Pazari me të keqen!

465

( pazari mes SDSM-së dhe VMRO-së)

Pazari me të keqen në zgjedhjet e 15 korrikut në MV tanimë ka ndodhur dhe partitë shqiptare si Besa apo të tjerë më pas si koalicioni i qylaxhinjëve të ASH-AAA, e kanë nënshkruar kontratën e bashkëqeverisjes për koalicionin qeverisës me pinjollin e Cërvenkovskit gënjeshtarin Zajko, nëse këtë radhë i fiton zgjedhjet.
Gjithashtu, nëse ndodh që nuk mjaftojnë numrat për krijimin e qeverisë së koalicionit atëherë natyrshëm Zajko do të thërras Ali Ahmetin në ndihmë për t’iu bashkuar koalicionit të ngjajshëm si ai i legjislaturës së kaluar.
Në anën tjetër, nëse VMRO-ja e Mickos i fiton zgjedhjet atëherë DUI do rreshtohet pranë saj për të vazhduar aty ku e lanë bashkëqeverisjen si katër vjet më parë.

Cilido qoftë kombinimi pas zgjedhjeve shqiptarët dalin humbës me këtë sistem zgjedhor që saknksionon shqiptarët me rreth 25/27 vende kurse ata sllavo-maqedonët i sigurojnë mbi 95 mandate dhe kësisoj, partitë shqiptare nuk mund t’i imponohen me programet e tyre në formimin e qeverive të koalicionit.

Kështu, shqiptarët e MV të mos shohin ëndrra me sy hapur, se në qeverinë e koalicionit të udhëhequr si nga Zajko apo Micko, se partitë shqiptare nuk do mund t’i realizojnë premtimet dhe zotimet e tyre për ndryshime në qeverinë e ardhshme të koalicionit.
Por, një gjë nuk e thonë partitë shqiptare gjatë kësaj fushate zgjedhore se, si do ta sjellin ndryshimin këta trimat tanë në krye me Zajkon apo Mickon, kur kanë thënë se do të angazhohen për barazi dhe status politik të barabartë të shqiptarëve me sllavo-maqedonët në MV?
Do ta pranojnë paaftësinë e tyre partitë shqiptare apo do vazhdojnë të arsyetohen me broçkulla të dalura boje tanimë se, nuk ka vullnet politik dhe gatishmëri nga kampi sllavo-maqedonas për ta bërë ndryshimin e madh historik të barazisë së plot mes dy popujve!

Ja pra ku qëndron problemi te partitë shqiptare në përgjithësi te papërgjegjshmëria dhe pamundësia e ndryshimit të mentalitetit të robit si servilë të pushtetit.
E para, partitë shqiptare për hir të posteve qeveritare dhe të pushtetit i shkelin zotimet dhe premtimet.
E dyta, është se ata po bëjnë pazar me të keqen me dekada duke pranuar denigrimin dhe statusin inferior të shqiptarëve si bashkësi shifrash për shkak të pasurimit të shpejtë dhe të karrierës.
E treta, te pamundësia e zhbërjes dhe thyerjes së tabusë nga ana e bllokut politik shqiptar ndaj ndjenjës së inferioritetit përballë bllokut sllavo-maqedon, për t’i treguar atyre se është koha e fundit që ata të reflektojnë dhe të heqin dorë nga mendësia dhe megalomania e mbajtjes dhe ruajtjes së supremacisë së pustetit mbi ”bashkësitë e tjera të papërfillshme” si zotër të pushtetit politik, ekonomik dhe kushtetues.

Prandaj, shqiptarët e MV të mos shpresojnë shumë nga zotime dhe premtimet e partive politike shqiptare që për tri dekada kanë tradhtuar interesat kombëtare por as nga mbështetja e panatyrshme që vjen së fundmi nga Albin Kurti dhe VV, që po i japin koalicionit të qelepirxhinjëve të ASH dhe AAA.

Kur jemi te Albin kurti dhe VV që po mbështesin këtë koalicion të djathtë pyetja lind natyrshëm si psh:
Çfarë e bashkon majtistin revolucionar Albin Kurti me të djathtën pseudo nacionaliste të Selës dhe me muxhahedinët e AAA së Gashit?
Apo le ta pyesim Albin trimin që ka filluar të na zhgënjej ne shqiptarëve të MV se : përse nuk kërkove nga partitë shqiptare në emër të shqiptarisë të mos futet asnjë parti shqiptare në qeveritë e koalicionit pa marrë më parë garanci të forta nga Zajko dhe Micko, se ata do pranojnë të ndryshojnë kushtetutën e njëanshme që të definoj statusin politik dhe gjuhën shqipe si të barabartë me sllavishten?!

As Albini dhe as partitë shqiptare nuk guxojnë ta hapin kutinë e Pandorës siç është kushtetuta për bllokun sllavo-maqedon, prandaj ata kanë sajuar gjepura të pa provuara ndonjëherë në lidhje me ndryshimet që do të sjell ky koalicion me Zajkon në krye, një qeveri qylaxhinjësh e cila do të jetë për shqiptarët një vazhdim i qeverisjes së më parëshme njëlloj si me DUI-n e Ali Ahmetit.

Për më shumë nga këto qëndrime a e di Internacionalja Socialiste ku kërkon të aderojë lëvizja VV se kjo lëvizje e së majtës mbështet në MV një koalicion të stisur djathtist?

Mbase paraja që shpërndajnë muxhahedinët dhe erdoganistët në vendet e ballkanit për t’i kthyer ata në ndikimin e sferës së interesit të ish Perandorisë Otomane, ka bashkuar për interesa financiare këto parti politike shqiptare edhe pse kanë programe të kundërta ideologjike!

Megjithë këtë mbështetje të pamerituar ata nuk e kanë forcën dhe numrin e kartonëve për ta ndryshuar kushtetutën por, do jenë pjesë e qeverisë për interesa të ngushta dhe jo për ndryshime në shërbim të kauzës kombëtare që nuk kanë këllqe t’i realizojnë.

Medai Shaholli

Comments