvilluar nga nxënësit kosovarë është lojë e cila luhet nga dy persona, të cilët pas sinjalit të dhënë në butonin Start dhe pritjes tre-sekondëshe, e presin shenjën nga micro:bit. Lojtari i parë i cili e prek butonin shfaqet në pajisje, e cila tregon se kush ka qenë i pari dhe kohën e reagimit. Me lojën e zhvilluar, nxënësit kanë synuar ta përçojnë mesazhin se kodimi është gjuhë programuese e cila mund të mësohet përmes bashkëpunimit, përkushtimit dhe pasionit.

“Sot kemi patur mundësinë të shohim projektet e shkollave që ishin pjesë e fazës pilotuese të programit të zbatuar në dy vitet e fundit. Në sajë të investimit prej 10 milionë funtash nga ana e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, tani të gjitha shkollat në Ballkanin Perëndimor do të kenë micro:bit pajisjet e tyre, Në këtë mënyrë, British Council do t’u mundësojë miliona nxënësve të fitojnë aftësi të reja digjitale, si dhe aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve të kërkuara nga punëdhënësit modern,” tha Clare Sears, drejtoreshë e British Council për Ballkanin Perëndimor.

Programi “Shkollat e shekullit 21” përfshin të gjithë studentët nga vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën platformë me dhjetë vendet që udhëheqin në matematikë dhe shkencë. Programi trevjeçar “Shkollat e shekullit 21” në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor zbatohet nga Këshilli Britanik dhe në vendin tonë drejtohet në bashkëpunim me të gjitha ministritë dhe institucionet përkatëse në fushën e arsimit. Programi përfshin mbi 4.000 shkolla në rajon, për të cilat ofron burime, mjete dhe trajnim në mënyrë që të gjithë studentët të kenë mundësi të fitojnë aftësi për të ardhmen.

Comments