Operacioni në veri, tre të arrestuarit janë zyrtarë të Policisë së Kosovës

137

Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e sotëm të zhvilluar në veri të vendit.

MÖBEL THEMA

Përmes një komunikate për media, IPK ka konfirmuar informacionin se në operacion në pranga kanë përfunduar tre persona, shkruan lajmi.net.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit  në Mitrovicën e Veriut tre zyrtarë policorë”, thuhet në raport.

Operacioni i sotshëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”.

Arrestimi i tre të dyshuarve (një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor) është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe  “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent.

Me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25. /Lajmi.net/

Comments