OSMAN ABDULLAHI-NJERIU QË SFIDOI PARAGJYKIMET PREDOMINANTE TË KOHËS

65

Shkruan: Syrja Etemi

(Me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së iluministit nga Sllatina, Osman ef. Abdullahi)

MÖBEL THEMA

Njeriu më meritor që nuk hezitoi për të realizuar ëndrrën gëluese për të pasur shkollë shqipe, apo për të mbjellur farën e gjuhës shqipe, padyshim është iluministi, Osman ef. Abdullahi. Ai meqë kishte mbaruar Medresenë e Stambollit me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1906, po në Stamboll, pos mësimeve fetare, siç cekëm më lartë, kishte lexuar edhe Rilindasit tanë që vepronin në StambolI. I motivuar nga veprat e tyre patriotike e atdhedashëse, tek ai edhe më tepër i ndizej dëshira e madhe për arsim në gjuhën shqipe, edhe pse kushtet dhe rrethanat e atëhershme ishin mjaft të vështira për veprim e për të hapur një shkollë shqipe ku do të arsimoheshin fëmijët e moshës shkollore të fshatit të tij të lindjes. Meqë këtë nuk mund ta bënte në ndonjë objekt arsimor të finansuar nga shteti, ai e shndërroi shtëpinë vet në shkollë (që e themeloi më 1912) , ku mblodhi disa fëmijë dhe u jepte shkrim-këndim në gjuhën shqipe
_________________________________________________

