OBSh-ja e miraton për përdorim urgjent vaksinën e AstraZenecas dhe Oksfordit

87

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka miratuar për përdorim urgjent vaksinën e zhvilluar nga kompania AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.

Ky vendim nënkupton se vaksina mund të shpërndahet në tërë botën dhe të jetë pjesë e programit Covax për furnizim të vendeve të varfra me vaksina kundër Covid-19.

Në deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet se është miratuar vaksina e prodhuar nga AstraZeneca-SKBio në Korenë Jugore dhe nga Instituti Serum i Indisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

Drejtori i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se prodhimi i vaksinës duhet të shtohet edhe më shumë para se ajo të mund të shpërndahet më gjerë në botë.

Vaksina e Oksfordit është vlerësuar lart për shkak se është më e lirë dhe mund të shpërndahet më lehtë se vaksinat tjera, sepse nuk kërkon temperaturë shumë të ulët për t’u ruajtur.

Vendet në mbarë botën po bëjnë garë për të siguruar sa më shumë doza të vaksinave të miratuara, por disa kompani janë përballur me probleme në prodhim, duke shkaktuar vonesa në shpërndarje.

Comments