Osmani: Jam kundër mocionit, besoj që LDK e VV mund të gjejnë një zgjidhje

195

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka folur pas mbledhjes së Kryesisë,  ku u vendos që seanca për rrëzimin e qeverisë Kurti të mbahet nesër me fillim prej orës 11:00.

MÖBEL THEMA

Osmani para mediave tha se nga IKSHP janë kërkuar vetëm rekomandime për mbajtjen e seancës, dhe jo leje, shkruan lajmi.net.

“Sot kemi mbajtur mbledhjen e Kryesisë. Më lejoni të sqaroj se para se të mbahet kjo mbledhje e Kryesisë unë kam kontaktuar me IKSHP-në, për të kërkuar  që të na tregojë se cilët hapa duhet ndërmarrë për mbajtjen e seancës, pra cilat janë kushtet që duhet të plotësohen. IKSHP ka nënvizuar se niveli i emergjencës nuk caktohet nga ana e tyre, prandaj ka rekomanduar të gjitha masat shëndetësore si për insticionet tjera”, ka thënë Osmani.

Osmani po ashtu ka thënë se është kërkuar dezinfektimi i sallës, kontrollet mjekësore dhe distanca të paktën dy metra mes deputetëve, mirëpo që një gjë e tillë ajo ka shpjeguar se është e parealizueshme.

“Pra kanë kërkuar që të sigurohet dezinfektimi i sallës, distanca fizike për së paku dy metra. Unë kam kërkuar nga administrata përgjigje nëse salla i plotëson kushtet për një seancë të tillë, dhe përgjigja ka qenë që nuk mund t’i sigurojë këto kushte. Megjithatë ka pasur kërkesë që të shfrytëzohet edhe hapësira përreth, hapësira e mediave dhe e mysafirëve. Pas matjeve të nevojshme, përgjigja e adminsitratës ka qenë që edhe në këtë hapësire do të mund të futeshin rreth 88 deputetë. Megjithatë me katër vota për dhe dy vota kundër Kryesia ka vendosur për mbajtjen e seancës”, tha Osmani.

Ajo tutje tha se e mbështet edhe deklaratën e sotme të vendeve të QUINT-it që bëri thirrje për unitet të spektrit politik në Kosovë.

“Unë nuk jam pajtuar me këtë konstatim, për shkak se mes mbrojtjes së interesit publik, dhe një procedure të seancës plenare unë zgjedh të parën. Nesër është vetëm një pikë e rendit të ditës, pra mocioni i 44 deputetëve për rrëzimin e qeverisë Kurti. Nesër u takon deputetëve të vendosin se si do të votojnë në lidhje me mocionin. Kemi edhe sot një deklaratë lidhur me vendet e QUINT-it ku kanë kërkuar unitet institucional dhe kanë kërkuar që të ruhet integriteti i qeverisë, në këtë kohë kur institucionet duhet të japin maksimumin e tyre, unë e mbështes këtë deklaratë”, tha Osmani në fund.

Osmani ka thënë po ashtu se që në fillim ka qenë kundër mocionit, për shkak se ka menduar se ka ende hapësirë që të gjejnë një zgjidhje.

“Unë kam shprehur qëndrimin kundër mocionit, sepse kam besuar që është e vetmja mënyrë që vendit tonë t’i sigurojmë qeveri me seriozitet, dhe një qeveri që ia hap derën ndërkombëtarisht Kosovë. Keqkuptimet brenda qeverisë, e kam pak vështirë t’i komentoj. Kam besuar dhe akoma besoj që të dy partnerët kanë pasur hapësirë që të gjejnë një zgjidhje sidomos në këtë situatë. Po ashtu i bëj thirrje të gjithë deputetëve që mos ta votojnë këtë mocion. Por prap se prap është vendim i deputetëve të Kosovës”, ka thën në fund Osmani. /Lajmi.net/

Comments