Pollogu gjithmonë ka lindur njerëz të cilët e kanë identifikuar dhe sfiduar kohën. Njëri ndër ta është edhe Osman Efendi Abdullahi, i cili u lind në Sllatinë në vitin 1888 në një familje të njohur për edukim dhe arsimim, sidomos atë fetar. Që si i vogël i bie në sy me zgjuarësinë e tij kushëririt, Ismail Efendi Saiti, i cili ishte Shef i Katedrës Teologjike në “Fati” të Stambollit. Kështu në librin: “Çështje gjuhësore”, Dr. Remzi Nesimi, shkruan: “Nga Tetova dhe rrethi i saj, përveç Rexhep Vokës që njihet si veprimtar i shquar, në Stamboll ishin shkolluar edhe Selim Efendi Sheapi, Osman Abdullahi nga Sllatina e shumë të tjerë, të cilët, të frymëzuar nga idetë e Rilindasve, e vazhduan me zell punën rreth mësimit të alfabetit shqip dhe të gjuhës shqipe”, njëkohësisht edhe si bashkëpunëtor i ngushtë i intelektualit nga Shipkovica, Efendi Rexhep Voka.
Ismail Efendiu e merr Osmanin e ri për ta shkolluar në Stamboll, ashtu siç janë shkolluar shumica e rilindasve tanë shqiptar. Këtu, efendiu i njohur me pikëpamjet e tija iluministe, e regjistron Osmanin në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Stambollit, në të cilin studijoi tre vite. Kur i vdes babai, i ndërpret studimet dhe kthehet në fshat. Është me rëndësi të theksohet se, gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, bëhet vullnetar në anën e ushtrisë së sulltanit. Kthehet në vendlindje me gradën “toger”.
Njeriu më meritor që nuk hezitoi për të realizuar ëndrrën gëluese për të pasur shkollë shqipe, apo për të mbjellur farën e gjuhës shqipe, padyshim është iluministi, Osman ef. Abdullahi. Ai meqë kishte mbaruar Medresenë e Stambollit me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1906, po në Stamboll, pos mësimeve fetare, siç cekëm më lartë, kishte lexuar edhe Rilindasit tanë që vepronin në StambolI. I motivuar nga veprat e tyre patriotike e atdhedashëse, tek ai edhe më tepër i ndizej dëshira e madhe për arsim në gjuhën shqipe, edhe pse kushtet dhe rrethanat e atëhershme ishin mjaft të vështira për veprim e për të hapur një shkollë shqipe ku do të arsimoheshin fëmijët e moshës shkollore të fshatit të tij të lindjes. Meqë këtë nuk mund ta bënte në ndonjë objekt arsimor të finansuar nga shteti, ai e shndërroi shtëpinë vet në shkollë (që e themeloi më 1912) , ku mblodhi disa fëmijë dhe u jepte shkrim-këndim në gjuhën shqipe.
Pos këtij aktiviteti, në grahmën e fundit të Perandorisë Osmane, me ndryshimin e kushteve dhe rrethanave tjera shoqërore e politike, më vonë do të punojë edhe si profesor në shkollën: “VELIKA MEDRESA” të Shkupit, ku mësohej edhe lëndë shkencore. Me themelimin e shkollës fillore (1932) në Leshkë, tani më me përvojë solide prej pedagogu, do të punojë me honorar: me nga dy orë në javë. (Këtu mësimi zhvillohej në gjuhën serbe edhe për fëmijët shqiptarë, kurse Osman efendiu mbante ligjërimin në gjuhën shqipe). Kështu, me punë arsimore ai u morr deri në fund të jetës së tij, deri më 1939. Ka njohur për mrekulli, përveç gjuhës shqipe, edhe gjuhën turke, franceze dhe serbo-kroate.
Puna e tij e palodhshme, qoftë si edukator i mirëfilltë, qoftë si veprimtar i devotshëm, nuk shihej me sy të “mirë” nga pushteti i atëhershëm dhe gjithnjë ishte në shënjestër të pushtetit. Por, pa marrë parasysh këto obstruksione pushtetore, por edhe “anatemat” klerikale të kohës, ai nuk dorëzohej e servilohej. Ai bagazhin e madh të mësimeve që e kishte fituar gjatë shkollimit, e vinte në funksion të shpjegimeve të shumë fenomeneve e problemeve, të cilat binin ndesh me paragjykimet predomionante të kohës. Por, sido që të ishte, do të thoshte hoxha: “Toka është e rrumbullakët, dhe se, ajo sillet rreth boshtit të vet dhe rreth Diellit. “Shpjegim ky që, për atë kohë ishte në kundërshtim me dogmat dhe predikimet e shumë klerikëve profanë, qofshin ata myslimanë, qofshin të krishterë.
Që në atë kohë kur shqiptarët e këtyre viseve e quanin veten “turk elhamdulilah”, Osmani i jepte përparësi kombit e mandej fesë. “Pa vatan nuk ka iman”, do të shprehej pa mëdyshje efendiu i madh, i cili gjithnjë e më tepër zgjeronte miqësinë me njerëzit më me ndikim në këto treva. Ai, përveç që shoqërohej me persona me influencë në fshat, si me Jusufin e Muçës, Mulla Ferikun etj. bashkëvepronte edhe me Mulla Veselin e Nerashtit, me Selim Sheapin nga Tetova, madje Ismail Spahiun, Idriz Ibrahimin etj.
Mulla Osmani kurrë nuk ka qenë klerik fanatik, por gjithnjë ka qenë luftëtar i rreptë kundër disa klerikëve dhe interpretuesve të verbër e injorantë. Mundohej që njerëzve të kredhur në skëterrën e paditurisë t’u shpjegonte gjërat dhe dukuritë në mënyrë shkencore, pasi këto njohuri ai i pat fituar që në Kolegj, nga lëndët: gjeografi, matematikë, astronomi, Kur’an etj. Këto ide për kohën e atëhershme ishin “paradokse” dhe “laike” por nuk vononte shumë dhe të gjitha “heretizimet” dhe “profkat” e Efendiut të madh, shndërroheshin në realitet.
Ai, përveç literaturës fetare, siç përmendëm edhe më sipër, me ëndje të madh lexonte librat e Rilindasve tanë e, në veçanti ato të shkruara me alfabetin turko-arab. Prandaj, qysh atëherë u frymëzua thellë me idetë iluministe që burimin e kishin në Europën e përparuar, e në veçanti tek iluministët francez. Kështu, duke kuptuar rëndësinë e arsimit për civilizimin e një populli, Osmani qysh në vitet tridhjetë (në kohën e Serbisë) e shkolloi djalin e vet: Hysniun.
Prandaj, mund të përfundojmë se madhështia e punës dhe veprimtarisë së Osman Abdullahit, nuk qëndron vetëm në konsistencën dhe konsekuencën ndaj idealit dhe botëkuptimeve të tij, por edhe në papërkulshmërinë kundruall ndërkombëzave intriguese të regjimeve të huaja dhe linçimeve të klerikëve të instrumentalizuar.
Për atë që bëri ai, bashkë me veprimtarët që përmendëm, sot duhet të kujtohet me respektin më të madh nga brezat e këtij nënqielli.

Comments