Pendarovski deri të premten do ta jep mandatin për qeverinë e re

47

Presidenti Stevo Pendarovski deri të premten, kur skadon afati dhjetëditësh, do ta ndajë mandatin për përbërje të qeverisë së re atij që do të ketë shumicë. Shefi i shtetit, siç kumtojnë nga kabineti i tij është konsultuar me ekspertët e shquar, me ç’rast ka përfunduar se Kuvendi është konstituuar më 4 gusht dhe se prej atëherë vijojnë afatet kushtetuese për ndarje të mandatit.

“Presidenti është konsultuar me emra juridik të shquar dhe konkluzioni ishte i qartë: Që të konsiderohet se Kuvendi është konstituuar, nevojitet verifikim i mandateve të deputetëve, ndërsa jo zgjedhja e dikujt. Presidenti Pendarovski, edhe pse i kupton motivet e kryetarit Xhaferi, mbetet në qëndrimin e tij i cili megjithatë e konfirmon edhe praktikën politike në të gjitha vitet e kaluara kur në pushtet ishin opsione të ndryshme politike”, thuhet në reagimin e kabinetit të presidentit të shtetit.

MÖBEL THEMA

Reagimi ka të bëjë me qëndrimet të cilat i nxori presidenti i deritanishëm i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili tha se nëse presidenti Pendarovski e ndan mandatin për formim të Qeverisë, pa zgjedhur një kryetar të ri parlamentar atëherë hapi i tij do të ishte kundërkushtetues.

“Jokushtetuese është ndarja e mandatit pa pasur kryetar Kuvendi i cili do t’i vë në funksion afatet tjera të cilat duhet t’i ndjek Kuvendi, sepse shtëpisë ligjdhënëse afatet i fillojnë nga momenti kur do ta marrë njoftimin nga shefi i shtetit se mandati i është besuar. Një person i paautorizuar nuk mund t’i informojë deputetët”, theksoi Xhaferi.

Comments